Ndërlidhjet

ROSS:"IMPLEMENTIMI I STANDARDEVE DO TË VAZHDOJ"


Carne ROSS, koordinator i UNMIK-ut për zbatimin e standardeve


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ros cilat janë përjekjet e fundit në implementimin e standardeve të vendosura nga bashkësia ndërkombëtare pas trazirave të javës së kaluar?

CARNE ROSS
Është e qartë se dhuna ka qenë befasuese për të gjithë, përfshirë edhe UNMIK-un. Por, bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë se ajo do që të vazhdoj procesi i implementimit të standardeve dhe ne do ta bëjmë këtë në partneritet me qeverinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e kanë penguar punën në implementimin e standardeve trazirat e fundit?

CARNE ROSS
Puna papritur është ndërprerë. Por, ne do të vazhdojmë dhe puna tashmë ka filluar sërish në implementimin e standardeve dhe duhet të flasim me qeverinë për të gjetur mënyrën se si të ecim përpara dhe të finalizojmë planin . Por, është e qartë se na duhet ta rishikojmë politikën e planit për t’u siguruar se ai është real dhe praktik dhe që ka lidhshmëri me rrethanat e sotme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka në fakt ka ndryshuar në plan pas trazirave?

CARNE ROSS
Ne tash po e rishikojmë planin edhe njëherë dhe politikën në të, kështu që nuk mund të japë përshkrime specifike se çka ka mundur të ndryshohet dhe çka jo. Tash nuk është koha e duhur për këtë gjë, por ne na është kërkuar dhe duam që ta finalizojmë planin sa më shpejt që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e perkohshme thonë se nuk kanë përgjegjësi për të përmbushur, sidomos standardin e dialogut, kthimit dhe të sundimit të ligjit. A do të duhej t’u jepej atyre më tepër përgjegjësi?

CARNE ROSS
Kemi pasur shumë diskutime me qeverinë rreth standardeve dhe rreth planit për implementim dhe deri në kohën para se të shëprthente dhuna ne ishim pajtuar me qeverinë për këtë plan ku përgjegjësitë për standardet ishin qartë të përshkruara. Shumica nga to i takonin qeverisë dhe disa UNMIK-ut. Plani dhe politikat për implmentimin e standardeve ishin të kuptueshme dhe të diskutuara në tërësi ndërmjet nesh dhe pajtoheshim për to. Është e qartë se kjo, edhe tash, është rruga para nesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri ka thënë se gjatë trazirave diçka është shkatërruar dhe se nuk është reale të pritet se do të përmbushen standardet në vitin 2005. Cili është mendimi juaj?

CARNE ROSS
Gjithmonë ka qenë në duar të bashkësisë ndërkombëtare që të gjykojë nëse Kosova është e përgatitur për statusin final më 2005. Kjo nuk ka ndryshuar as sot. Ka qenë gjykimi i tyre para trazirave dhe është gjykimi i tyre edhe tash pas dhunës.

RADIO EVROPA E LIRË
A pajtoheni me me disa politikanë lokalë që thonë se politika e standardeve duhet të ridefinohet?

CARNE ROSS
Nuk e di se çka nënkupton ridefinimi. Tingëllon si gjë e lehtë , por nuke di se çka nënkupton në kuptimin praktik. Do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të na thotë qeveria për standardet kur t’i rifillojmë diskutimet tona rreth planit për implemntimin e standardeve. E di se kryeministri është personalisht shumë i përkushtuar për këtë proces. Është një partneritet i sinqertë në mes nesh . I di indikacionet që ai dhe tërë qeveria kërkojnë ndonjë ridefinim të standardeve dhe të politikës se si të arrihen ato, por ne do të duhet të shohim. Qëllimi ynë është që së bashku me qeverinë të arrijmë të finalizojmë planin sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të kemi një udhërrëfyes për të ardhmen tonë këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Para trazirave ju i patët pranuar komentet nga Grupi i Kontaktit dhe nga Kombet e Bashkuara. I keni inkorporuar ato në planin për implementim të standardeve?

CARNE ROSS
Para tërë kësaj ne i pranuam komentet e Grupit të Kontaktit dhe nga selia jonë qendrore në Nju Jork, dhe ato i kemi përfshirë në plan. Natyrisht ne duhet të sigurohemi se të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë janë të kënaqur me planin. Mesazhi i qartë që kemi pasur nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në Grupin e Kontaktit dhe në Nju Jork ishte se ata duan që të bëhet gati plani sa më shpejt që të jetë e mundur. Neve na duhet të ecim përpara në Kosovë dhe kjo nuk ka ndryshuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit serbë nuk patën marrë pjesë në implementimin e standardeve para trazirave. A keni biseduar me ta tani?

CARNE ROSS
Nuk kam pasur rast të bisedoj me ta drejtpërsëdrejti për këtë çështje. Natyrisht që ata nuk donin t’i bashkohen procesit për implementimin e standardeve para dhunës…është vendimi i tyre nëse duan t’i bashkohen tash. Por, siç ishte gjithmonë edhe tash dera për ta është e hapur.

Intervistoi: Albana ISUFI

XS
SM
MD
LG