Ndërlidhjet

logo-print

BAGDAD


Nga Iraku edhe sot raportohet për luftime, ndërsa mijëra irakienë janë nisur drejt Fallujas me ushqime për banorët e qytetit të rrethuar.
Raporte të konfirmuara për numrin e viktimave ende nuk ka.
Drejtori i spitalit të qytetit tha se të paktën 280 irakienë kanë vdekur në përleshjet e fundit, kurse shumica ende gjenden nën gërmadhat.
Në qytetin e shenjtë shiit Qerbela, koloneli polak Robert Strzelecki tha se forcat polake dhe bullgare, gjatë natës kanë luftuar me kryengritësit.
Lideri shpirtëror shiit Ayatollah al-Sistani, dje u bëri thirrje të gjitha palëve t'i japin fund dhunës, në të cilën deri tani janë vrarë mbi 200 irakienë, 35 ushtarë amerikanë, 1 nga Ukraina dhe 1 nga Salvadori.
Në Uashington, zëdhënësi i departamentit të shtetit Adam Ereli e akuzoi klerikun militant shiit Moqtada al-Sadr se ka formuar milici private.
"Mesazhi është se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, sidomos kur predikon dhunë për zgjidhjen e çështjeve politike", tha Ereli.
Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se forcat amerikane përballen me "problem serioz", por shtoi se kjo nuk është kryengritje gjithëpopullore kundër forcave të koalicionit.
Nga Tokio njoftohet se Japonia përkohësisht i ka pezulluar aktivitetet humanitare në Irak.
XS
SM
MD
LG