Ndërlidhjet

logo-print

PUBLIKOHET PLANI PËR ZBATIMIN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i administratës së UNMIK-ut, Harri Holkeri dhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, kanë shpallur sot Planin për Zbatimin e Standardeve për Kosovën, duke shprehur njëkohësisht keqardhje që shpallja e tij po bëhet në një situatë tejet të vështirë, pas trazirave të 17 dhe 18 marsit. Këto trazira, u tha se kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë plan, pasi standardi i cili flet për kthimin e të zhvendosurve si dhe ai për lirinë e lëvizjes, do të rishikohen dhe korrigjohen. Në këtë korrigjim u tha se do të përfshihet dhe rindërtimi i objekteve të shkatërruara dhe masat e tjera për përmirësimin e lirisë së lëvizjes. Holkeri, tha me këtë rast se Kosova është ende larg kthimit të gjendjes në normalitet pas trazirave të para dy javëve. Mirëpo, sipas tij, kur flitet për standardet, UNMIK-u dhe qeveria do të punojnë së bashku dhe i ofroi, siç tha ai partneritet të plotë kryeministrit Rexhepi për përmbushjen e tyre:
“Ky plan është i ngjashëm me programin e qeverisë ku përcaktohen qëllimet që duhen përmbushur në të tetë standardet, të cilat i kanë të përcaktuara dhe afatizimet”, tha Holkeri.
Në anën tjetër, kryeministri Bajram Rexhepi, kërkoi që partneriteti ndërmjet qeverisë së tij dhe UNMIK-ut duhet të zhvillohet edhe më tej, në mënyrë që Kosova të mund t’i plotësojë këto standarde sipas afatit të parashikuar:
“Përmbushje nuk mund të ketë pa një bashkëpunim të mirëfilltë, të mbështetur në parim të barazisë ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore. Qeveria është e përkushtuar që t’i përmbushë këto standarde, në mënyrë që në mesin e vitit 2005 të bëhet vlerësimi për përparimin e bërë të institucioneve vendore dhe të UNMIK-ut në përmbushjen e standardeve, në atë mënyrë që edhe të hyjmë në procesin e definimit të statusit final të Kosovës”, tha Rexhepi.
Kryeministri Rexhepi tha po ashtu, se vlerësimi i këtyre standardeve do të bëhet çdo 6 javë, nga Shtetet e Bashkuara, Grupi i Kontaktit, Bashkimi Evropian si dhe UNMIK-u e qeveria e Kosovës. Ai shprehu keqardhje për faktin se serbët e Kosovës nuk po marrin pjesë në procesin e standardeve, ngase 50 përqind e tyre, sipas kryeministrit, bëjnë fjalë pikërisht për përmirësimin e gjendjes dhe kushteve të komuniteteve, sidomos atij serb. Ndërkohë që Holkeri, tha se serbët janë të mirëseardhur që të kyçen në këtë proces, pasi pa pjesëmarrje, shtoi ai, ata nuk do të mund të ndikojnë në rrjedhën e tyre. Menjëherë pas shpalljes së këtij plani, shefin e UNMIK-ut, e kanë vizituar dhe pesë diplomatët e vendeve perëndimore në Prishtinë. Pas këtij takimi, Petter Ronhorf, shef i zyrës gjermane në Prishtinë, tha se ndryshimet në këtë plan, të bëra pas trazirave në Kosovë kanë qenë të domosdoshme, ndërkohë që në mesin e prioriteteve që tani pritet të caktohen, ai është koncentruar dhe në nevojën e fillimit të procesit të decentralizimit të pushtetit:
"Decentralizimi dhe standardet nuk janë në kundërshtim me njëri tjetrin, pasi decentralizimi është pjesë e standardeve”, tha Rondhorf, duke shtuar se përmes decentralizimit nuk do të realizohet plani për kantonizimin e Kosovës.
Ndërkohë, një vlerësim të përgjithshëm të planit, e kanë bërë dhe koordinatorët për procesin e standardeve, Karne Ross nga UNMIK-u dhe Ilir Deda nga qeveria vendore. Sipas tyre, tani do të fillojë dhe procesi i caktimit të prioriteteve se cilat standarde do të përmbushen deri në vitin 2005, ku përmenden zbatimi i ligjit, shoqëria shumë etnike, reforma në pushtetin lokal, institucionet funksionale dhe liria e lëvizjes. Standardet e tjera, sipas tyre, do të vazhdojnë të përmbushen edhe pas qershorit të vitit 2005, pavarësisht faktit nëse atëherë do të hapet çështja e definimit të statusit të Kosovës apo jo.


XS
SM
MD
LG