Ndërlidhjet

logo-print

PËRFAQËSUES TË PARTIVE POLITIKE THONË SE DHUNA NUK ISHTE E DIRIGJUAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pavarësisht faktit se kush qëndron prapa eskalimit të dhunës gjatë protestave të 17 dhe 18 marsit, organet kompetente duhet të reagojnë dhe fajtorët t’i nxjerrin para organeve të drejtësisë, thonë përfaqësues të partive politike të Kosovës, duke iu përgjigjur akuzave që vijnë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe vetë zoti Javier Solana, se në këto trazira mund të jenë përfshirë dhe partitë politike. Sipas zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lulëzim Zenelit, vetë rrjedha e këtyre protestave është e papranueshme edhe për spektrin politik të Kosovës. Mirëpo organet kompetente, thotë Zeneli, janë ato që duhet ta thonë fjalën e fundit rreth përgjegjësve për eskalimin e dhunës dhe humbjen e jetës së dhjetra njerëzve:
“Ne jemi të bindur dhe qëndrojmë prapa pozicionit tonë, se njerëz dhe individ të cilët kanë qenë të involvuar drejtpërdrejt në ngjarjet e tilla, duhet të dalin para organeve të drejtësisë dhe që këto organe të japin fjalën e vet përfundimtare”, tha Zeneli.
Ndërkohë që në Partinë Demokratike nuk janë prononcuar rreth kësaj çështjeje, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sipas zëdhënësit të saj, Ernest Luma, protestat nuk mund të cilësohen si të dirigjuara nga qendrat politike. Mirëpo, shton ai, pakënaqësitë e qytetarëve dhe dhuna e përdorur në këto protesta sipas tij, dëshmojnë se institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore, nuk kanë një komunikim të drejtpërdrejtë me popullatën e Kosovës. Vakuumi i krijuar dhe problemet e shumta të grumbulluara në Kosovë, sipas tij, kanë nxitur një gjendje kaosi që është karakteristikë e mosfunksionimit të administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore:
“Natyrisht se imazhe anarkie dhe zhvillime të tilla nuk ndodhin në shoqëritë ku funksionojunë si duhet institucionet dhe administrata apo njerëzit që e kanë përgjegjësitë për të menagjuar vullnetin e qytetarëve të një vendi. Kjo është më shumë si rezultat i mosfunksionimit të këtij relacioni dhe I një jopërgjegjësie apo mospërfillje të vazhdueshme që institucionet dhe administrata ndërkombëtare e kanë praktikuar në raport me qytetarin dhe popullin e Kosovës”, tha Luma.
Sidoqoftë, partitë politike kosovare thonë se ato si në Kuvendin e Kosovës ashtu dhe në instancat tjera vendore e kanë dënuar dhe janë kundër përdorimit të dhunës. Ndërkohë që sot, kanë dështuar përpjekjet e zëvendësshefit të UNMIK-ut Çarls Brajshou, që ta bind koalicionin “Kthimi” që të kthehet në Kuvend, pasi që të tri muralet e vendosura para dy muajsh në holin e sallës, tashmë janë mbuluar. Pas një takimi që Brajshou zhvilloi me liderët serb, përfaqësuesi i Kthimit, Oliver Ivanoviq tha se muralet kanë qenë vetëm porosi e shqiptarëve që serbët të mos marrin pjesë në parlament.
XS
SM
MD
LG