Ndërlidhjet

AVOKATËT DHE JURISTËT KOSOVARË VLERËSOJNË SI ZHVILLIME TË RËNDËSISHME HYRJEN NË FUQI TË DY KODEVE TË REJA


Albana Isufi, Prishtinë

Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, vlerat individuale kombëtare e ndërkombëtare, si dhe sjellin risi që nuk kanë ekzistuar me kodet e aplikueshme, thotë kryetarja e Odës së Avokatëve Lirie Osmani.
Sipas zonjës Osmani me këto kode, për të cilat ekspertët kanë punuar për tre vjet e gjysëm, mundësohet një mbrojtje më përmbajtësore e të pandehurve, por edhe mundësohet luftimi më efikas i krimit të organizuar dhe formave të tjera të veprave kriminale.
“Është një sistem i ri, që do të aplikohet në të ardhmen. Roli i gjyqtarit hetues ka ndryshuar, roli i prokurorit është vendimtar për përgatitjen e lëndëve, gjithashtu roli i avokatëve do të jetë më aktiv. Kjo do të jetë një periudhë e vështirë, na duhet punë dhe përgatitje, por kemi një entuziazëm sepse për herë të parë po shkëputemi prej një sistemi të kaluar," tha Lirie Osmani.
Trajneri gjyqësor në Institutin Gjyqësor të Kosovës Haki Lecaj, thotë se punonjësve të sistemit të gjyqësisë iu është lehtësuar puna, pasi në këtë kode i kanë të sistematizuara të gjitha normat juridike.
“Gjyqtarët, prokurorët dhe të tjerët, që i kanë shfrytëzuar kodet i kanë pasur në shumë vende dhe është dashur t’i kërkojnë, por tani i kanë të sistematizuara në një kod. Në Kodin Penal janë përfshirë pothuajse të gjitha normat që kanë qenë të shpërndara në Ligjin Penal të RSFJ-së, në atë të Serbisë, në Ligjin Penal të Kosovës," tha Haki Lecaj.
Kryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës Lirie Osmani thotë se Kodi Penal dhe ai Procedurës Penale kanë qasje më humane ndaj të akuzuarve. Mundësitë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e avokatëve sipas zonjës Osmani janë më të mira dhe më të avancuara.
“Këto Kode kanë paraparë risi përmbajtësore në aspektin e ligjshmërisë, në aspektin e mbrojtjes dhe lirisë së të drejtave njerëzore, në aspektin e qytetarëve si dhe në luftën më efikase të krimit të organizuar,” thotë zonja Osmani.
Haki Lecaj thotë se Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale kanë ngjashmëri të madhe me sistemin gjyqësor amerikan dhe me gjykimet të cilat mbahen në SHBA, por me disa ndryshime.
“Por, të jeni të sigurt se ky sistem i përngjan shumë dhe jam i bindur se janë marrë shumë dispozita nga ligjet në SHBA,” thotë Lecaj.
Me Kodet e reja është paraparë që në vend të dënimit me burg të shqiptohen edhe dënime alternative, si punë e obligueshme apo edhe forma të tjera të dënimeve, që janë të pranishme në shtetet perëndimore dhe që janë të dobishme për shoqërinë.
Ekspertët gjyqësorë kosovarë hyrjen në fuqi të Kodit Penal dhe të Procedurës Penale e kanë parë si shkëputje përfundimtare të Kosovës nga juridiksoni i kaluar serbo-jugosllav.

XS
SM
MD
LG