Ndërlidhjet

logo-print

REXHEPI: SË SHPEJTI UNMIK-U I TRANSFERON QEVERISË KOMPETENCA NË EKONOMI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas qetësimit të gjendjes nga trazirat e para dy javëve, ridefinimi i pozicioneve ndërmjet administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe qeverisë vendore është një prej prioriteteve të politikës aktuale që po bisedohet ndërmjet shefit të UNMIK-ut Harri Holkeri dhe kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Kështu sot pas takimit të rregullt të tyre, kryeministri Rexhepi tha se pret që brenda dy javëve të ardhshme UNMIK-u të kalojë një pjesë të përgjegjësive nga fusha e ekonomisë tek qeveria e Kosovës. Rexhepi tha se krahas transferit të përgjegjësive, ai pret një komikimim më të mirë më UNMIK-un në të ardhmen dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve rreth këtyre çështjeve pasi të kthehet nga vizita që do të bëjë në Tokio, ku ai do të marrë pjesë në një konferencë njëditore për Ballkanin Perendimor.
Ndërkohë, edhe sot, në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Kosovë, John Sauers, nga drejtoria politike e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe dhe homologu i tij nga Gjermania, Mihael Schafer, premtuan vazhdimin e mbështetjes së qeverive të këtyre dy vendeve për Kosovën, duke dhënë njëkohësisht mesazhe që dhuna në Kosovë, sidomos ajo ndaj pakicave nuk guxon të përsëritet. Sauers, tha pas takimeve të ndara me Hashim Thaçin, kryetar i PDK-së dhe Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, se qetësimi i gjendjes dhe plotësimi sa më i shpejtë i standardeve është rruga që Kosova duhet ta zgjedhë, në mënyrë që ajo sa më shpejt të mund ta definojë statusin e saj:
“Zhvillimet e para dy javëve kanë qenë shokuese dhe zhgënjim, por gjithashtu ato kanë qenë një alarm për t’u zgjuar, që të gjithë së bashku ta ndërtojmë një Kosovë, të cilën populli i saj e dëshiron”, tha Sauers, duke shtuar se kjo nënkupton jo vetëm angazhimin e subjekteve kosovare, por edhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Kurse Mihael Schafer tha se qeveria gjermane po i përcjell me interesim zhvillimet në Kosovë dhe premtoi përkrahje për lidershipin kosovar, nëse ai do të angazhohet në drejtim të relaksimit të raporteve ndëretnike:
“Ju e keni përkrahjen tonë në përmbushjen e standardeve, kurse një element i rëndësishëm në këtë proces do të jetë rifillimi i kthimit të besimit tek komunitetet pakicë”, tha Schefer.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi, theksoi se konfirmimi i mbështetjes për Kosovën, nga qeveritë e këtyre dy vendeve paraqet një rëndësi të madhe për Kosovën dhe kërkoi që bashkëpunimi ndërmjet administratës së UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës të rritet, në funksion të përmbushjes së standardeve dhe definimit më të shpejtë të statusit të Kosovës:
“Kosova nuk do të jetë vetëm e popullatës shumicë, por e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Në këtë drejtim kemi përkrahjen e plotë për ndërtimin e Kosovës demokratike, nga komuniteti ndërkombëtar”, tha zoti Thaçi, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u angazhua për një dinamikë të proceseve në Kosovë duke u shprehur mirënjohje diplomatëve të këtyre dy vendeve për angazhiminin e tyre në këtë drejtim.
Sauers dhe Schefer, dje dhe sot kanë takuar ndaras dhe kryetarin e Kosovës, njëkohësisht dhe i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi, disa nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, si dhe shefin e administratës së UNMIK-ut dhe komandantin e KFOR-it.


XS
SM
MD
LG