Ndërlidhjet

HASANI: RUHET FORMATI I PROCESIT POLITIK


Enver HASANI, ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, si i vlerësoni ju mesazhet e djeshme të nënsekretarit amerikan të Shtetit Marc Grossman, të bëra pas takimeve me liderët vendorë dhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë?

ENVER HASANI
Unë mendoj se mesazhet e zotit Grossman janë mesazhe të një vendi mik të Kosovës i cili ka ardhur këtu për të shprehur shqetësimet e tij rreth ngjarjeve të fundit, dhe mendoj se qëllimi kryesor i kësaj vizite ka qenë në vija të përgjithshme që të ruhet formati i këtij procesi politik që të mos lejohet që procesi politik të degjenerojë. Ngjashëm fare e pamë më 17 e 18 mars. Besoj se zoti Grossman ka përcjellë dhe shqetësimin e qëndrave të tjera kryesore të vendim marrjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Grossman këtu solli porosi edhe në lidhje me vazhdimin e procesit të standardeve pas shumë konfuzioneve që u arritën pas trazirave të fundit.

ENVER HASANI
Po shikoni mendoj se puna e standardeve është keqkuptuar. Përkatësisht do të thoja se nuk është kuptuar dhe nuk kuptohet seriozisht. Rrjedhimisht mendoj se këtu duket se ka patur nga një pjesë të lidershipit institucional dhe politik, llogari të gabuara me bindjen se mund të tejkalohen standardet vetëm me një retorikë disa javore, disa mujore gjithshka do të mbyllet me aq. Nuk është kuptuar se çështja e standardeve është një çështje e implementimit të një sistemi të vlerave që për Kosovën është i lartë, mjaft i lartë do thoja për momentin dhe çështje e riorientimit të këtij vendi sipas atij sistemi të vlerave që unë do ta quaja sistemin liberal perëndimor, pa marrë parasysh që një pjesë mjaft e madhe e tyre ka qasje politike, sado që bëhet fjalë për sistem liberal vlerash siç është kthimi i të zhvendosurve, refugjatëve dhe kështu me rradhë, por që është bërë në një mënyrë pak më të politizuar, sesa që duhet dhe unë këtu e kam patur dhe e kam vërejtjen time dhe besoj se ajo mënyrë, ajo qasje mundet më vonë të jetë një ndër shkaktarët e intensiteteve të dhunës. Jo shkaktar i dhunës, por i intensitetit të caktuar siç e pamë më 17 dhe 18 marsin e dhunës në Kosovë. Mendoj se është dashur që çështja e rikthimit të serbëve dhe gjithë të tjerëve që janë zhvendosur, t'i qaset nga një kënd më civilizues, këndi i të drejtave të njeriut, i vlerave pak më natyrore, më liberale.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas standardeve të cilat Grossman porositi se duhen vazhduar, pas trazirave të fundit po flitet shumë edhe rreth decentralizimit. Cilat kanë qenë refleksionet e këtyre trazirave që kanë ndikuar që decentralizimi të kthehet sërisht në agjendën e bisedimeve?

ENVER HASANI
Tani mendoj se trazirat e fundit i kanë dhënë një pretekst mjaft të fortë palës serbe, për të insistuar deri në fund me çështjen e kantonizimit, përkatësisht decentralizimit. Gabimi ka qenë dhe është se këtu synohet që vetëm përmes ndarjeve të prodhohet siguri. Në rastin konkret përmes enklavave, dhe mendoj se kjo është gabim sepse tani synohet të riprodhohet Kosova në miniaturë, përmes krijimit të enklavave, të mini-Kosovave, brenda territorit të Kosovës. Mendoj se mund të prodhohet siguri për momentin por në një afat më të gjatë mendoj se problemi është ridefinimi i identitetit të kosovarëve si tërësi, një projekti më shumë socio-kulturor dhe politik sesa vetëm përmes intervenimeve kirurgjike fizike.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë e dallon sipas jush konceptin e tanishëm të decentralizimit me atë që propozon kryeministri serb Vojisllav Koshtunica për kantonizimin e Kosovës?

ENVER HASANI
Tani unë do të thoja që dallon vetëm formati, përkatësisht këndi i qasjes së problemit, ndërkohë që mendoj se qëllimi mbetet i njëjtë: krijimi i sigurisë për serbët nëpër enklavat brenda territorit të Kosovës. Ky është qëllimi dhe prandaj kantonizimi, përkatësisht decentralizimi bazohet në vija etnike. Fillimisht është përpjekur të fshihet ky fakt në projektin mbi decentralizimin, dhe kjo është kundër me trendin evropian dhe me dokumentet evropiane që ne i quajmë konventa e Romës për rajonalizimin dhe vetëadministrimin lokal të 1982.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Rexhepi tha këto ditë se pa një zgjidhje politike për Kosovën, zgjidhjet ushtarake nuk do të qetësojnë gjendjen e krijuar për një kohë të gjatë. A mendoni ju se është momenti që krahas standardeve të fillojë dhe procesi i definimit të statusit të Kosovës?

ENVER HASANI
Unë mendoj se liderët e Kosovës herët a vonë do të ndeshem me një çështje thelbësore: çfarë është funksioni i standardeve. Është funksioni i standardeve ristrukturimi i tërësishëm i shoqërisë kosovare pa marrë parasysh statusin e saj të sotshëm apo të nesërm? Apo funksioni i implementimit, jetësimit të standardeve ka për funksion riintegrimin e Kosovës nën një organizim politik që nuk nënkupton pavarësinë e saj? Mendoj se nga përgjigja për këtë çështje, përgjigja e kësaj pyetje del dhe përgjigja për pyetjen që ju parashtruat. Prandaj mendoj se liderët e Kosovës duhet të jenë shumë më transparentë për të mirën e tyre dhe të këtij vendi, ndaj çështjeve siç janë standardet dhe statusi final, raporti i standardeve me statusin final të Kosovës. Mendoj se kjo është një çështje shumë jetike që në afat më të gjatë prodhon siguri dhe është më mirë për Kosovën dhe për vetë karrierat politike të politikanëve të saj.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG