Ndërlidhjet

HITCHNER:"PAVARËSIA - OPCIONI I VETËM PËR KOSOVËN"


Bruce HITCHNER, analist amerikan nga Universiteti i Bostonit


RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni çështjen e zbatimit të rezolutës 12-44 të OKB-së për Kosovën në periudhën pas vitit 1999?

B. HITCHNER
Rezoluta e OKB-së synonte një zgjidhje politike, si hap paraprijës për statusin e Kosovës. Në fakt për 5 vitet e fundit OKB ka shtyrë zgjidhjen e statusit dhe ka synuar krijimin e mekanizmave që do të mundësonin procesin politik para përcaktimit të statusit. Por në fakt mekanizma të tilla, siç janë edhe standardet para statusit vetëm se kanë ndihmuar shtyrjen e zgjidhjes përfundimtare të problemit. Dhe mendoj se ky ka qenë një problem që nga fillimi i vendosjes së këtyre standardeve.
Çdokush që i ka lexuar me kujdes e ka kuptuar se ka qenë thuajse e pamundur për udhëheqësit politikë të Kosovës, që të përmbushin këto standarde në kushtet aktuale, qoftë edhe për 10 vjet. Dhe kjo për ne si vëzhgues është një fakt që bën përshtypje, për më tepër kur dihet se plotësimi i standardeve para statusit është vënë si kusht për të ecur përpara në çështjen e statusit. Bashkësia ndërkombëtare i njohu Bosnjës pavarësinë, pa kërkuar përmbushjen e ndonjë standardi dhe vetëm pas marrjes së pavarësisë Bosnja nisi përmbushjen e standardeve bazë, të ngjashme me ato që kërkohen nga Kosova. Dhe ky proces po funksionon. Nëse në Bosnjë vepruam kështu, atëherë bën përshtypje fakti që kërkuam përmbushjen e standardeve përpara statusit për Kosovën. Me duket se këtu qëndron problemi në rastin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju nuk duket të jeni i inkurajuar nga mënyra se si është zhvilluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe a ka shënuar ndonjë përparim ky dialog?

B. HITCHNER
Ne nuk kemi menduar se dialogu i nisur ishte vendi i përshtatshëm për të diskutuar çështjen e statusit të Kosovës. Ne besojmë se diskutimi i kësaj çështje do bëhet në praninë e bashkësisë ndërkombëtare. Nuk mund të ketë dialog nëse do të mund të parifrazonim në këtë mënyrë, dialog mes një territori dhe një shteti të pavarur, për pavarësinë e këtij territori, pasi thjesht nuk ka kuptim. Ndaj për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të diskutojë bashkësia ndërkombëtare e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, ndoshta edhe me miratimin e Kombeve të Bashkuara. Por, kjo duhet të zgjidhet nga SHBA-të dhe BE dhe nuk duhet të pengohet nga diskutimet e pafund në OKB. Më bën përshtypje se që nga fillimi këto bisedime ishin përcaktuar të dështonin, pasi i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk ka ndonjë pushtet, që të mund të fillojë dialogun për zgjidhjen e statusit përfundimtar. Është gjithashtu për të nënvizuar se për çudi gjithë ky proces nuk ishte aq shumë në duar të bashkësisë ndërkombëtare. Njëherësh ky dialog dukej se nuk të çonte askund dhe nuk dukej ndonjë mundësi se këto bisedime do të çonin në ndonjë zgjidhje konkrete dhe përfundimtare për çfarëdo çështje. Për mendimin tim në kontekstin aktual ato vetëm se do të justifikonin shtyrjen e mëtejshme të problemeve. Besoj se këtë e kuptuan të gjithë. Së fundi, e kuptojmë se bisedimet ishin për çështje dytësore, të parëndësishme dhe të tilla që do të mund të përfshiheshin si pjesë e marrëveshjeve të statusit përfundimtar, por jo si të tilla që të meritonin marrëveshje të veçanta.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Hitchner, ju gjithashtu nënvizoni se ka pasur taktika të shtyrjes dhe vonesave nga ana e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Cila është logjika që qëndron pas hapave të tilla, ndonëse ju i jeni referuar dhe faktit se lidhet me drojën nga përdorimi i vetos për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit nga ana e Rusisë dhe Kinës....

B. HITCHNER
Për mua duket, se gjatë viteve ka pasur kundërshtime të shumta në mesin e aleatëve tanë evropianë lidhur me diskutimet për pavarësinë e Kosovës, pasi ata i tremben se do të shkaktojnë dëshpërim dhe probleme në gjendjen në Serbi. Por, kështu duket se asnjëherë nuk do të gjendet koha e përshtatshme për të filluar bisedimet me Serbinë. Dhe është fakt se ato duhen filluar sa më shpejt që të jetë e mundur. Njëherësh ka dhe shumë të tjerë që në heshtje kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës për arsye që duken plotësisht të paqarta për ne. Jam i sigurt se pavarësia e Kosovës nuk do të ketë pasoja të tilla që mund të cilësohen si domino – efekt në Ballkan. Dhe pyetja që shtrohet është cilat janë opcionet e tjera të mundshme - përgjigja është se nuk ka asnjë mundësi të kthimit të Kosovës nën pushtetin e Beogradit. Nga ana tjetër ndarja do të dëmtojë, varfërojë dhe dobësojë së tepërmi të dyja palët, si shqiptarët dhe serbët në Kosovë, në mënyrë të tillë që do të jetë e pariparueshme. Le të shohim rastin e Shri Lankës për shembull, ku rreziku i luftës civile shkaktuar nga ndarja është i përhershëm. Të njëjtën gjë kemi dhe në rastin e Qipros. Asnjë nga palët nuk është e fituar si në rastin e ndarjes apo kthimin nën Serbinë.
Opcioni i vetëm që duket i saktë është pavarësia, ku shqiptarët dhe serbët të punojnë së bashku në mënyrë që të krijojnë një vizion të përbashkët shtetëror për Kosovën. Kur them vizion të përbashkët shtetëror nuk kam parasysh atë etnik. Ky është thelbi i problemit dhe këtu mund të flasim se në rajon nuk është bërë sa duhet për të krijuar një vizion të përbashkët shtetëror, që tejkalon konceptin e identitetit kombëtar. Dhe derisa bashkësia ndërkombëtare të mos përqëndrohet në zgjidhjen e këtij problemi ata do kenë probleme të vazhdueshme ku do nevojiten misionet paqeruajtëse për të krijuar stabilitetin e nevojshëm në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa herë pavarësia e Kosovës është lidhur me idenë e një kompensimi territorial për Serbinë. Kjo ide duket se mbështetet në disa qarqe ndërkombëtare. A mendoni se ky është një opcion i vlefshëm për të ardhmen?

B. HITCHNER
Çfarë do të thotë realisht koncepti i kompensimit? Serbia ka shumë nevojë që të mund të kontrollojë dhe të punojë brenda territorit aktual që ka. Ideja që Serbia ka nevojë për të zgjeruar territorin në mënyrë që të forcojë qëndrueshmërinë e vendit, të ecë përpara në reforma e të tjera si këto, duket një llogjikë shumë shqetësuese. Serbia nuk ka nevojë për kompensim, por duhet të përqëndrohet në reformat brenda vendit. Ne mendojmë se Serbia do të jetë në një pozitë shumë më të favorshme nëse duhet të përqëndrohet vetëm në reformat për një shoqëri dhe institucione demokratike brenda vetë Serbisë. Lidhja me Bosnjën, nisur nga ky koncept i kompensimit, më duket shkatërrues dhe i shërben vetëm krijimit të problemeve. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojë dezintegrimin e Bosnjë-Hercegovinës. Dhe ashtu si në Dejton ku nuk u morrëm me çështjen e Kosovës, edhe tani kur të diskutohet Kosova, askush nuk do të përfshijë aty ndonjë diskutim për Bosnjën. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet ta tejkalojë këtë fazë të debatit, ku zgjidhja e problemit të Kosovës do të ndikojë në pjesë të tjera të rajonit. Ajo me çfarë kemi të bëjmë këtu, sipas meje është shumë e thjeshtë: ne ende po merremi me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kur Kosova dhe Mali i Zi të kenë fituar pavarësinë, ashtu si vendet e tjera në rajon, atëherë procesi i shpërbërjes do të ketë marrë fund. Vetëm atëherë do të jetë e mundur të ndërtojmë një Evropë Juglindore që do të punojë së bashku me NATO-n dhe BE-në. Vetëm atëherë do të mund të flasim për një bashkëpunim rajonal. Por, derisa ky proces nuk ka marrë fund nuk do të mund të kemi hapa pozitive. Sa i përket deklaratave se ky proces do përfshijë edhe Vojvodinën, apo serbët e Hungarisë, besoj se nuk ka kuptim, pasi nuk mund të bëjmë paralele historike në këtë rast dhe se nuk ka shenja shkëputje që mbështesin këtë ide. Për më tepër që kundërshtohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Sërish do përsëris faktin se ajo që ne kemi në rastin e Kosovës është thjesht përfundimi i procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
XS
SM
MD
LG