Ndërlidhjet

logo-print

LETËR PUBLIKE E LIDERËVE POLITIKË TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Liderët politikë të Kosovës u janë drejtuar me një letër të hapur qytetarëve të Kosovës, në lidhje me ngjarjet e 17 dhe 18 marsit. “Ditët e kaluara kanë dëshmuar se sa shumë dëm i shkaktohet Kosovës kur jemi të ndarë nga urrejtja dhe frika”, thuhet në këtë letër, të inicuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi dhe nënshkruar nga udhëheqësit e tjerë, siç janë presidenti Rugova, kryeministri Rexhepi, kryeparlamentari Daci, komandanti i TMK-së, Agim Çeku, pastaj kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, kryetari i PREK-ut Bujar Bukoshi, si dhe përfaqësuesit e pakicave, përveç atyre serbë. Në letër mes tjerash thuhet se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve. Një Kosovë e përparuar mund të ndërtohet vetëm nëse kemi paqe, rend, stabilitet, respekt dhe tolerancë ndaj njëri-tjetrit. Në letër gjithashtu bëhet thirrje për lidhjen e një kontrateje mirëkuptimi midis shqiptarëve dhe serbëve, midis liderëve politikë dhe qytetarëve të Kosovës dhe midis udhëheqësve fetarë dhe qytetarëve të Kosovës për të punuar bashkarisht në ndërtimin e të ardhmes demokratike të Kosovës. Duke ofruar lidhjen e një kontrate mirëkuptimi në mes shiqptarëve e serbëve, liderët apelojnë për respekt reciprok dhe që asnjëra palë të mos i dëgjojë, si thuhet, ekstremistët, por të punojnë së bashku në ndërtimin e të ardhmes demokratike. E njëjta thirrje për kontratë, bëhet dhe në mes liderëve politikë dhe qytetarëve të Kosovës, që politikanët shqiptarë, serbë, dhe politikanët e komuniteteve të tjera të punojnë së bashku për të ndërtuar një Kosovë më të mirë. Të gjithë të angazhohemi që institucionet të jenë të respektuara, të qeverisin në mënyrë konstruktive në emër të qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa në apelet për kontratë në mes udhëheqësve fetarë dhe qyetarëve të Kosovës, thuhet se krerët fetarë muslimanë, katolikë dhe ortodoksë duhet të predikojnë për tolerancë dhe respekt ndërmjet feve dhe ndaj atyre që besojnë në to. Qytetarët e Kosovës kurrë më nuk do të dëmtojnë shtëpi, xhami apo kisha, zotohen liderët kosovarë.
Vetëm duke punuar bashkarisht, thuhet në letër, dhe vetëm duke mësuar që t’i besojmë njëri-tjetrit ne do ta bëjmë Kosovën një vend në të cilin të gjithë do të donim të krijonim dhe jetonim me familjet tona, dhe në të cilin do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për fëmijët tanë dhe për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për unitet dhe pajtim, thuhet në letër.
Ndërsa duke iu referuar trazirave të fundit, thuhet se në to pati humbje të mëdha, përfshirë këtu vdekjen e disa qytetarë të Kosovës, shqiptarë dhe serbë, pastaj vazhdon letra, si pasojë e këtyre trazirave pati qytetarë serbë që u larguan nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën, përfshirë këtu edhe disa objekte fetare. Askush nuk fitoi, por Kosova u dëmtua, vlerësojnë liderët kosovarë.
Të gjithë duhet ta kuptojmë, vazhdon e njëjta letër, se dhuna nuk do t’i ndihmojë Kosovës dhe se ajo çon në shkatërrim dhe mjerim. Mungesa e rendit shkatërron jetën e qytetarëve dhe dëmton mundësitë për jetesë më të mirë.
Ne mund të ndërtojmë një Kosovë më të prosperuar vetëm nëse kemi paqe, rend, qetësi dhe stabilitet dhe se këtë paqe mund ta ndërtojmë vetëm nëse tregojmë respekt dhe tolerancë ndaj njëri-tjetrit, shprehet lidershipi kosovar përmes kësaj letre publike. Përmes saj, u bëhet thirrje qytetarëve se ky lidership është duke ndërtuar një Kosovë të re, në të cilën do të jetojnë të gjithë kosovarët që duan të kenë dëshirë të kthehen dhe të jetojnë: përfshirë këtu shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, romët e ashkalinjtë.
“Të gjithë janë të mirëseardhur dhe në Kosovë nuk duhet të ketë të diskriminuar e të privilegjuar, por të gjithë do të gëzojnë të drejta të barabarta," thuhet ndër tjera në këtë letër. Kjo është hera e dytë që lidershipi kosovar u drejtohet qytetarëve me letër publike, pasi një e tillë qe lansuar edhe vitin e kaluar, po ashtu e inicuar nga Hashim Thaçi, përmes së cilës u bëhej thirrje qytetarëve të zhvendosur të Kosovës që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.





XS
SM
MD
LG