Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE VAZHDOJNË TË BOJKOTOJNË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit serbë vazhdojnë t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës. Edhe pas ftesës që u është bërë nga administrata e Kombeve të Bashkuara, deputetët serbë nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e nesërme të Kuvendit, në të cilën do të raportojë shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri.
Shefja e Departamentit për Informim në administratën ndërkombëtare Hua Jiang, thotë se kjo administratë shpreh keqardhje lidhur me refuzimin e serbëve për të marrë pjesë në këtë mbledhje, por edhe për mospjesëmarrjen e tyre në institucione.
“Ne e kuptojmë frustrimin e tyre duke marrë parasysh atë që ka ndodhur muajin e kaluar. Ata mendojnë se s’ka ndonjë rrugë përpara. Por, siç kemi thënë gjithmonë dyert janë ende të hapura dhe ata mund të kthehen kur të duan”, tha Hua Jiang.
Por, përfaqësuesit serbë të koalicionit “Kthimi” thonë se nuk kanë parë lëvizje pozitive në zgjidhjen e kërkesave serbe.
“Përfaqësuesit serbë të koalicionit “Kthimi” nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, nuk kemi parë lëvizje radikale në zgjidhjen e çështjeve serbe dhe derisa nuk shohim këtë ndryshim nuk do të marrim pjesë,” tha shefi i koalicionit “Kthimi” Dragisha Kërstoviç.
Shefja e Departamentit për Informim Hua Jiang, thotë se e vetmja rrugë që të zgjidhen kërkesat e tyre dhe të ecet përpara, është që ata të kthehen dhe të integrohen në institucionet e Kosovës.
“Duam që ata të kthehen në tërë procesin. Kjo është e vetmja rrugë përpara. Sa i përket UNMIK-ut ne ende jemi të përkushtuar për një shoqëri multietnike ku të gjithë njerëzit pavarësisht nga etniteti, raca, religjioni mund të jetojnë së bashku të lirë”, tha Hua Jiang.
Shefi i Koalicionit “Kthimi” Dragisha Kërstoviç thotë se nuk beson se serbët do të marrin ndonjë vendim për t’u kthyer në institucione, por as që të marrin pjesë në grupet punuese për standardet.
“Nga bashkësia ndërkombëtare jemi duke dëgjuar vërrejtje të shumta në standarde, se ato nuk janë në harmoni me gjendjen në Kosovë, se nuk e kanë shqyrtuar në tërësi gjendjen në Kosovë dhe nuk garantojnë asnjë sukses kështu që po vërtetohet ajo që ne i kemi dhënë si vërejtje dhe sugjerime tona lidhur me standardet”, tha Kërstoviç.
Qeveria e Kosovës ka thënë se prioritet i saj është dialogu ndëretnik mes komunitetit shqiptar dhe serb. Qeveritarët kanë thënë se për këtë dialog nevojitet gadishmëria e komunitetit serb, pasi që sipas tyre deri tani serbët janë vetëizoluar dhe kanë qenë të kthyer tërë kohën me fytyrë nga Beogradi dhe jo nga Prishtina.
Sipas qeveritarëve është në të mirë të serbëve që të integrohen dhe ta shikojnë Kosovën si vendin e tyre.

XS
SM
MD
LG