Ndërlidhjet

REAKSIONI ZINXHIR


Guardian

Fushë Kosova ka zënë një vend të rëndësishëm në mitet e vjetra dhe të reja të nacionalizmit serb. Edhe Sllobodan Millosheviçi e nisi politikën e vet nacionaliste me një fjalim në Fushë Kosovë në vitin 1989, e vazhdoi me krijimin e një shteti që ishte plotësisht kundër shqiptarëve, e vazhdoi me luftërat në ish-Jugosllavi në vitet '90 për ta përfunduar këtë politikë në një qeli burgu buzë Detit të Veriut.
Trupat e NATO-s dëbuan regjimin e Millosheviçit dhe krijuan kushtet për kthimin e shqiptarëve. Ndërkaq 5 vjet më pas nga ndërhyrja e NATO-s, dhuna e ditëve të fundit, thuajse nuk ka lënë më asnjë serb në Fushë Kosovë. Por duket se tashmë bashkësia ndërkombëtare nuk është më e mirëpritur, pasi mbahet përgjegjës për gjendjen aktuale si nga serbët dhe nga shqiptarët.
Shqiptarët i pritën si çlirimtarë trupat e NATO-s në vitin 1999. Por sulmet e shqiptarëve kundër këtyre trupave javën e shkuar janë dëshmi e asaj se shqiptarët e Kosovës i shohin këto trupa tashmë si një pengesë për realizimin e qëllimit të tyre, pavarësisë së Kosovës.
Dhuna më e fundit, ka rinxjerrë në sipërfaqe dilemën rreth të ardhmes së Kosovës. Derisa diplomatë e analistë po thonë se protektorati ndërkombëtar ka qenë tepër i ngadaltë në adresimin e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës , të tjerë përfshi dhe shefin e NATO, Jap de Hop Shefer, kanë deklaruar se dhuna është dëshmi se shqiptarët nuk janë ende të aftë për t'u vetëqeverisur.
Serbët e humbën Kosovën në vitin 1999. Kjo është trashëgimia e Millosheviçit. Pas gjakderdhjes së pesë viteve më parë nuk ka më kthim pas për serbët. Nga ana tjetër bashkësia serbe në Kosovë po shkon drejt plakjes, derisa 1.8 milionë shqiptarët e Kosovës janë popullsia më e re në Evropë dhe me rritjen më të lartë në kontinent.
Njëlloj qeveria nacionaliste e Beogradit e di se Kosova është e humbur, pavarësisht retorikave të përditshme nacionaliste për konsum të brendshëm. Për të zvogëluar humbjet kjo qeveri po bëhet avokate e ndarjes së Kosovës, ndarje ku veriu i Kosovës së bashku me një pjesë të Mitrovicës do t'i bashkangjitet Serbisë. Njëherësh kjo shpjegon dhe faktin se pavarësisht fjalëve, elita serbe nuk është e dëshpëruar kur i sheh serbët e Kosovës që dëbohen, pasi ata mendojnë se kjo do favorizojë ndarjen. Shqiptarët nga ana tjetër, gjithashtu mund ta mbështesin ndarjen pasi kështu maksimalizojnë territorin për një Kosovë plotësisht të tyre dhe të pavarur. Shqiptarët, me pak përjashtime, duan një Kosovë të pastër etnikisht. Në mes të këtyre synimeve qëndron NATO-ja dhe administrata ndërkombëtare, përpjekjet e së cilës për një Kosovë shumetnike janë goditur nga strukturat paralele të serbëve, por dhe nga hapat e shqiptarëve që duan të dëshmojnë fuqinë e tyre. Ndër rastet më të fundit që ilustrojnë këtë janë dhe muralet e Kuvendit të Kosovës.
Konflikti shqiptaro-serb është i ndryshëm nga konfliktet e tjera në ish-Jugosllavi, ku ishin të përfshirë, boshnjakët, kroatët e serbët, të gjithë popuj sllavë me një gjuhë, e cila ka dallime të vogla, popuj që kanë bërë martesa mes njëri-tjetrit dhe kanë ndjekur të njëjtat shkolla.
Ndërkaq serbët dhe shqiptarët janë etnikisht të ndryshëm, kanë komunikuar pak me njëri-tjetrin, flasin gjuhë të ndryshme dhe nuk duan të jetojnë së bashku.
Nëse shqiptarët e serbët do pranojnë një lloj ndarje apo shkëmbim të popullsive kjo do të hedhë në erë përpjekjet 10 vjeçare të bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan. Njëherësh ndarja e Kosovës mund të pasohet nga ndarjet në Bosnjë e Maqedoni. Nga kjo do të kishim një të ardhme të sigurt për një Shqipëri të madhe, që do lidhte Kosovën me Maqedoninë perëndimore dhe Shqipërinë, derisa programet e Serbisë dhe Kroacisë së madhe janë hedhur poshtë.
Kjo bën që çështja e Kosovës të kërkojë një kompromis historik.


XS
SM
MD
LG