Ndërlidhjet

ANNAN PREZANTON PLANIN E FUNDIT PËR RIBASHKIMIN E QIPROS


Plani i ri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan paraqet një version të ri-përpunuar të atij që më herët palët greke dhe turke të Qipros e kishin kundërshtuar. Është thënë se palët e interesuara nga Qiproja dhe zyrtarë nga Greqia dhe Turqia, kanë të drejtë që deri të mërkurën të kapërcejnë dallimet eventuale që mund t'i kenë rreth dokumentit.
Me këtë plan parashihet mbajtja e referendumeve në të dy bashkësitë e Qipros më datë 20 të muajit të ardhshëm.
Ky është versioni i katërt i dokumentit për ribashkim, që për të parën herë ishte paraqitur nga Kombet e Bashkuara në nëntor të vitit 2002. Plani i tretë, me të cilin parashihej një shtet me një konfederatë të butë, nuk u miratua nga palët.
Demetrios Kristofas, kryetar i Kuvendit të grekëve të Qipros, tha dje në Burgenstok të Zvicrës se plani do të paraqitet për votim në të dy komunitetet, pavarësisht nëse do të arrihet apo jo konsensus në Zvicër.
"Të dy liderët janë të përkushtuar që të vendosin për t'i ndarë referendumet simultane. Ky është përkushtimi...asgjë më tepër" – tha Kristofas.
Serdar Denktash, Ministër i Jashtëm i pjesës turke të Qipros, thotë se negociatat janë në atë pikë, që, siç u shpreh ai, "nuk janë bazë për optimizëm".
"Çfarëdoqoftë që shkruan në plan është praktikisht e zbatueshme. Pasi të dy palët, ajo turke dhe ajo greke e Qipros, kaluan nëpër ditë me agoni, besoj se të dy palët nuk dëshirojnë të kalojnë nëpër të njëjtën gjë përsëri" – tha Serdar Denktash.
Zyrtarët thonë se ata presin vetëm ndërrime shumë të vogla në dokument, gjatë tre ditëve të ardhshme të bisedave. Nëse, ndonjëra prej të dy komuniteteve eventualisht voton kundër planit më 20 prill, atëherë vetëm pjesa greke e Qipros, që është e njohur ndërkombëtarisht, do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Qiproja u nda në vitin 1974, kur trupat e Turqisë, pushtuan pjesën veriore të ishullit në përgjigje ndaj grushtit të shtetit të grekëve qipriotë, që ishte i mbështetur nga Athina dhe që synonte bashkimin e Qipros me Greqinë. Republika turke e Qipros është e njohur vetëm ngaTurqia, e cila i ka 30 mijë ushtarë në pjesën veriore të Qipros.
XS
SM
MD
LG