Ndërlidhjet

logo-print

THYRJA E MURIT TË HESHTJES


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Aktivitetet e shumta politike diplomatike dhe të sigurisë që po zhvillohen në Kosovë për t'u gjetur shkaqet dhe fajtorët e protestave të dhunshme që përmbysën Kosovën më 17 dhe 18 mars të këtij viti ndër të tjera kanë për qëllim që të thyejnë atë që quhet mur i heshtjes së banorëve. Thirrjet për të bashkëpunuar me organet e pushtetit në këtë drejtim janë të parreshtura. Kërkesa që të thyhet muri i heshtjes i qytetarëve dhe i politikanëve që drejtojnë partitë në Kosovë, afirmuan edhe Solana Paten dhe Shefer gjatë vizitave që i bënë këto ditë Kosovës. E vërteta është se në Kosovën e pasluftës është trashur një mur i heshtjes i cili nuk le të vendoset komunikim ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë, në rastet e krimeve që ndodhin në vend. Jo rrallë janë raportuar raste kur edhe dëshmitarët okularë nuk kanë dashur të dëshmojnë për krimet që kanë parë me sytë e tyre. Kjo e ka pamundësuar ndriçimin e atyre rasteve. Mirëpo ende duket se nuk janë hulumtuar shkaqet e këtij muri të heshtjes dhe aq më pak mundësitë e eleminimit të tij. Njëri nga shkaqet e kësaj heshtjeje padyshim buron nga trauma e gjatë që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës nga dhuna sistematike e sistemit të Millosheviçit. Shumë prej tyre parapëlqejnë që të mos flasin, në përpjekje për t'i harruar vuajtjet e kaluara dhe për të mos u ballafaquar me strese të reja. Shkaku tjetër ka të bëjë me mosefikasitetin e institucioneve të zbulimit të krimeve dhe në vënien e kriminelëve para drejtësisë. Kjo gjë e ka zbuluar respektin e qytetarëve karshi institucioneve dhe ka shtuar frikën e tyre e cila rezulton me heshtje. Dhe në këtë mënyrë dobësitë në luftimin e krimit dalin të ndërlidhura si në një rebus. Mosefikasiteti i institucioneve ndodh për shkak të heshtjes së qytetarëve, ndërsa heshtja e qytetarëve vjen edhe si pasojë e frikës që zmadhohet për shkak të joefikasitetit të pushtetit. Në një situatë më normale, analizat mund të jenë të sofistikuara, por në situatën e pasojave shkatërrimtare që lanë pas trazirat e dhunshme, edhe vlerësimet po shqiptohen shumë më të ashpra. Një shtegdalje e mundshme është reflektim i plotë i politikanëve, të cilët për këto katër vjet të ndërtimit të institucioneve, kanë manifestuar disa prirje që kanë ndikuar që ata ta humbin kontaktin me interesat dhe me interesimet e qytetarëve. Ky reflektim i tyre mund të ishte në formën e përgjegjësive konkrete si institucion i dorëheqjeve. Mirëpo mund të jetë edhe si korrigjim i sjelljeve korruptive nepotiste e shpërdoruesve që qëndron në themel të humbjes të besimit të qytetarëve. Në këtë mes është koha e fundit që të dëgjohet edhe zëri i intelektualëve. Nuk është intelektualisht e moralshme që në rastet si trazirat e 17 dhe 18 marsit të këtij viti, kur u dogjën faltoret serbe, të mos ketë reagime nga akademikët, nga shkrimtarët, nga profesorët, dhe nga udhëheqësit fetarë. Në fund të fundit, secili qytetar mund të thyejë murin e heshtjes me një gjykim të drejtë. Vetëm duhet të gjykojë sipas aksiomës njerëzore: ajo që është keq të më ndodhë mua, është keq t'i ndodhë secilit njeri, pavarësisht nga përkatësia nacionale dhe fetare. Dhe secili njeri duhet të bëjë diçka, që e keqja të mos i ndodhë askujt. Kjo aksiomë morale do ta thyente dhe murin e heshtjes, i cili po i krijon alibi të keqes, e cila po rrezikon të ardhmen e të gjithëve.

XS
SM
MD
LG