Ndërlidhjet

logo-print

VRITET EPRORI I TMK-SË SHAQIR KRASNIQI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Mbrëmë në rrethinën e komunës së Klinës, është vrarë Shaqir Krasniqi, 28 vjeç, epror i Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Sipas njoftimeve nga zyra për informim e TMK-së dhe burimet e policisë, Shaqir Krasniqi, është vrarë mbrëmë në një pritë rreth orës 20:00, në rrugën Grabanicë-Dollovë të komunës së Klinës. Me këtë rast është plagosur edhe e ëma e të ndjerit e cila pas intervenimit mjekësor është dërguar për shërim në shtëpi, njofton zëdhënësi i TMK-së, Shemsi Syla.
“Dje, pikërisht në ora 20:00 të mbrëmjes është vrarë eprori i Shtabit të Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse ët Kosovës afër fshatit të tij, i cili po udhëtonte me nënën e tij në veturë, nga një pritë dhe nuk dimë asgjë për faktet konkrete se nga dora e kujt është vrarë”, pohoi Syla.
Zëdhënësi Syla tha se Shaqir Krasniqi ka qenë luftëtar i ish - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pas përfundimit të luftës ishte sistemuar në TMK-së si epror pranë Shtabit të Përgjithshëm:
“Tash së fundit para dy javë ditësh ka diplomuar si oficer i parë i grupit të parë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe atë ka kaluar me një notë shumë të lartë, ishte në përspektivë, ishte i përkushtuar”, tha zëdhënësi i TMK-së, koloneli Shemsi Syla. Ndërsa zëdhënësi i Policisë së UNMIK-ut Neeraj Sing, nuk deshi të konfirmojë asgjë rreth të ndjerit Krasniqi, pos që tha se policia është duke i vazhduar hetimet lidhur me këtë vrasje.
Ndërkohë, sot në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, KFOR-i dhe policia ndërkombëtare i kanë shtuar patrollimet dhe masat e sigurisë duke vendosur punkte kontrolli. Këto masa, sipas zëdhënësit të KFOR-it, Jim Moran, janë pjesë e masave të shtuara të sigurisë dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë operacion konkret.
Moran ka njoftuar gjithashtu se komandanti i Krahut Jugor të NATO-s, admirali Gregory Johnson, ka përshëndetur letrën e liderëve kosovarë, duke e cilësuar atë si një hap përpapara drejt pajtimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë, pas dhunës së 17 dhe 18 marsit. Duke i përgëzuar ata që e kanë inicuar dhe ata të cilët e kënë nënshkruar këtë letër, Johnson, ka premtuar dhe përkushtimin e NATO-s për realizimin e përpjekjeve të shprehura të lidershipit kosovarë:
"NATO dhe komuniteti ndërkombëtar, do të vazhdojnë të bëjnë çmos që të mbështesin dialogun dhe të riforcojnë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë që të ndërtohet një shoqëri civile në të cilën aspiratat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, racore apo fetare, do të realizohen në potencial të plotë”, citoi zëdhënësi i KFOR-it, admiralin Johnson.
Po sot, autoritetet e policisë së UNMIK-ut kanë konfirmuar se do t’u dorëzojnë trupat e pajetë të pesë serbëve të vrarë autoriteteve të Beogradit. Këta qytetarë janë nga Kosova, por se do t’u dorëzohen familjarëve të tyre në Serbi për t’i varrosur, tha zëdhënësi i policisë Nerraj Sing. Ai konfirmoi se këta pesë nga 8 serbët e vrarë u përkasin viktimave të trazirave të 17 dhe 19 marsit, si pasojë e së cilave, sipas policisë janë vrarë 19 veta, prej tyre 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Lidhur me këto trazira, policia sipas zotit Sing, ka arrestuar mbi 180 veta dhe po i vazhdon kërkimet për të dyshuar të tjerë të cilët mund të jenë të ndërlidhur me valën e shkaktuar të dhunës.




XS
SM
MD
LG