Ndërlidhjet

RUGOVA: GJENDJA NË KOSOVË DO TË PËRMIRËSOHET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në mesazhin e tij drejtuar popullit të Kosovës në pesëvjetorin e fushatës ajërore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se kjo është një datë e shënuar në historinë e Kosovës dhe njëkohësisht shprehu bindjen e tij se gjendja e krijuar pas trazirave të fundit do të përmirësohet së shpejti. Rugova premtoi kujdesin e popullatës shumicë dhe të institucioneve të Kosovës për pakicat, si dhe përsëriti qëndrimin e tij se objektiv madhor për gjithë popullin e Kosovës është njohja formale e pavarësisë së Kosovës:
" 24 marsi i vitit 1999 ka hyrë në historinë moderne të Kosovës, si njëra ndër datat më të rëndësishme. Në këtë pesëvjetor duhet theksuar se Kosova ka patur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Institucionet e Kosovës janë të përqëndruara dhe po punojnë në realizimin e objektivave të zhvillimit ekonomik dhe demokratik, të krijimit të vendeve të reja të punës, të stabilitetit politik si dhe të integrimit të grupeve etnike në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës".
Presidenti Rugova e cilësoi fushatën ajrore të NATO-s, si një intervenim për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Ndërkohë, sot pasdite, kryeministri Bajram Rexhepi e ka vazhduar aktivitetin e tij në terren, duke i vizituar rajone të goditura nga trazirat e javës së kaluar. Rexhepi, qëndroi në kampin ushtarak të forcave franceze të KFOR-it në fshatin Novo Sellë të Vushtrisë, ku aktualisht pas trazirave të javës së kaluar, janë strehuar disa familje të ashkalinjëve.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës tha se ndiente dhimbje për faktin se këtyre qytetarëve të Kosovës iu është dashur t’i braktisin shtëpitë e tyre pas trazirave të fundit dhe premtoi kujdes institucional për ta dhe rikthim nëpër shtëpitë e tyre:
"Fondin të cilin ne do ta ndajmë do të vlejë edhe për komunitetin e serbëve dhe të ashkalijve dhe për të gjithë ata që kanë pësuar nga këto dëme. Ne jemi të gatshëm që të fillojë realizimi i tyre sa më shpejt, mirëpo nuk mund ta bëjmë pa pranimin e tyre, pa dëshirën e tyre".
Pas takimit në këtë kamp të përkohshëm, Rexhepi tha se këta qytetarë i kishin kërkuar atij t’iu mundësohet largimi nga Kosova në një vend tjetër evropian, çka sipas kryeministrit është refuzuar, pasi që ata duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
Kryeministri Rexhepi shoqërohej dhe nga kryetari i partisë së ashkalinjëve të Kosovës, Sabit Rrahmani i cili u angazhua që t’i përkrahë përpjekjet e kryeministrit për kthimin e këtyre qytetarëve nëpër pronat e tyre:
"Ajo që i ka ndodhur komunitetit ashkali në Vushtri, unë nuk mendoj që 99 % e shqiptarëve e kanë dëshiruar këtë, por ka ndodhur nga një grup i pandërgjegjshëm i qytetarëve të Vushtrisë. Gjithsesi nuk mendoj se kjo do të ulë imazhin e standardeve për një shoqëri demokratike".
Sidoqoftë, liderët dhe institucionet e Kosovës, po përpiqen që të kthejnë normalitetin në Kosovë pas protestave të dhunshme të cilat në disa raste kaluan në dhunë ndëretnike, çka u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.





XS
SM
MD
LG