Ndërlidhjet

HOLKERI U OFRON PARTNERITET INSTITUCIONEVE VENDORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vetëm dy javë më parë pamë ngjarje shokuese dhe të tmerrshme dhe këto janë ditë të vështira për Kosovën, ka pohuar sot, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri, para Parlamentit të Kosovës. Duke iu folur deputetëve, Holkeri u zotua që përgjegjësit për trazirat e 17 dhe 18 marsit të nxirren para drejtësisë si dhe u ofroi partneritet institucioneve vendore në vazhdimin e proceseve siç janë përmbushja e standardeve dhe krijimi i një shoqërie tolerante në Kosovë. Populli i Kosovës, tha Holkeri, e di se dhuna e ushtruar mbi të gjatë viteve të 90-ta, bëri që më 1999 komuniteti ndërkombëtar t’i vijë në ndihmë dhe ta shpëtojë nga tragjedia. Disa heronj të kriminizuar, tha Holkeri, po përpiqen t’i venë paralelet ndërmjet rezistencës kundër dhunës së vitit 1999 me aktet e këtyre ditëve, mirëpo, shtoi ai, këta njerëz po punojnë kundër ardhmërisë së Kosovës dhe se ata sipas tij, duhet të pengohen për arritjen e këtyre qëllimeve. Dhuna, tha numri një i UNMIK-ut, po kërcënon t’i shkatërrojë investimet e popullit të Kosovës dhe miqve të tij ndërkombëtarë, vetëm pesë vjet pas këtij intervenimi.
“Unë e di se kjo dhunë nuk ishte vepër e tërë shoqërisë kosovare, por ishte vepër e një grupi të vogël njerëzish që i kanë skemat e tyre për Kosovën, skema këto që sipas tyre do t’u mundësonte të qeverisin Kosovën përmes dhunës dhe frikësimit të popullit të Kosovës”, tha Holkeri. Skemat e tyre nuk janë të pranueshme as me normat demokratike e as me ligjin dhe skemat e tyre janë kundër kulturës së pasur të popullit të Kosovës dhe përbërjes etnike, tha Holkeri, i bindur se komuniteti ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e përgjegjshëm vendorë do t’ia dalin që t’i zbrapsin këto grupe nga qëllimet e tyre. Dhuna e drejtuar kundër komuniteteve, sipas Holkerit, ka për qëllim dhe ndarjen e Kosovës, gjë që sipas tij nuk do të arrihet. Rruga e Kosovës është përmbushja e standardeve, tha ai, duke lavdëruar angazhimin e nënsekretarit amerikan të shtetit, Marc Grossman, për ndihmën e ofruar që përmes këtyre standardeve të definohet dhe statusi i Kosovës deri në vititn 2005. Ata që kanë përdorur dhunën, duhet të ballafaqohen me masa ligjore kurse ata që e inkurajojnë dhunën, duhet të izolohen, ka pohuar shefi i UNMIK-ut. Holkeri u tha deputetëve se shumë shpejt në Prishtinë do të organizohet një takim i përbashkët i UNMIK-ut dhe i të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë, me qëllim të rivendosjes së besimit ndërmjet komuniteteve. Ai u premtoi deputetëve se personalisht do t’i ofrojë partneritet të plotë qeverisë së Kosovës si dhe do të angazhohet për vazhdimin e procesit të privatizimit.
Fjalimi i Holkerit është përshendetur me duartrokitje në Kuvend. Ndërsa më pas, shefat e grupeve parlamentare kanë paraqitur pikëpamjet e tyre. Sabri Hamiti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, kërkoi zhvillimin e partneritetit ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore dhe ndërprerjen e eksperimenteve, siç i quajti ai me Kosovën:
“Kosova nuk mund të jetë edhe më teatër eksperimantal politik. Prandaj ridefinimi i raporteve të UNMIK-ut me institucionet e Kosovës, tashmë është bërë domosdoshmëri”, tha Hamiti.
Ndërkohë, Arsim Bajrami, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kërkoi fillimin e bisedimeve ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë vendore, për ridefinimin e raporteve dhe ndarjen e përgjegjësive:
“Mendoj se kjo është e domosdoshme dhe një bartje e menjëhershme e përgjegjësive tek institucionet e Kosovës do të ishte edhe një ndihmesë për UNMIK-un, që sa më shpejt të realizohet misioni i rezolutës 1244, pra që Kosova dhe populli i saj të përgatiten për zgjidhjen e statusit final”, theksoi Bajrami.
Më pas dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bujar Dugolli shprehu vërejtje në dualizmin e pushtetit në Kosovë, duke u shprehur në favor të marrjes më të shpejtë të përgjegjësive për vendorët:
“Praktika po na tregon se funksionimi i dy qeverive në Kosovë, nuk mund të vazhdojë kështu. Administrues dhe qeverisës të Kosovës duhet të jenë vetë kosovarët dhe institucionet e zgjedhura demokratike nga vota e qytetarit”, tha Dugolli.
Gjatë kësaj seance, Kuvendi i Kosovës ka formuar një komision ad-hok i cili pritet që brenda muajit të përgatisë një raport rreth ngjarjeve të marsit, të cilin më pas do t’ia paraqesë Kuvendit në shqyrtim.



XS
SM
MD
LG