Ndërlidhjet

HYNË NË FUQI KODI PENAL DHE KODI I PROCEDURËS PENALE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri ka shpallur sot hyrjen në fuqi të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Duke e cilësuar këtë ditë si të veçantë për Kosovën, Holkeri tha se rrumbullakësimi i Kodeve Penale, e ofron Kosovën më afër Evropës, pasi që ajo sipas tij, nga sot ka kode që janë në harmoni të plotë me standardet evropiane:
“Kjo është një ditë e shënuar për Kosovën dhe me hyrjen në fuqi të këtyre dy kodeve vendoset një gurëthemel për qytetarët dhe përpjekjet e UNNMIK-ut, për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë”, tha me këtë rast Holkeri.
Kodet e miratuara sot, sipas Holkerit, janë rezultat i punës tre vjeçare të ekspertëve ligjorë të UNMIK-ut dhe atyre vendorë, ndërsa si model i tyre janë marrë kodet e njëta nga Sllovenia, Kroacia dhe Bosna e Hercegovina. Me hyrjen e tyre në fuqi, sipas kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusës, Kosova po shkëputet nga ligjet e aplikueshme të Serbisë,të cilat rregullonin këtë fushë dhe që ishin në fuqi deri tani:
“Unë e konsideroj se gjyqësori për një shtet të së drejtës ku sundon ligji paraqet boshtin e saj. Me këtë definitivisht ne shkëputemi nga sistemi i kaluar, i cili gjithnjë ka qenë një barrë e rëndë për opinionin, jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë, për arsye se gjithnjë sa të sundon një normë e sistemeve të kaluara, ekziston e drejta për ta kritikuar”, tha Haxhimusa.
Haxhimusa tha po ashtu, se kodet penale të Kosovës parashohin sanksionet jo vetëm për krimet e ashtuquajtura klasike, por edhe ato moderne, të cilat legjislacioni vendor nuk i ka njohur, siç janë trafiqet me qeniet e gjalla, krimi i organizuar, terrorizmi dhe korrupsioni.
Duke e pasur parasysh se Kosova ka qenë pjesë e një sistemi tjetër juridik dhe gjyqësor me atë që po zhvillohet tani, Haxhimusa tha po ashtu se mbetet që në të ardhmen të vihen në praktikë standardet e reja që do të jenë në harmoni me praktikat e vendeve të zhvilluara. Ndërsa në interesimin e gazetarëve se si do të veprohet në rastet që janë në procedurë e sipër dhe se a do të vihen në praktikë këto kode apo ligjet e vjetra të aplikueshme, zoti Haxhimusa u përgjigj:
“Në dispozitat kalimtare ndër të tjera thuhet se në rastet ku nuk ka përfunduar një procedurë lidhur me një vepër penale ndaj një personi e që janë zhvilluar, nuk janë të plotfuqishme dhe aplikohet procedura e re e ligjit penal. Për disa raste do të aplikohet procedura do të shtrihet autoriteti i procedurës së re, kodeve penale dhe te ata që e vuajnë dënimin nëse i përmbushin kushtet ligjore. Kjo ka të bëjë kryesisht me atë principin e veprimit të legjislacionit në kohë dhe hapsirë”, pohoi Haxhimusa.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Holkeri, tha po ashtu, se kodet e miratuara janë në harmoni të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe i përkujtoi të gjithë se shkeljet ligjore në Kosovë po bëhen gjithnjë e më shumë të sanksionueshme dhe shtoi se rrumbullakësimi i legjislacionit penal është një process që nuk do të ketë kthim prapa.



XS
SM
MD
LG