Ndërlidhjet

SOLANA: ATA QË MANIPULUAN PROTESTAT ME SIGURI JANË ANËTARË TË PARTIVE POLITIKE


Augustin Palokaj, Bruksel

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Havier Solana dhe kryeministri i Sllovenisë kanë diskutuar në Bruksel për situatën më të re në Kosovë, në prag të fillimit të samitit të Bashkimit Evropian. Sllovenia si anëtare e re e Bashkimit Evropian, do të jetë e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë, ka premtuar sot në Bruksel kryeministri i saj Rob pas takimit me Solanën. Havier Solana edhe pas këtij takimi u ka thënë gazetarëve se dhuna në Kosovë nuk mund të çojë askund dhe nuk mund të jetë rrugë e shkurtër për të zgjidhur diçka.
Ai ka përsëritur edhe njëherë se përgjegjësinë kryesore për dhunën që ka ndodhur javën e shkuar sipas tij e kanë njerëzit në Kosovë, përfshi edhe liderët e partive politike. I pyetur se kush është përgjegjës për dhunë, Solana ka thënë se në bazë të informacioneve që ka nga terreni, përfshirë edhe ato të shërbimeve të sigurimit, dhuna nuk ishte tërësisht spontane. Ajo në një mënyrë kishte filluar spontanisht, por më vonë dolën disa njerëz që ishin organizuar për ta shfrytëzuar këtë spontanitet dhe organizuan këtë, që është shumë serioze. Këta njerëz me siguri u takojnë partive politike dhe liderët e këtyre partive duhet të reagojnë, ka thënë Solana. I pyetur se a është dhuna në Kosovë dështim i plotë i Bashkimit Evropian, Solana ka refuzuar të pranojë një konstatim të tillë, duke thënë se ajo që ka ndodhur nuk është kurrsesi përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta disa gjëra kanë mundur të bëhen ndryshe, pro përgjegjësinë kryesore e kanë vetë kosovarët, e kanë ata që edhe pas 5 viteve ende mendojnë se me dhunë mund të arrijnë diçka. Ai po ashtu nënvizoi se Bashkimi Evropian ka investuar financiarisht për të ndihmuar kosovarët për kokë banori, më shumë se kudo tjetër në botë në historinë e Bashkimit Evropian.


XS
SM
MD
LG