Ndërlidhjet

logo-print

AEROPORTI I PRISHTINËS KALON NË ADMINISTRIMIN CIVIL


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në shenjë të kalimit të kompetencave të administrimit të aeroportit të Prishtinës, nga administrimi ushtarak tek ai civil, komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, Holger Kamerhof sot ia ka dorëzuar çelësat e aeroportit të Prishtinës, shefit të Administratës Ndërkombëtare, Harri Holkeri.
Me këtë rast, komandanti i KFOR-it, Kamerhof ka thënë se megjithë dhunën dhe prishjen e rendit e cila ndodhi dy javë më parë, në Kosovë është arritur që të kthehet rregulli dhe ligji. Ai ka bërë thirrje për punë të përbashkët për të siguruar, siç tha ai, një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Pjesë e strategjisë ndërkombëtare për të arritur këtë proces, është që t’i dorëzohen autoriteteve lokale pajisjet publike dhe hapi i parë në këtë process është që KFOR-i t’ja dorëzojë UNMIK-ut administrimin dhe kontrollin e aeroportit të Prishtinës”, tha komandanti i KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e aeroportit të Prishtinës si për fluturimet civile, po ashtu edhe ato ushtarake.
Shefi i Administratës Ndërkombëtare në Kosovë, Harri Holkeri ka theksuar se dorëzimi i kontrollit mbi aeroportin e Prishtinës nga KFOR-i tek UNMIK-u, është shenjë pozitive dhe se shumë njerëz kanë kontribuar me energjinë dhe përvojën e tyre për të arritur deri te kjo fazë. Ai me këtë rast ka thënë se plani për standardet i cili është publikuar, reflekton vlera evropiane dhe synon procesin politik, ekonomik dhe njerëzor të Kosovës.
“Ajo që është e vërtetë për Kosovën, është edhe për aeroportin e Prishtinës. Ne nuk duam të arrijmë standarde minimale por e dëshirojmë të arrijmë standarde maksimale të Evropës," tha zoti Holkeri duke premtuar se nuk do të mungojë angazhimi që pajisjet në aeroportin e Prishtinës të përmirësohen, në mënyrë që, siç tha ai, të bëhet aeroporti më i mirë në Evropën Juglindore.
Ndërkaq kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova ka thënë se me gjithë ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë 2 javë më parë, bartja e kompetencave mbi aeroportin e Prishtinës nga KFOR-i tek UNMIK-u, është shenjë se Kosova po ecën drejt përparimit. Ai ka theksuar se aeroporti i Prishtinës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, administrata ndërkombëtare e ka autorizuar Islandën që përkohësisht të menaxhojë aeroportin e Prishtinës dhe të ndihmojë që ky aeroport të licensohet nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, deri në fund të këtij viti. Ministri i Transportit, Turizmit dhe Telekomunuikacionit të Islandës Stule Bodëarson, tha:
“Sot po operohet me standardet dhe procedurat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe një numër i personelit kosovar janë trajnuar për të operuar me aeroportin në të ardhmen dhe kjo është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe personelit lokal”, ka thënë zoti Bodëarson.
Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të KFOR-it, në 5 vitet e fundit, në Aeroportin e Prishtinës janë kryer 25.000 fluturime ushtarake dhe civile.


XS
SM
MD
LG