Ndërlidhjet

LIDERËT E BE-SË DISKUTUAN PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Edhe nga samiti i sotëm i Bashkimit Evropian u është bërë thirrje të gjithë liderëve në Kosovë, në veçanti atyre shqiptarë, që të marrin përgjegjësi më të madhe për situatën aktuale dhe të sigurojnë që aktet e dhunës, siç u panë javën e shkruar të mos përsëriten më. Këtë formulim të porosisë kryetarët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së e kanë miratuar sot përmes konkluzave të presidencës. Në to po ashtu dënohet dhuna e para disa ditëve e motivuar nga motive etnike dhe shkatërrimi i objekteve fetare që konsiderohen si pronësi e të gjithë evropianëve. Posaçërisht në këtë samit janë dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe ndaj personelit të UNMIK-ut. Shefat e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që të ndërmerren hapa të menjëhershme, që të ndahen mjete dhe të merren përgjegjësi për rindërtimin urgjent të objekteve të shkatërruara në Kosovë, posaçërisht atyre fetare, dhe të sigurohet kthimi sa më i shpejtë i të zhvendosurve pas kësaj dhune. Liderët e BE-së u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me UNMIK-un dhe me KFOR-in për të siguruar mbrojtjen fizike të të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe sjelljen para drejtësisë të atyre, që janë përgjegjës për krimet e javës së shkuar. Zyrtarët e BE-së madje kanë porositur kosovarët se vetë do të paguajnë për rindërtimin e objekteve të shkatërruara dhe të mos presin për këtë më ndihmë financiare nga BE-ja, e cila nuk mund të shpërblejë njerëz që shkatërrojnë objekte të tjera fetare, thanë disa diplomatë të BE-së.
Edhe në këtë samit është konstatuar se ngjarjet e fundit në Kosovë kanë shënuar një kthim prapa dhe kanë dëmtuar progresin e arritur në vitet e shkuara në Kosovë. BE-ja ka thënë se përkundër kësaj do t'i mbetet besnike politikës standardet para statusit dhe se janë të përkushtuar të ndërtojnë një Kosovë demokratike, multietnike dhe prosperuese. Këtë e tha dhe Ministri i Jashtëm i Irlandës Brajën Koen në konferencën për shtyp, i cili tha se prioritet është tani mbajtja e situatës nën kontroll, vazhdimi i procesit të policisë dhe parandalimi i, siç u shpreh ai, përsëritjes së dhunës ndërfetare në Kosovë.
Në këtë takim të shefave të shteteve të BE-së për Kosovën ka raportuar Havier Solana dhe Kristofer Paten, të cilët para dy ditësh kishin qëndruar në Kosovë dhe sipas burimeve të afërta me ta, nga Kosova nuk janë kthyer me ndonjë optimizëm të madh.
XS
SM
MD
LG