Ndërlidhjet

ALARMI I ZGJIMIT NË KOSOVË


Patrick MOORE, analist i radios "Evropa e lirë"


Dhuna e fundit në Kosovë dëshmon se çfarë mund të ndodhë në një rajon ku konservohet status-quoja politike. Çelësi për prosperitet dhe paqe qëndron në qartësimin e statusit përfundimtar politik të Kosovës.
Me zgjedhjet presidenciale në Serbi, që mbahen më vonë në pranverë dhe me politikën serbe në gjendje fluksi, trazirat në Kosovë, shumë politikanëve në Serbi u krijuan mundësi që të angazhohen më shumë në retorikën nacionaliste, sesa të diskutojnë zgjidhjet për problemet shpërthyese sociale dhe ekonomike në Serbi.
Në Kosovë, shqiptarët e hidhëruar, të rinj e të papunë, luajtën një rol kyç për fillimin dhe përhapjen e dhunës, por nuk duket të ketë pasur ndonjë orientim ose organizim qendror. Fakti që trazirat u përhapën aq shpejt dhe gjerësisht, më shumë mund të ketë të bëjë me intensitetin e frustrimeve të rritura, veçanërisht në mesin e shumicës shqiptare prej më shumë se 90 për qind, sesa me ndonjë konspiracion të madh dhe të rrezikshëm.
Numër i madh teorish janë hedhur për të shpjeguar se çfarë ndodhi, posaçërisht për të përcaktuar fajësinë.
Një pjesë e mendimeve thotë se dhuna ishte një aksident që pritej të ndodhte, për shkak të gabimeve fundamentale nga bashkësia ndërkombëtare pas mposhtjes së forcave serbe në qershor të vitit 1999.
Sipas këtij argumenti, gabimi i parë ishte futja e Kosovës nën një protektorat të pafund ndërkombëtar më 1999, në vend se të shkohej paluhatshëm në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të statusit. Dështimi i zgjidhjes së statusit ka stërzgjatur dhe intensifikuar pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë që shpërtheu më 17 dhe 18 mars – dhe kjo mund të ndodh sërish në çdo kohë, përderisa çështja e statusit nuk do të jetë zgjidhur.
Ndodh kështu, për shkak se çështja e Kosovë shkon përtej marrëdhënieve ndëretnike. Në të vërtetë kemi të bëjmë me dy procese:
I pari është trendi mbarëbotëror pas vitit 1945 i dekolonizimit të bazuar në parimet e vetvendosjes dhe pushtetit të shumicës.
I dyti është shpërbërja e ish-Jugosllavisë që fillojë në fund të viteve '80, kur kryetari serb Slobodan Milosheviq i pari u përpoq të marrë kontrollin mbi shtetin dhe më pas deshi ta shkatërrojë atë, kur Sllovenia dhe Kroacia rrezikuan planet e tij filestare.
Kjo çon drejt shqyrtimit të gabimit të dytë, që daton nga qershori i vitit 1999, që do të thotë, dështimi për t'ia bërë krejt të qartë Beogradit se kishte humbur luftën dhe kishte humbur Kosovën. Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright ka shkruar në memoaret e saj se referenca që Kosova të mbetet pjesë e Jugosllavisë është futur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t'i mundësuar Beogradit që të mos i shkojë fytyra dhe për të kënaqur miqtë e tij në Moskë dhe në Paris. Sidoqoftë, nuk ishte bërë me qëllim që të ishte një përkushtim i obligueshëm ligjor, së paku jo nga Uashingtoni.
Fatkeqësisht, siç mund të jetë parashikuar, qeveritë e ndryshme serbe u kapën për këtë nen për të kërkuar rol të vazhdueshëm në Kosovë. Duke bërë kështu, ata i dhanë shpresa të rrejshme pakicës serbe në Kosovë se e ardhmja e tyre do të përcaktohej në Beograd, në vend të Prishtinës.
Për më tepër, ky nen u mundësoi shumë politikanëve serbë të gati të gjitha ngjyrave të pëdorin retorikë agresive rreth Kosovës, në kërkim të votave dhe njëkohësisht ky nen u ka ofruar politikanëve serbë një rrugë të thjeshtë dhe të mirëseardhur për t'iu shmangur përqendrimit në problemet reale të Serbisë: krimi, korrupsioni, varfëria dhe kolapsi i institucioneve themelore shoqërore dhe civile.
Përfundimisht, shumë nga bashkësia ndërkombëtare, përnjëherësh u përpoqën të trimërojnë Beogradin që të luajë rol në çështjet e Kosovës me qëllim të angazhimit të Serbisë dhe për të garantuar pakicën serbe në Kosovë.
Kjo përfshirje e vazhdueshme e Beogradit, bashkë me praninë e vazhdueshme të administratës së padëshirueshme të UNMIK-ut, i bëri shumë shqiptarë të Kosovës që të dyshojnë se bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht Bashkimi Evropian, planifikon t'ua mohojë pavarësinë dhe eventualisht t'i detyrojë të kthehen sërish në një shtet të përbashkët me Serbinë, gjë të cilën të gjitha partitë shqiptare e mohojnë kategorikisht.
Ky botëkuptim ishte pjesë e pështjellimit që shpërtheu më 17 mars. Reagimi fillestar i shumicës së bashkësisë ndërkombëtare potencialisht i keqësonte gjërat, duke sugjeruar që shqiptarët duhet të dënohen me vonesë të mëtejshme të statusit, madje edhe për kohë më të gjatë. Ata që mbrojtën këtë pikëpamje thoshin se dhuna nuk duhet të shpërblehet dhe se Kosova është larg nga "standardet" idealistike të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat e kanë vështirë t'i përmbushin edhe shumë vende të Bashkimit Evropian.
Disa vëzhgues të tjerë, përkundrazi, thanë se trazirat ishin një alarm për t'u përballur me çështjen e statusit, përpara se Kosova të shpërthejë sërish.
Disa përkrahës të kësaj pikëpamjeje në shtetet e Bashkuara tërhoqën vërejtjen se vetëm Uashingtoni mund të tregojë muskujt politikë dhe të tjerë për të sjellë një zgjidhje të nevojshme përfshirë pavarësinë e Kosovës me njëfarë autonomie për pakicën serbe. Shqiptarët u besojnë amerikanëve, po aq sa nuk i besojnë BE-së, ndaj disa në Uashington duhet të fillojnë të mendojnë se përse evropianët janë kaq të padurueshëm për t'i larguar amerikanët nga Ballkani. Për disa vëzhgues duket se mësimi nga trazirat e 17 dhe 18 marsit është se problemi duhet të zgjidhet përpara se të jetë vonë. Ata arsyetojnë se shtyrja e mëtjeshme e bisedimeve me bisedime dhe kapja pas standardeve shkakton, jo vetëm më shumë trazira në Kosovë, por edhe nxitje nacionaliste në Serbi dhe një destabilizim të mundshëm, së paku të Bosnjës dhe Maqedonisë. Në çdo zhvillim, deri sa çështja e statusit të jetë zgjidhur, duket se nuk do të ketë investime të rëndësishme në Kosovë, që do të thotë se nuk do të ketë vende pune për të rinjtë dhe të papunët e Kosovës.


XS
SM
MD
LG