Ndërlidhjet

NEUDECK: DHUNA NUK PËRLIGJET ME ASGJË


Albana Isufi, Prishtinë

Trazirat e 17 dhe 18 marsit kanë qenë të papritura dhe gati e kanë shkatërruar miqësinë mes Kosovës dhe Gjermanisë, për të cilën miqësi Kosova ka nevojë si kurrë më parë, thotë aktivisti gjerman Rupert Neudeck. Ai thotë se vrasjet, djegia e shtëpive dhe e monumenteve fetare nuk mund të përligjet me asgjë.
“Për akte të tilla kriminale askund në botë nuk mund të ketë përligjje e as arsyetim”, thotë Rupert Neudeck.
Por, sipas tij nëse kjo kaptinë mbyllet dhe analizohen gjërat nga aspekti politik, qytetarët kosovarë kanë pasur arsye jashtëzakonisht të mëdha për të protestuar.
“Bashkësia ndërkombëtare gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit asnjëherë nuk ka mundur ta definoj prerazi se sa do të zgjasë kjo periudhë e tranzicionit. Unë këtë e kam parë shpesh në vende të ndryshme të botës. Administrata e OKB-së kudo që vendoset qoftë në ndonjë vend ose ndërtesë, synon të krijojë një komoditet dhe të qëndrojë edhe 50 vjet në të ardhmen," thotë Neudeck.
Ai thotë se të gjitha proceset në Kosovë varen nga statusi final. Ai thotë se është mirë që të paktën në Gjermani është hapur debat për zgjidhjen e statusit final.
“ Unë jam për atë që Kosovën do të duhej ta nxjerrim nga kjo situatë e paperspektivë, e pa sigurt në një drejtim të caktuar. Unë do të turpërohesha nëse do të kisha qenë përfaqësues në një parlament që s’është kurrfarë parlamenti”, thotë Neudeck, i cili shton se megjithatë në vend të protestave po të ishte kosovar do të zgjidhte rrugët të tjera.
“Unë do të reagoja në një formë të tillë ku do t’i bojkotoja zgjedhjet e ardhshme, dhe nuk do të votoja për parlamentarë të tillë kur nuk e kanë mandatin që të jenë vërtetë parlamentarë. Por, të gjitha këto argumenet nuk janë përligje e asaj që ka ndodhur,” thotë Neudeck.
Rupert Neudeck, ish kryesuesi i organizatës joqeveritare “Capanamur”, ka ardhur në Kosovë i ftuar nga qeveria e Kosovës, që të marrë pjesë në riparimin e shtëpive të shkatërruara në Prizren. Historiani Enver Hoxhaj thotë se Kosova ende është në fazën që i nevojiten njerëzit si Rupert Neudecku.
“Meqë edhe në këtë situatë kthesë pas ngjarjeve të 17 e 18 marsit kemi nevojë për mbështetjen e tij sa morale, aq edhe materiale," thotë Enver Hoxhaj.
Rupert Neudeck-u tani përfaqëson organizatën joqeveritare gjermane “Helmetat e Gjelbërta”. Kjo organizatë do të riparojë 10 shtëpi serbe në Prizren me të hollat që i ka dhënë qeveria e Kosovës për sanimin e dëmeve të shkaktuara më 17 dhe 18 mars.
XS
SM
MD
LG