Ndërlidhjet

KOSOVA PROTEKTORAT EVROPIAN- PO APO JO?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Idetë e fundit që kanë qarkulluar këto ditë në qarqet politike kosovare si edhe në mediat vendore, për zëvendësimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara me një Mision nga Bashkimi Evropian, janë përcjellur me vlerësime të ndryshme në Prishtinë. Për këshilltarin e presidentit të Kosovës, Muhamet Hamitin, Kosova është një çështje e madhe në rend të parë për popullin e saj, si dhe për bashkësinë ndërkombëtare, çka sipas tij dëshmohet dhe me investimin e madh ndërkombëtar këto pesë vitet e fundit. Mirëpo, shton Hamiti, Kosova nuk është çështje e ideve kalimtare duke shtuar se ai nuk është në dijeni nëse një ide e tillë është shtruar deri më tani zyrtarisht:
“Kosova nuk është çështje e ideve kalimtare dhe nuk jam në dijeni të jetë shtruar zyrtarisht ideja për zëvendësimin e misionit ndërkombëtar me një tjetër në Kosovë, e as të jetë dhënë afat kohor për këtë. Ne duam që Kosova të jetë e pavarur sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Hamiti.
Në anën tjetër, Ramush Tahiri, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, mendon se misioni i Kombeve të Bashkuara duhet të përfundojë, sidomos pas zhvillimeve të fundit, të cilat sipas tij kanë treguar se me këtë mision është vështirë të krijohet një partneritet i dëshirueshëm. Tahiri, në fakt, mbështet vendosjen e një misioni kalimtar të Bashkimit Evropian, duke e parë atë si mundësi për përshpejtimin e proceseve aktuale në Kosovë:
“Ndoshta do të ishte shumë e udhës që pasi jemi vend evropian dhe pasi kemi synim Bashkimin Evropian, të krijohet një mision tranzitor, kalues, i Evropës për Kosovën i cili do të jetë shumë më i vogël seç është ky i tanishmi. Duket se edhe si mentalitet, por edhe si concept, ne jemi më të afërt me një mision, i cili krijohet për Kosovën dhe i cili krijohet konkretisht edhe në bashkëpunim me institucionet vendore”, thotë Tahiri.
Ndërkohë, zoti Hamiti, vlerëson se në procesin e pavarësimit të Kosovës, si shprehet ai, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të kenë rolin kryesor, duke e pasur parasysh faktin se Kosova dëshiron që të jetë pjesë e strukturave të integruara evropiane. Ndërsa lidhur me misionet tjera ndërkombëtare, Hamiti vlerëson se ato mund të kenë rolin monitorues në një Kosovë të pavarur:
“Për gjithë këtë proces integrues, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të domosdoshme. Misioni i ardhshëm ndërkombëtar këtu në Kosovë duhet të jetë monitorues dhe këshilldhënës në një Kosovë të pavarur”, vlerëson Hamiti.
Vendosja e një misioni kalimtar të Bashkimit Evropian në Kosovë, sipas Ramush Tahirit, do të reflektohej dhe me përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës për faktin se do të mund të krijohej një komunikim më i shpejtë për të raportuar rreth të arriturave në Kosovë:
“Ky mision do ta shpejtonte, sepse raportimi për sukseset do të ishte shumë më i shpejtë dhe punët do të mateshin konkretisht dhe nuk do të hidhej faji si deri më tash tek organet vendore apo te organet e UNMIK-ut”, thekson Tahiri.
Ndërkohë, profesori i shkencave politike, në Universitetin e Prishtinës, Enver Hoxhaj, mendon se një mision kalimtar i BE-së do të ishte më se i domosdoshëm për të përshpejtuar dhe integrimin e Kosovës në strukturat evropiane, por ai nuk sheh mundësi që ky mision kalimtar të vendoset para se të vendoset së pari statusi i Kosovës:
“Para se të ndodhë kjo mendoj se është mëse e domosdoshme që të definohet çështja e statusit final, ngase problemi i Kosovës është një problem ndërkombëtar dhe nuk besoj që Bashkimi Evropian do të ishte në gjendje që të marrë përsipër një barrë të tillë të rëndë pa e pasur mbështetjen e faktorit amerikan”, thotë Hoxhaj.
Hoxhaj vlerëson po ashtu, se misioni eventual i BE-së nuk do të ishte pengesë për praninë e vazhdueshme të NATO-s, me mandatin që e ka për të siguruar një ambjent paqeje në Kosovë:
“NATO-ja definitivisht do të duhej të qëndronte në Kosovë, Kosova ka nevojë edhe më tutje për një prani të mirëfilltë ushtarake të trupave të NATO-s, qoftë për shkak të ruajtjes së sigurisë brenda përbrenda Kosovës, qoftë për shkak të ruajtjes së kontekstit të ri të terrorizmit botëror, për çka një prani e NATO-s është më se e domosdoshme për krejt rajonin e Balkanit”, vlerëson Hoxhaj.
Sidoqoftë, idetë për çfarëdo misioni kalimtar të BE-së në Kosovë, janë ende vetëm pjesë e propozimeve, ndërsa askush zyrtarisht deri më tash nuk ka sqaruar detaje se si dhe në çfarë mënyre ky mision eventual do të organizohej.


XS
SM
MD
LG