Ndërlidhjet

logo-print

KOSUMI: "ZËVENDËSIMI I MISIONIT TË OKB-së ME ATË TË UNIONIT EVROPIAN NUK ËSHTË ZGJIDHJE"


Intervistë me Bajram Kosumin, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri në paraqitjen e tij në Kuvendin e Kosovës, pos të tjerash, ka ofruar bashkëpunim përkatësisht partneritet të administratës ndërkombëtare me faktorët vendorë. Si e shihni ju këtë ofertë?

BAJRAM KOSUMI
Po zoti Holkeri e tha këtë konstatim për një partneritet mes institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut dhe është kjo diçka e re që dëgjohet në Kosovë, sidomos nëse kihet parasysh fakti se në dy vitet e fundit UNMIK-u nuk ka pasur partneritet me institucionet e Kosovës. Ka qenë një lloj dyqeverisjeje në Kosovë; në njërën anë ka qenë qeveria e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, do të thotë qeveria e zgjedhur nga vota e qytetarëve, dhe në anën tjetër qeveria e UNMIK-ut, të cilat energjitë më të mëdha i kanë shpenzuar duke u shtyrë mes vetit për pozicionime të reja. Krijimi i një partneriteti të ri tash në këtë drejtim, unë mendoj se është një diçka e mirë, dhe e kuptoj në sensin që UNMIK-u do të bartë kompetencat tek institucionet e Kosovës dhe institucionet e Kosovës bashkë me kompetencat do të marrin edhe përgjegjësitë. Ky do të ishte një zhbllokim i situatës së krijuar, mirëpo duhet marrë parasysh se kjo që u dëgjua sot është vetëm një fjalë. Ne në Kosovë, por edhe në Ballkan me vite e dekada, kemi dëgjuar fjalët më të mira. Mbetet të shihet në praktikë se çfarë hapash do të ndërmerren tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, a pajtoheni se midis faktorit vendor dhe UNMIK-ut ka pasur tensione, keqkuptime, dhe në këtë kontekst si e shihni ju, konkretisht, raportin e ardhshëm më produktiv ndërmjet këtyre dy faktorëve?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se duhet të ndryshoj gati në thelb raporti mes UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. UNMIK-u ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar për të krijuar institucionet e vetqeverisjes. Kjo punë është kryer me sukses dhe tani UNMIK-u duhet t'u krijoj hapësirë institucioneve të Kosovës që të qeverisin me sukses. UNMIK-u prej dy vjetësh nuk ka përgjigjen në çështjet më thelbësore të zhvillimeve ekonomike dhe politike në Kosovë. Për shembull, nuk ka përgjigjen e duhur për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Në Kosovë ndodhin krime të cilat asnjëherë nuk zbulohen, se si dhe në çfarë rrethanash ndodhin. UNMIK-u nuk ka përgjigje për zhvillimin ekonomik ose, nëse do të thuhej me fjalë më të drejta, për prapambetjen ekonomike në Kosovë; nuk ka përgjigje për energjinë elektrike, 5 vjet pas luftës Kosova vazhdon të jetojë me orarin dy orë me rrymë e tri pa rrymë etj. Por poashtu UNMIK-u nuk ka përgjigje edhe në disa çështje politike si strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, ose paaftësia e UNMIK-ut për të anashkaluar presionin që i bën Beogradi për zhvillimet politike në Kosovë. Po bëj një degresion: UNMIK-u e ka detyruar qytetarin e Kosovës që pesë vjet pas lufte për të vazhduar një pasaportë apo një letërnjoftim, i nevojitet që të gjurmojnë arkiva dhe të gjejë dokumentacionin e lëshuar nga Serbia para 5, 6 vjetëve, dhe me atë dokumentacion të Serbisë të dëshmojë se është qytetar i Kosovës. Këto janë dy vjet stagnimi të UNMIK-ut në Kosovë dhe ky raport duhet definitivisht të ndryshoj. Institucionet e Kosovës duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe të gjitha kompetencat, ndërsa misioni i UNMIK-ut duhet të shndërrohet në mision vëzhgues, në mision të kontrollit, në mision të observimit të punës së institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, ditëve të fundit, në përmasa vendore dhe ndërkombëtare, janë dhënë shumë vlerësime për zhvillimet e fundit në Kosovë. Çështjet më të apostrofuara kanë qenë statusi i Kosovës dhe politika e standardeve. Si i shihni ju këto çështje në këtë çast?

BAJRAM KOSUMI
Me të drejtë çështja e statusit të Kosovës është çështja e të gjitha zhvillimeve thelbësore në Kosovë. Qytetari i Kosovës ka filluar ta humbë besimin në një ardhmëri të sigurtë të Kosovës dhe ky është problemi themelor. Kjo është pengesa themelore në zhvillim. Nuk mundemi ne tash, politikanët, qofshin vendorë, qofshin të huaj, të luajmë symbyllur dhe të themi mirë ne nuk po shohim çfarë vie pas pesë vitesh, por hajde të punojmë se besojmë se do të bëhet mirë. Në politikë nuk shkohet kështu, nuk mundet një popull të orientohet kështu në politikë. Ne duhet të kemi të qartë se ku do të jemi pas pesë vjetëve dhe ku do të jemi pas dhjetë vjetëve. Prandaj standardet për Kosovën, të cilat ne i kemi përkrahur, edhe unë mendoj se duhet të punohet sepse ato standarde na duhen. Si në këtë situatë apo edhe kur ta bëjmë shtetin e Kosovës, ne duhet t'i krijojmë standardet për vetveten e jo për të tjerët. Mirëpo që të arrihen këto standarde më mirë dhe në mënyrë më të sigurtë, ne duhet të dimë cakun tonë se ku do të mbërrijmë dhe duhet të themi se këto standarde janë standarde për pavarësinë e Kosovës, se këto standarde ndihmojnë pavarësinë e Kosovës, me UNMIK ose pa UNMIK këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit, në kontekstin e statusit të Kosovës janë dëgjuar edhe propozime për një zëvendësim të misionit të Kombeve të Bashkuara, me një tjetër të Unionit Evropian. A është një gjë e tillë e pranueshme për kosovarët dhe nëse po, në cilat rrethana dhe kushte?

BAJRAM KOSUMI
Jo, kam një mendim negativ për këtë. Nuk është një zgjidhje kjo. Ne po dëshirojmë ta ndërrojmë statusin e UNMIK-ut këtu duke e shndërruar në mbiqkyrës të proceseve dhe duke ua lënë kosovarëve mundësinë për të qeverisur dhe nuk dëshirojmë një zëvendësim të një misioni me një mision tjetër, qoftë ky edhe mision i Bashkimit Evropian, që të vijë dhe të udhëheqë Kosovën. Ne jemi të aftë të udhëheqim vetë, ne jemi në një proces demokratik. Tri herë janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë, këtë vit do të mbahen zgjedhjet për të katërtën herë. Nëse nuk qeverisin kosovarët atëhere asgjë në këtë proces nuk ka kuptim. Çfarë kuptimi do të kenë këto zgjedhje, apo Kuvendi i Kosovës, qeveria e Kosovës, presidenti i Kosovës ose asambletë komunale nëse Kosova nuk qeveriset.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është roli i faktorit vendor në të gjitha zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çfarë duhet të jetë ai në periudhën e tashme dhe në të ardhmen?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se klasa politike në Kosovë në veçanti, nuk po flas për faktorin vendor, por klasa politike në veçanti ka bërë disa lëshime në proces që kur janë formuar institucionet e Kosovës. Klasa politike është treguar deri në masën e padurueshme tolerante, deri në masën ku nuk është dashur të sillet në mënyrë gjoja tolerante ndaj zhvillimeve politike. Unë di të them edhe raste konkrete kur klasa politike nuk është pajtuar me një proces, por ka thënë hajde t'ua bëjmë qejfin UNMIK-ut e të huajve, le të shkojë kështu etj. Dhe kjo ka sjellë tani te një pakënaqësi e përgjithshme në popull. Klasa politike e ka shkarkuar barrën e vet, përgjegjësinë e vet dhe ja ka lënë popullit dhe tani është krijuar një raport jo fort i këndshmëm ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe UNMIK-ut. Ai raport duhet të jetë në radhë të parë raport në mes të klasës politike dhe UNMIK-ut, pra barrën e përgjegjësisë duhet ta mbajë mbi vete klasa politike. Është Kuvendi i Kosovës, është qeveria e Kosovës dhe janë politikanët, udhëheqësit e tjerë të Kosovës, ata që duhet të ngulin këmbë me UNMIK-un dhe të thonë se zgjidhja e procesit dhe e vështirësive të tanishme të Kosovës është bartja e kompetencave dhe garancat e fuqishme se statusi i Kosovës do të zgjidhet në rradhë të parë në bazë të vullnetit demokratik të popullit të Kosovës. Këtë duhet ta bëjë klasa politike. Nuk mjafton vetëm që klasa politike të thotë se jemi të pakënaqur, ose presim njohjen formale, etj etj, por duhet t'i realizoj ato për të cilat angazhohet dhe nuk duhet të lëshoj pe dhe ta shkarkojë barrën e vet mbi qytetarët e Kosovës.
Intervistoi Melazim KOCI.
XS
SM
MD
LG