Ndërlidhjet

ABRAMOVITZ:"KOHA E UNMIK-ut KA KALUAR"


Morton ABRAMOVITZ, anëtar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave


RADIO EVROPA E LIRË
Javën e kaluar në "Washington Post" keni shkruar se trazirat e fundit kanë dëshmuar dështimin e multietnicitetit në Kosovë. A mund ta shpjegoni këtë konstatim?

MORTON ABRAMOVITZ
Po përpiqesha të thosha se kemi një situatë shumë serioze dhe ndërtimi i një Kosove shumetnike është bërë tashmë shumë më i vështirë, pasi se do të jetë vështirë të gjenden shumë serbë që do të donin të ktheheshin në Kosovë. Sigurisht që unë ende besoj në një Kosovë shumetnike dhe duhet të vazhdojmë që disi të ecim përpara. Ajo që mendoj është se mundësia për realizimin e kësaj, është zvogëluar shumë. Por nëse do përpiqemi ta ruajmë atë, duhet të bëjmë disa gjëra shumë serioze. Përndryshe do të shkojmë drejt ndarjes. Unë kështu e shoh situatën aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhuna e javës së shkuar pos tjerash ishte flakareshë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-un. Disa analistë thonë se UNMIK-u duhet vënë nën një mbikëqyrje të kujdesshme?

MORTON ABRAMOVITZ
Unë e kam thënë këtë gjë për një kohë shumë të gjatë. Besoj se ka ardhur koha për misionin e Kombeve të Bashkuara që të fillojë të largohet. Ka bërë sigurisht gjëra të dobishme por, koha e tij ka kaluar. Ka ardhur momenti që Kosova të ketë një qeveri serioze. Është shumë e vështirë për qeverinë e Kosovës që ka shumë pak pushtet. Edhe vetë kosovarët kanë shumë faj në këtë mes, por është shumë e vështirë për qeverinë që ka shumë pak pushtet të bëjë diçka, apo të shndërrohet në një instrument efektiv. Ka ardhur koha që t'i jepet fund një administrate koloniale. Besoj se ajo që duhet të ndodhë vitin e ardhshëm është që UNMIK-u duhet ta lërgojë vetveten, dhe të bëhet një agjenci këshilluese, e cila monitoron progresin, ofron shërbime këshillimore që kërkojnë kosovarët, por të pushojë së qeverisuri Kosovën dhe t'ua kthejë atë njerëzve të Kosovës. Mendoj që kjo është një gjë thelbësore në mënyrë që të ecet përpara drejt zgjidhjes së çështjes kosovare. Pjesa tjetër e rëndësishme për të ecur përpara është që Perëndimi që të ketë një politikë të qartë se çfarë do të bëjë me Kosovën dhe me Serbinë, pasi refuzon të marrë në konsideratë këtë gjë. Ata përgjithësisht punojnë në stilin – le të dalë ku të dalë - duke shpresuar që diçka do të ndodhë, që në njëfarë mënyre do të zvogëlohen vështirësitë e marrjes së një vendimi jashtëzakonisht të vështirë. Deri sa ky problem të mbetet i pazgjidhur, Serbia do të jetë e paqëndrueshme, Kosova do të jetë e paqëndrueshme dhe Ballkani do të jetë i paqëndrueshëm. Për rrjedhojë, Perëndimi një ditë duhet të ketë një ide të qartë, në vend se të vazhdojë bartjen e problemit në të ardhmen. Duhet të kenë një nocion të qartë se ku duan të shkojnë. Në këto momente nuk e kanë të qartë dhe kjo gjë e acaron shumë gjendjen, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse sipas mendimit tuaj si Bashkimi Evropian ashtu edhe qeveritë amerikane, pra në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare kanë demonstruar të njëjtin pasivitet në lidhje me bërjen e një politike për Kosovën?

MORTON ABRAMOVITZ
Asnjëra nga administratat nuk ka një politikë për Kosovën që do të çonte në njëfarë zgjidhjeje. Kjo pjesërisht për shkak të konsideratës së tyre për Kombet e Bashkuara, për shkak të premtimeve dhënë Rusisë, pjesërisht për shkak se disa njerëz duan që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, e disa nuk duan që kjo të ndodhë. Pjesërisht kjo bazohet në faktin se ata shpresojnë që me kalimin e kohës gjërat mund të ndryshojnë dhe të ndihmojnë për zgjidhjen e problemit. Ata refuzuan të përballen me problemin. Ata mund të kishin filluar procesin, pas rrëzimit të Milosheviqit, por nuk e bënë këtë. Administrata e Klintonit nuk e bëri, administrata e Bushit nuk e bëri, dhe as Bashkimi Evropian sigurisht që nuk e bëri. Madje ata, përkatesisht Bashkimi Evropian bënë krejtësisht të kundërtën me ndihmën amerikane, duke u përpjekur të fokusohen në të kaluarën, duke e mbajtur Malin e Zi, i cili nuk donte vërtet të ishte me Serbinë, të bëhet pjesë e Unionit Serbi- Mali i Zi dhe tani me refuzimin e trajtimit të çështjes së Kosovës për shkak të shpresës apo frikës se në një farë mënyre reformistët mund të minoheshin në Serbi apo për çfarëdolloj arsyeje tjetër. Fakti është që ata vazhdojnë ta minojnë Serbinë dhe Kosovën me mungesën e një politike dhe njëkohësisht refuzojnë ta pranojnë këtë. Refuzojnë të pranojnë dështimin e një politike dhe të bëjnë diçka tjetër, por u kthehen atyre që i quaj argumente retorike, të cilat ngjajnë njëlloj me një burrë që është ulur dhe pi diçka në një klub ku ka shkëmbim zjarri dhe ai thjesht thotë - silluni më mirë. Besojnë sikur diçka do vijë nga parajsa dhe do ta zgjidhë situatën. Ata duhet të bëjnë më shumë se kaq. Ata duhet të kenë politika të vërtetë të qarta dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje. Sa më shumë që kjo të zvarritet aq më keq do të bëhet. Kjo është dhe arsyeja pse them që ndarja është bërë tani më e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju mbështetni ndarjen e Kosovës?

MORTON ABRAMOVITZ
Nuk është pozicioni që unë dua. Nuk jam përkrahës i ndarjes. Jam kundër kësaj. Thjesht po parashikoj dhe po them ja se ku çon kjo situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë shenjë në Shtetet e Bashkuara që qeveria do të përshpejtojë bërjen e politikës për Kosovën?

MORTON ABRAMOVITZ
Do doja të thosha se po. E di që ka njëfarë paqartësie brenda qeverisë së SHBA-ve, por besoj se në fund evropianët do t'ia vënë kapakun kësaj dhe nuk jam i bindur se do ta bëjnë atë që duhet.

XS
SM
MD
LG