Ndërlidhjet

SOLANA: NUK KA VEND PËR ATA QË USHTROJNË DHUNË NË FAMILJEN EVROPIANE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pesë vjet pas fushatës ajërore të NATO-s, mbi caqet ushtarake serbe, ish Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Javier Solana, tani komisioner i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, është shprehur se ndihet i zhgënjyer dhe i pikëlluar me atë që ka parë sot në Kosovë. Dhuna nuk është rrugë që shpie gjëkundi dhe ajo nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë, ka thënë sot Solana, i shoqëruar dhe nga komisioneri i lartë i BE-së, Kris Paten, pas takimeve të përbashkëta e më pas dhe takimeve të ndara me liderët kosovarë. Ajo që ngjau këtu para pesë vitesh me shqiptarët, tani nuk do të tolerohet që t’iu përsëritet komuniteteve tjera, tha Solana në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Bajram Rexhepi:
“Brenda një kohe shumë të shkurtër duam që t’i shohim shtëpitë dhe shkollat të rindërtuara si dhe serbët të kthehen në shkolla e shtëpi të tyre. Kjo është rruga e vetme që ofron ardhmëri e nëse kjo nuk ndodh, ju nuk do të keni ardhmëri”, iu drejtua kosovarëve Solana. Ai tha në vazhdim se familja evropiane nuk do të ketë vend për ata që ushtrojnë dhunë.
Në anën tjetër, kryeministri Rexhepi, tha se nuk priste fjalë miradie nga Solana e Paten pas gjithë atyre investimeve të bëra në ardhmërinë e Kosovës dhe asaj që pasoi nga trazirat e javës së kaluar. Rexhepi tha se qeveria ka caktuar tashmë shumën prej pesë milion euro për riparimin e dëmeve të shkaktuara, duke vlerësuar se trazirat e fundit, e kanë kthyer Kosovën prapa pas pesë viteve të punës së bërë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare:
“Tani do të jetë si një prioritet edhe i qeverisë, që përveç rehabilitimit të shtëpive me fondin, që sot definitivisht e kemi ndarë prej 5 milion euro të fillojmë ndoshta menjeherë me projektin e parë pas dhjetë ditëve, duhet të ndërtohet edhe besimi dhe të mos i japim mundësi dikujt që nuk ia donë të mirën Kosovës të shkaktoj ndonjë dëm për Kosovën si deri tani”, tha Rexhepi.
Ndërkohë, Kris Paten, ka pohuar se krejt ajo që ka ndodhur javën e kaluar në Kosovë, është në kundërshtim e angazhimet ndërkombetare dhe me procesin e përmbushjes së standardeve, përmes së cilave ishte parashikuar që Kosova t’i hapë vetes mundësitë për definimin e statusit të saj:
“Politikanët e guximshëm, insistojnë në rindërtimin e tërë asaj që është djegur dhe rrënuar dhe se ata politikanë që angazhohen për këtë, ata angazhohen për një të ardhme më të mirë për Kosovën, kurse ata që e thonë të kundërtën i bashkohen rrugës që nuk shpie askund përveç në krim të organizuar" tha Paten.
Gjatë ditës, liderët tjerë kosovarë, kryesisht gjykuan zhvillimet e dhunshme, por njëkohësisht kërkuan nga zyrtarët e BE-së, që akterët e akteve kriminale të arrestohen dhe që aktet e tilla, të mos shërbëjnë për qarqe të caktuara për dënimin e tërë popullatës shumicë të Kosovës.
Ndërsa Javier Solana, për dallim nga herët e tjera, tha se BE-ja do t’u japë mbështetje përpjekjeve të UNMIK-ut dhe KFOR-it në stabilizimin e gjendjes, kurse nga institucionet vendore kërkoi që ato të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim me misionin ndërkombëtar në Kosovë. Unë do të kthehem në Kosovë pas një muaji, tha Solana, duke u drejtuar liderëve kosovarë mesazhin se ai do të donte që kur të kthehet të shohë se dëmet e shkaktuara janë riparuar.
Gjatë vizitës së sotme, Solana e Paten, të shoqëruar nga shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, kanë vizituar dhe disa pjesë të dëmtuara nga trazirat e 17 dhe 18 marsit, të banuara me serbë në komunën e Fushë Kosovës.



XS
SM
MD
LG