Ndërlidhjet

REAGIME NDAJ REZOLUTËS SË PARLAMENTIT TË SERBISË PËR KOSOVËN


Bekim Bislimi, Prishtinë

Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe ata të institucioneve vendore e vlerësuan të paqëndrueshme Rezolutën e sotme të Parlamentit të Serbisë për Kosovën. Ata thanë se përkushtimi për ndërtimin e një Kosove paqësore e demokratike nuk do të pengohet nga dhuna që shpërtheu javën e kaluar gjatë trazirave që lanë pas vetes të vrarë e të plagosur dhe shumë dëme materiale. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare Sunil Narula tha se veprimet e javës së shkuar, nuk shënojnë fundin e përcaktimit për një Kosovës demokratike për të gjitha komunitetet e saj. UNMIK-u, tha zoti Narula është duke e shqyrtuar me kudjes rrugën politike për të ecur përpara, në këshillim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara qartazi përcakton qëllimet e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
“UNMIK-u mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj krijimit të shoqërisë, shumëtnike, demokratike e tolerante në Kosovë dhe dënon sërish ashpër të gjitha aktet e dhunshme të javës së kaluar”, tha zoti Narula, duke shtuar se krimet janë duke u hetuar, ndërsa përgjegjësit do të ndiqen nga drejtësia. Ai tha se një përparim i konsiderueshëm është shënuar në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë deri në ngjarjet e fundit dhe pavarësisht nga veprimet e dëmshme, UNMIK-u mbetet i përkushtuar ndaj të gjithëve në Kosovë pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare. Në këtë kuadër UNMIK-u sërish ka përshendetur vendimin e qeverisë së Kosovës për themelimin e një fondi të veçantë për rindërtimin e objekteve të shkatërruara gjatë trazirave të javës së shkuar.
Lidhur me miratimin e rezolutës për Kosovën nga parlamenti i Serbisë, kanë reaguar edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta vendore. Muhamet Hamiti, zëdhënës i kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova, ka thënë se Kosova është tërësi e mëvetësishme, me kufij të garantuar edhe ndërkombtarisht, e cila, siç tha ai, me vullnet të vetin dhe me dokument është jashtë Serbisë, dhe rezolutën e parlamentit të Serbisë e ka quajtur inekzistente, të pavlefshme dhe të kotë. Ai tha se organizimi i brendshëm administrativ është çështje e autoriteteve të Kosovës, gjegjësisht të nevojave të brendshme të saj dhe mund të shikohet, siç tha ai, vetëm pasi të jetë njohur pavarësia e Kosovës në kufijt e vet të paprekshëm.
“Entitete apo autonomi territoriale, janë vetëm fjalë të tjera për ndarje të Kosovës, që nuk do të ndodhë kurrësesi. Rezolutat, si kjo e parlamentit të Srbisë, e ditës së premte apo deklaratat e kryeministrit të Serbisë nuk çojnë peshë në rrafshin kushtetues, por shtojnë tensionet politike e etnike në vendin tonë që, siç po shihet, është synim i Beogradit”.
Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se Rezoluta e Kuvendit të Serbisë është një hap tjetër i dëmshëm, që aspak nuk i kontribon qetësimit të situatës në Kosovë.
“Përkundrazi, kjo rezolutë nxit përshkallëzim të mëtutjeshëm të gjendjes dhe e thellon hendekun ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Kjo rezolutë nuk është as e para e as e fundit që vjen nga Serbia. Megjithatë, si Qeveri e Kosovës e kemi për detyrë t’i rikujtojmë institucionet e Serbisë se ato nuk janë kompetente për të propozuar apo vendosur për fatin e qytetarëve të Kosovës”.
Zëdhënësja Kusari tha se prioritet i Qeverisë së Kosovës është rindërtimi dhe rehabilitimi i dëmeve të shkaktuara gjatë dhunës së javës së kaluar, përmirësimi i komunikimit dhe dialogu ndërmjet institucioneve dhe komunitetit serb në Kosovë, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për çfarëdo shqetësimi legjitim.


XS
SM
MD
LG