Ndërlidhjet

MOORE:"ZHURMA E RUSISË RRETH KOSOVËS - SHENJË E DOBËSISË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, pas trazirave të fundit në Kosovë Moska zyrtare ka bërë të ditur se nuk mund të mbetet pasive. Mos kemi të bëjmë me një përpjekje të Rusisë që përmes Kosovës të rikthejë ndikimin e vet në Ballkan?

PATRICK MOORE
Lind pyetja çfarë mund të bëjë Rusia kur flasim për influencën. Së pari ata tërhoqën ushtrinë e tyre, tani ajo është e dobët. Duket se kanë probleme konstante që të mbajnë ushtarët e tyre me veshmbathje dhe me ushqim. Si rrjedhojë, nuk mendoj se kanë ndërmend të fillojnë ndonjë avanturë ushtarake. Ata kanë interesa të qarta në Serbi, dhe njerëz që kanë informacione të tilla thonë se janë përfshirë në privatizimin e disa ndërmarrjeve serbe. Por, mendoj se ajo që po shohim tani, si nga Beogradi ashtu dhe nga Moska, është mjaf zhurmë dhe asgjë më shumë se zhurma. Ata dërgojnë mesazhe verbale, çdo politikan bën deklarata apo komente nga Ministria ruse e Punëve të Jashtme apo nga TAS, por kjo është thjesht një politikë e vjetër sovjetike e bërjes së zhurmës. Mendoj që gjithë kjo zhurmë e madhe është një shenjë e dobësisë dhe paaftësisë për të bërë diçka konkrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, a ka në komentet aktuale të Moskës elemente të asaj që mund të konsiderohet aleancë tradicionale me Serbinë, apo thjesht kemi të bëjmë me një çështje që shfrytëzohet për qëllime të brendshme?

PATRICK MOORE
Nuk di për politikën e brendshme, pasi ajo që shohim tani është një grup rreth Putinit, i përbërë nga njerëz të ish KGB-së si Putini, apo nga krahët e tjerë të pushtetit apo forcës së aparatit të vjetër sovjetik, të cilët janë efektivisht nën kontroll dhe mendoj se këta njerëz nuk kanë shumë nevojë për mbështetje të brendshme. Putini ka bërë një punë të përkryer në eliminimin apo kontrollin e opozitës dhe nuk mund të flasim realisht për këtë vend si një lloj demokracie në sensin perëndimor apo evropian. U përmend çështja e aleancës tradicionale me Serbinë. Ky është një mit. Rusët e kanë përdorur si mit për të ushtruar një influencë politike mbi Serbinë gjatë viteve, por e njëjta gjë është dhe në Bullgari, por kjo nuk përputhet sepse si mund të jenë miqtë e vërtetë si të Serbisë dhe Bullgarisë, kur këto dy vende për rreth 100 vjet garojnë rreth Maqedonisë. Çështja qëndron se ajo që Rusia ka bërë në të vërtetë është që ka luajtur interesat e saj tw ftohta kombëtare dhe ka mbështetur herë Sofjen herë Beogradin, në varësi të asaj që ka patur nevojë sipas rasteve. Siç e thamë dhe në përgjigjen e mëparshme, janë shumë të mirë në bërjen e zhurmës dhe të premtimeve, por nuk e di nëse bëjnë diçka konkrete. Më kujtohet se kam dëgjuar prej njerëzve që ishin mjaft të vjetër në moshë dhe u kujtohej Lufta e Dytë Botërore, kur isha student në Sarajevë në 1973-1974, se si sovjetikët bënë shumë premtime për të ndihmuar Titon, dhe Mosha Pijade priti një aeroplan sovjetik që të vinte dhe me gjithë pritjen, ai nuk arriti kurrë. Pra mendoj se kjo është pjesë e kësaj aleance tradicionale, e cila është më shumë zhurmë, sesa realitet. Por, ajo që po përpiqen të bëjnë rusët është se po mundohen t'u thonë, jo vetëm vendeve të Ballkanit, por edhe fuqive perëndimore, që " jemi ende një fuqi e madhe që mund të bëjë zhurmë në Ballkan". Dhe sërisht mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me dobësinë sesa me fuqinë e vërtetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, deri ku mund të shkojë Rusia në mbrojtjen e interesave të Serbisë?

PATRICK MOORE

Le të shohim çfarë është Serbia dhe për cilët serbë bëhet fjalë. Ndoshta ka shumë njerëz në ushtri dhe në segmentet nacionaliste të politikës që mund të influencohen nga ky lloj i mitologjisë politike. Por nëse kaloni tek elementet më me përgjegjësi në Serbi, ata e dinë më mirë që ndoshta nga Rusia marrin gazin, por interesat e tyre ekonomike janë në Perëndim dhe në Bashkimin Evropian. Rusët mund t'i influencojnë gjërat përmes blerjes së ekonomisë serbe, duke ofruar ndihmë diplomatike në OKB dhe gjetkë, por në të vërtetë, ashtu si shumë anëtarë të klasës politike serbe e kanë pranuar, madje Zoran Gjingjiq e ka përmendur këtë fakt para vdekjes së tij, që Rusia nuk ka shumë se çfarë t'i ofrojë Serbisë. Me terma praktike atë që ka nevojë dhe dëshiron Serbia munden ta marrin vetëm nga Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG