Ndërlidhjet

T. JUDAH: " ZILJA E ALARMIT PËR POLITIKANËT SHQIPTARË DHE SERBË"


Tim JUDAH analist britanik

RADIO EVROPA E LIRË
Ç' pasoja do të kenë zhvillimet e fundit në të ardhmen e Kosovës?

TIM JUDAH
Unë u përkas atyre optimistëve dhe them se kjo është një zile alarmi për politikanët serbë dhe politikanët shqiptarë, për të vepruar në mënyrë që të bëhet e mundur që radikalët të mos marrin situatën në kontroll për ta keqësuar më tej. Gjithashtu kjo do të shërbejë edhe për ndërkombëtarët që të fillojnë të mendojnë seriozisht për të ardhmen e Kosovës. Kështu që në këtë çështje varet nëse je optimist apo pesimist.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është zgjidhja për situatën aktuale?

TIM JUDAH
Unë nuk mendoj që momentalisht duhet të fillojnë negociatat formale për çështjen e statusit, por mendoj se duhen konsideruar seriozisht opcionet që egzistojnë. Mendoj se pavarësia është pjesë e zgjidhjes dhe nuk mendoj se kjo gjë është në dyshim. Por çështja ëshë se çfarë lloj pavarësie, si do të jetë organizimi i brendshëm në Kosovë, ç'mbrojtje do të ketë për minoritetet. Këto gjëra nuk ka dyshim se duhen shqyrtuar dhe konsideruar seriozisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë shqetësime të shprehura në Kosovë rreth menaxhimit të administratës ndërkombëtare. Cilat mendoni se janë mësime që duhen nxjerrë nga kjo situatë?

TIM JUDAH
Është e qartë se ka një problem këtu. UNMIK-u për shembull përpiqet t'i fajësojë liderët shqiptarë për çdo gjë. Unë besoj se liderët shqiptarë duhet dhe kanë një pjesë të fajit, por nga ana tjetër njerëz si zoti Rexhepi reaguan dhe u përpoqën që të qetësojnë gjendjen. Por siç e tha qartë dhe me të drejtë ai nuk e kontrollon çështjen e sigurisë në Kosovë. Dhe një nga problemet aktuale në Kosovë është çështja e sigurisë. Kështu që duhet të ketë një rishqyrtim serioz se ku realisht qëndron pushteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Përsa i përket çështjes së minoritetit serb në Kosovë, nuk mendoni se ka ardhur koha e ndryshimit të mentalitetit të tyre që e konsiderojnë Beogradin kryeqytet në vend të Prishtinës?

TIM JUDAH
Mendoj se rasti është i qartë. Ata nuk besojnë se kryeqyteti i tyre është Prishtina dhe nuk duan të jenë pjesë e një shteti ku shumica janë shqiptarët. Është e mundshme që ata të jenë, mbase e gjithë kjo nuk është kaq e pazakonshme. Unë nuk jam i sigurt se sa kroatë në Hercegovinë e mendojnë Sarajevën si kryeqytetin e tyre, apo e njëjta gjë me serbët në Republika Srbska. Por kjo nuk do të thotë se Bosnja Hercegovina është një shtet.

Intervistoi Alma Çupi

XS
SM
MD
LG