Ndërlidhjet

ZËDHËNËSI I KFOR-IT THOTË SE SITUATA ËSHTË E QETË, POR ME TENSIONE


Albana Isufi, Prishtinë

KFOR-i ka të drejtë që të arrestojë të gjithë personat që kanë qenë të involvuar në organizimin e trazirave të 17 marsit. Komandanti i KFOR-it u ka dhënë autoritet udhëheqësve të Brigadave Shumëkombëshe që të ndalojnë të dyshimtit, të aplikojnë orë policore dhe të aplikojnë masa të tjera të sigurisë aty ku ka nevojë.
“Kjo është një mundësi, që do të rritë sigurinë. KFOR-i është përgjegjës për tërë sigurinë në Kosovë, kështu që ne në bashkëpunim me UNMIK-un kemi mundësi që edhe të ndalojmë njerëzit dhe këta të ndaluar i mbajmë në bazat e KFOR-it”, thotë shefi për informim i KFOR-it koloneli Horst Pieper.
Ndërkohë, edhe më tej në disa rajone të Kosovës ku ka pasur trazira është duke u aplikuar ora policore. Ora policore aplikohet ende në rajonin e Gjilanit, në Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes, që udhëhiqet nga forcat amerikane.
“Ora policore është duke u aplikuar në tërë rajonin e BSHL-së dhe zgjat nga ora 21 deri në orën 6 të mëngjesit. Ndryshe situata në këtë rajon ka qenë e qetë, por shumë fragjile, kështu që ende këmi ore policore, kemi postblloqe dhe patrullime 24 orëshe për të siguruar se situata do të mbetet stabile, tha zëdhënësi i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes Kris Col.
Sipas zëdhënësit të KFOR-it Jim Moran ora policore aplikohet edhe në Mitrovicë, por vetëm në zonën e mirëbesimit.
“Situata më e tensionuar tani për tani mbetet në Mitrovicë, atje edhe ku kanë filluar trazirat , thotë zëdhënsi i KFOR-it Jim Moran, duke shtuar se situata e përgjitshme në Kosovë tashmë është e qetë, por me tensione të vazhdueshme.
Në qetësimin e situatës zyrtarët e KFOR-it thonë se ka ndikuar edhe ardhja e 2 000 trupave shtesë të NATO-së . Trupat e ashtuquajtura “Përtej Horizontit janë shpërndarë në tërë Kosovën, por me një numër më të madh në vendet ku ka pasur trazira. Ende nuk dihet se sa do të qëndrojnë këta trupa në Kosovë.
“Ato do të qëndrojnë këtu aq gjatë sa të jenë të nevojshme. Ato janë nën komandën e komandantit të KFOR-it dhe ai do të vendosë si do të përdoren , dhe do të vendos se kur mund të largohen nga Kosova," thotë shefi për informim i KFOR-it Horst Pieper.
Në trazirat e 17 dhe 18 marsit në Kosovë janë vrarë 28 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë. Institucionet vendase dhe ndërkombëtare ende nuk kanë bërë një analizë të qartë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur këto dy ditë dhe kush mban përgjegjësi. Megjithatë UNMIK-u dhe KFOR-i kanë pranuar dje pjesën e tyre të përgjegjësisë, por kanë thënë se përgjegjësit janë edhe vetë qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG