Ndërlidhjet

GOLDSTONE:"ZGJIDHJA E STATUSIT - PAQËSON KOSOVËN"


Richard GOLDSTONE, Kryetar i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën


RADIO EVROPA E LIRË
Kosova u ballafaqua me trazira. Ku janë sipas jush shkaqet e krizës dhe shpërthimit të fundit të dhunës në Kosovë?

RICHARD GOLDSTONE
Unë me vite të tëra kam bërë thirrje për një vendim përfundimtar lidhur me statusin e Kosovës, që në kohën kur Komisioni nxori raportin e parë mbi Kosovën. T'ua lësh atë viteve, është një recetë për dhunë të mëtejshme dhe për fat të keq rekomandimet që ne bëmë nuk u morën seriozisht. Dhe dhuna që tani ka shpërthyer ishte e parashikueshme, duke pasur parasysh atë që kemi thënë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë ndërkombëtarë, por edhe liderë të Kosovës thonë se një nga shkaqet e shpërthimit të dhunës ishte status-quoja politike në Kosovë. Çfarë mendoni ju?

RICHARD GOLDSTONE
Pikërisht kjo është ajo që po them. Njerëzit duan të dinë statusin final. Popullsia shqiptare e Kosovës ka qenë viktimë reale e pastrimit etnik nëse duam ta përmendim kuptimin e plotë të kësaj fjale. Aksionet e NATO-s i ndihmuan të ktheheshin. Ata për fat të keq u hakmorën dhe u kthyen në farat e një dhunë të mëtejshme. Nuk besoj se faktori dhunë mund të hiqet nga Kosova pa ndonjë status final të arsyeshëm, i cili do ishte i pranueshëm për të gjithë në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush cili do të jetë ky status final?

RICHARD GOLDSTONE
Statusi final për mua është pavarësia për Kosovën por, siç thuhet në raportin e komisionit për Kosovën, komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurohet që një Kosovë e pavarur do të respektonte të drejtat themelore dhe liritë e njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë .

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se bashkësia ndërkombëtare në një të ardhme të afërt do të jetë e gatshme të ballafaqohet me hapjen e çështjes më delikate siç është ajo e statusit?

RICHARD GOLDSTONE
Problemi qëndron në kontradiktën themelore të rezolutës të Këshillit të Sigurimit, që nga njëra anë njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe nga ana tjetër ngre një administratë krejtesisht të ndarë dhe autonome të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe kjo kontradiktë duhet të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se pas zhvillimeve të fundit nuk duhet përjashtuar mundësia e ndarjes së Kosovës, disa të tjerë e kundërshtojnë atë si precedent të rrezikshëm për zhvillimet e mëtejme në Ballkan. Çfarë mendoni ju?

RICHARD GOLDSTONE
Nuk pajtohem. Mendoj se pozita në Kosovë është krejt e ndryshme nga pjesët e tjera. Ajo që i ndodhi popullatës shqiptare të Kosovës është diçka që e bën Kosovën të ndryshme. Por, në fund duhet të përballemi me secilin problem më vete dhe jo të kihet frikë nga një efekt domino, që mund ose s'mund të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të thotë kjo se jeni në favor të ndarjes?

RICHARD GOLDSTONE
Të ndarjes brenda përbrenda Kosovës ? Jo absolutisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet e ardhshme në Kosovë dhe të ardhmen e saj në përgjithësi?

RICHARD GOLDSTONE
Kam qenë në Kosovë, kam folur me shumë njerëz dhe kam njohur disa prej tyre. Do isha optimist, nëse komuniteti ndërkombëtar në të ardhmen e afërt jetëson një vendim përfundimtar për të ardhmen e Kosovës, por nuk jam shumë optimist që kjo mund të ndodhë. Më duket se liderët politikë të përfshirë thjesht janë duke e injoruar problemin dhe nëse nuk do ketë një ndryshim themelor në këtë qëndrim do të vazhdojmë të kemi këto probleme.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG