Ndërlidhjet

RUANDA-10 VJET PAS


Para 10 vitesh, më 7 prill të vitit 1994, ekstremistët e fisit Hutu masakruan ndërmjet 500 mijë e 800 mijë pjesëtarë të fisit Tutsi dhe persona të moderuar të fisit hutu. Mbase bota mund të mendojë për joveprimin në këtë përvjetor. Është paralajmëruar se nga perëndimi do të marrë pjesë vetëm një lider, kryeministri i Belgjikës, Gij Verhofshtad që do ti shoqërojë liderët e Afrikës që do të tubohen në ceremoninë për t'i përkujtuar të vrarët.
Njëri nga ata që do të marrë pjesë në këtë përvjetor është edhe sudanezi Omar al – Bashir, qeveria e të cilit aktualisht është akuzuar nga një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara për vrasjen sistematike të fshatarëve në sulmet etnike që të kujton gjenocidin e Ruandës.
Sipas shumë vlerësimeve, në Ruandë këto ditë është një paqe e jashtëzakonshme. Njëherësh, ky vend po ashtu bën përpjekje të mëdha për ta përballuar trashëgiminë e gjenocidit. Plagët janë ende të freskëta dhe është e paqartë se a do të munden ndonjëherë ta harrojnë këtë kapitull tragjik në historinë e tyre.
Ja se ç'thotë, Rodrike Ngovi, reporter i Associated Press i lindur në Tanzani, i cili tre vitet e fundit jeton në Kigali:
"Ruanda është një vend shumë i vogël, një vend shumë i varfër, një vend me popullatë të dendur. Të mbijetuarit dhe të dyshuarit jetojnë njëri pranë tjetrit. Ata e punojnë tokën njëri pranë tjetrit. Ata jetojnë në paqe...por ekziston një mosbesim i vazhdueshëm" – thotë Rodrike Ngowi.

Ai mëtutje i tha Radios Evropa e Lirë se qeveria e presidentit Pol Kagame kishte synuar eliminimin e ndarjeve etnike, duke kërkuar nga populli që ta konsiderojnë vetveten si qytetarë të Ruandës e jo si pjesëtarë të fiseve Hutu apo Tutsi.
Në kuadër të përpjekjeve për ta shpejtuar atë që ishte vlerësuar si një proces i dhimbshëm gjyqësor, qeveria po i liron mijëra vrasës që i kanë pranuar vrasjet që i kanë bërë. Pas një kohe të shkurtër të kaluar në të ashtuquajturat kampe të ri-edukimit, ata kthehen në qytetet dhe fshatrat e Ruandës, ndonjëherë duke lëvizuar edhe në afërsi të familjeve farefisin e të cilëve ata e kishin vrarë.
Përderisa qeveria thotë se shumë dëshmi të përdorshme kanë dalë nga pranimet e këtilla të vrasësve, zoti Ngovi thotë se ka qenë shumë vështirë për viktimat, që nuk mund ta harrojnë gjakderdhjen e së kaluarës, përkundër nevojës që shoqëria të ecë përpara.
Në këtë aspekt Rodrike Ngowi thotë:
"Kur ju flisni me të mbijetuarit, ka shumë të tillë, ata janë shumë të zëshëm. Për ta trashëgimia gjithnjë do të jetojë me ta. Ata nuk duan të harrojnë. Sistemi i drejtësisë në Ruandë ka qenë i ngadalshëm në marrjen me të dyshuarit dhe të mbijetuarit kanë një ndjenjë të fuqishme për këtë gjë. Ata dëshirojnë që drejtësia ta bëjë punën e saj" – thotë zoti Ngowi dhe shton se deri tani janë bërë vetëm 20 dënime.
Vrasjet në Ruandë shpërthyen kur më 6 prill të vitit 1994, me dy predha u qëllua aeroplani në të cilin ishte presidenti i atëheshëm i Ruandës, Juvenal Habjarimana, i fisit Hutu dhe kolegu i tij nga Burundi. Të gjithë në aeroplan vdiqën. Gjenocidi filloi të nesërmen. Banditët që i përkisnin fisit Hutu akuzuan kryengritësit Tutsi se kishin dorë në këtë vrasje. Ata morën kontrollin në qeveri dhe inkurajuan pjesëtarët e fisit të tyre që të bashkohen në masakër. Ata që refuzonin ta bënin këtë në të shumtën e rasteve bëheshin viktimë e vrasësve.
Vrasjet u ndalën vetëm pasi ushtria e fisit Tutsi në egzil e Pol Kagames e fitoi luftën dhe e mori kontrollin në qeveri. Ushtria e tij pastaj filloi hakmarrjen me tërbim, duke vrarë dhjetëra mijëra pjesëtarë të fisit Hutu dhe duke i përzënë ata në Kongon fqinje, ku raportohej se kjo armatë kishte vrarë 200 mijë njerëz të tjerë.
Tani qeveria e zotit Kagame është ndër më autoritaret në Afrikë. Duke u frikësuar nga gjakderdhja e mundshme, ajo nuk lejon as opozitë reale politike e as shtyp të lirë.
Gregori Salter është ekspert për çështje të Afrikës nga Afrika Jugore. Ai i tha radios Evropa e Lirë se qeveria në mënyrë agresive e ka përhapur versionin e historisë që për ndarjet në Ruandë fajëson ish forcën kolonizuese, Belgjikën. Mëtutje ai shpjegon:
"Në pjesën më të madhe të pushtetit të tyre, belgët, realisht e kishin shtyrë këtë agjendë të fuqishme racore. Ata kanë thënë se pjesëtarët e fisit Tutsi ishin superiorë karshi atyre Hutu. Përfundimisht, ata kishin mbjellë një bombë kohore. Mendoj se kjo është e pakontestueshme" – thotë Gregori Salter.

XS
SM
MD
LG