Ndërlidhjet

MOORE:"DHUNA ZEMRON MBËSHTETËSIT E NATYRSHËM TË KOSOVËS NË PERENDIM"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këtë javë Kosova ishte e zhytur në dhunë. Ajo shpërtheu befas. A ju ka befasuar dhe ju dhe si i shihni në përgjithësi zhvillimet e fundit në Kosovë?

PATRICK MOORE
U befasova që u shpërnda virtualisht nëpër të gjithë territorin tepër shpejt. Jam dakort me shumicën e analistëve ndërkombëtarë të cilët kanë shkruar dhe komentuar ditët e fundit se situata në Kosovë ishte një aksident që pritej të ndodhte. Kemi frustrim politik në radhët e shqiptarëve dhe në radhët e serbëve dhe në thelb të këtyre përveç çështjeve politike ka një mungesë të zhvillimit ekonomik. Në këtë prizëm ishte një aksident që pritej të ndodhte. Jam dakort me ate që e tha kryeministri Rexhepi që nuk duhet të dalim me konkluzione të shpejtuara, do na duhet ta analizojmë me shumë kujdes këtë konflikt, dhe ta bëjmë këtë me kalimin e kohës. Por do të thoja se ideja e përdorimit të dhunës në përpjekjet për të arritur përfitime politike apo për të çliruar frustrimin ose për të arritur çfarëdo çështje që u shkon ndërmend njerëzve, nuk është e zgjuar. Është një gur në duart e armiqve, është një gur në duart e atyre që thonë se ju nuk jeni në gjendje të manaxhoni punët tuaja.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë megjithatë thonë se zhvillimet e fundit pjesërrisht pasqyrojnë pakënaqësinë e kosovarëve me status quon dhe zhagitjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës..

PATRICK MOORE
Kjo është diçka që kemi argumentuar për një kohë shumë të gjatë dhe shkon pas që në fund të luftës, kur miku im profesori Stefan Tribst, i Universitetit të Lajpcigut shkroi një artikull të gjatë për gazetën "Frankfurter Algemaine Zeitung", ku argumentonte që në verën e vitit 1999 se çdo shtyrje në çështjen e statusit, dhe ne të gjithë e dimë që ajo do të thotë pavarësi, do t'i përkëqesojë gjërat shumë, dhe sa më shumë të zgjaten aq më keq bëhet gjendja. Duke u bazuar në zhvillimet e ditëve të fundit duket që ky argumentim ka ridalë në dritë. Do doja të përmendja dy ekspertë të tjerë që kanë shprehur të njëjtat pikëpamje, por këto ditë. I pari është Volfgang Petriç. Ai tha që situata në Kosovë dhe në rajon është destabilizuar nga prania në Beograd e një qeverie e cila varet nga votat e socialistëve të Millosheviçit. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të fillojnë bisedimet për statusin. Më mirë herët sesa vonë. I dyti është veterani dhe aktivisti amerikan Morton Abramowitz, i cili shkroi në "Uashington Post" se zhvillimet e ditëve të fundit dhe në një periudhe më të gjatë kanë treguar që ka tre ide që ishin fallso - e para që Kosova mund të bëhej sërisht një shoqëri multietnike, e dyta që ka një të ardhme për një shtet të përbërë nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova dhe se problemet politike të Ballkanit duhet të lihen në duart e Bashkimit Evropian. Abramowitz gjithashtu nxjerr konkluzionin që është i ngjashëm me ate të Petriçit se ka ardhur koha që të fillohen bisedimet rreth statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
E përditshmja londineze "Guardian", pohon se në aspektin kohor, trazirat përputhen me ardhjen në pushtet të qeverisë së re serbe, e cila ka mbështetje të partisë së Millosheviçit, por edhe me deklarimet e Koshtunicës për kantonizimin e Kosovës, që në Prishtinë janë lexuar si përpjekje për copëtimin e Kosovës..

PATRICK MOORE
Edhe Petriç e sheh këtë lidhje. Ka një lidhje mes ardhjes së një qeverie nacionaliste në këtë rast të udhëhequr nga Koshtunica dhe të mbështetur nga partia e Millosheviçit. Ka qenë një studim serioz gjithashtu i argumentuar që në një mënyrë ose një tjetër do të ketë një formë të paktën në letër, të një kantonizimi. Një nga publikimet e "Janes Intelligence Review", e argumentonte këtë më përpara që në thelb ajo që do të ndodhë është që do të krijohet një kanton serb në veri, sido që të quhet ai. Për sa kohë që të jetë një qeveri nacionaliste në Beograd dhe ata nuk kanë përgjigje për problemet reale të serbëve që janë vendet e punës, ushqimi i mjaftueshëm, pensionet për të moshuarit, shërbimin shëndetësor dhe arsimor, këta qeveritarë dhe politikanë do të jenë tepër të gatshëm të luajnë me zjarrin e nacionalizmit dhe të gjithë e dimë se ku ka çuar kjo në të kaluarën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në prononcimet e tyre liderët kosovarë dënojnë dhunën dhe ftojnë për ndaljen e saj, por njëkohësisht nga UNMIK-u kërkojnë transferë më të shpejtë të kompetencave. A mendoni se këto gjëra janë të ndërlidhura?

PATRICK MOORE
Kjo pikëpamje do të kishte kuptim për dr. Tribst, për Petriçin dhe Abramowitzin, por nuk mendoj se do jetë e lehtë t'i shitet kjo ide Kofi Ananit. Çfardo që të jetë rezultati i kësaj, dua të them që përforcohet fakti se dhuna nuk do të zgjidhë asgjë. Dikush mund të thotë që Kroacia e fitoi pavarësinë me luftë, Bosnja e fitoi pavarësinë me luftë, por situata në Kosovë tash nuk është më ajo me të cilën përballeshin Kroacia Bosnja më parë. Ajo që kemi tash në Kosovë është një prani ndërkombëtare botërisht e legjitimuar. Prandaj është një situatë komplet tjetër nga ajo me të cilën u përballën sllovenët, kroatët dhe boshnjakët. Si rrjedhojë të thuash që është e justifikuar të dalësh në rrugë, nuk mendoj se është e vlefshme. Ajo që do ndodhë këtu nëse doni që dy qëllimet që i kam dëgjuar të shprehura nga pothuajse gjithsecili në Kosovë, që të përfundojë administrimi civil ndërkombëtar dhe t'i jepet fund çdo lloj lidhjeje politike me Serbinë, të keni pavarësinë e njohur, mënyra më e mirë për ta bërë këtë nuk është zemërimit i mbështetësve të natyrshëm të Kosovës në Perëndim, përmes përdorimit të dhunës.

Intervistoi: Melazim Koci
XS
SM
MD
LG