Ndërlidhjet

HULSMAN:"IMPONIMI I NORMAVE DEMOKRATIKE NUK FUNKSIONON"


John HULSMAN, analist në Fondacionin Heritage në Washington


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hulsman ku i shihni shkaqet e trazirave të fundit në Kosovë?

JOHN HULSMAN
Mendoj që problemi themelor është se synimet e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë mbizotëruar. Në fakt, Shtetet e Bashkuara i kanë ngrirë gjërat politikisht në këtë vend, pa i ndryshuar tensionet egzistuese në rajon. Ndërkohë, asnjëra palë nuk i ka ndjekur politikat e tmerrshme të kohës së luftës, por nuk janë lënë anash as fyerjet. Arsyeja tjetër është shtresimi politik në Kosovë, dhe mungesa e çfarëdo lëvizjeje drejt një zgjidhjeje të drejtë të gjendjes politike kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët kosovarë insistojnë për bartje më të madhe të pushtetit nga UNMIK-u. Mendoni se zhvillimet e fundit mund të jenë kthim prapa?

JOHN HULSMAN
Absolutisht. Unë kam qenë kritik i rreptë i fuqive perëndimore se ato kanë dhënë shumë pushtet, sepse kur kemi një lidership në Kosovë që nuk ka asnjë përgjegjësi dhe nuk po administron asgjë, kjo u lejon atyre të kritikojnë gjithçka që bëhet nga komuniteti perëndimor. Do kisha preferuar më shumë një proces të hershëm të bartjes së kompetencave, por ajo që ndodhi, në Perëndim nuk është një reklamë e mirë për vetëqeverisje të mëtejshme, por më shumë një reklamë për papërgjegjshmërinë thelbësore të njerëzve me të cilët po negocionin, dhe këta njerëz nuk duket se do t'i marrin këto përgjegjësi. Ky është problem jashtëzakonisht i madh, pasi frustrimi ndaj sjelljes dominuese perëndimore nga lart poshtë ka çuar në mungesë përgjegjësie që do të pasojë me mungesën e dëshirës së Perëndimit për të dhënë më shumë pushtet. Është një argument dhe problem që përsëritet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opinioni juaj për deklarimet e Koshtunicës lidhur me kantonizimin e Kosovës?

JOHN HULSMAN
Mendoj se që ajo nevoitet të bëhet dhe duhej bërë përmes një diplomacie sekrete, është që për gjithë rajonin e Ballkanit të gjenden zgjidhje të qarta. Por nuk kemi të njëjtën situatë me kohën kur në pushtet ishte Millosheviçi. Kemi forca demokratike në tavolinë, kemi shqiptarët që kanë një lloj legjitimiteti në Kosovë, kemi dhe Shqipërinë, pastaj Rumaninë dhe Bullgarinë që janë anëtare të reja të NATO-s, kemi Greqinë që don të luajë një rol shumë më pozitiv, kemi Kroacinë që ecën drejt Perëndimit, apo Slloveninë. Pra, kemi shumë copëza pozitive demokratike. Duhet të lëvizim drejt rajonalizimit, që është më se i nevojshëm. Do shpresoja që të gjitha këto grupe të arrinin në mënyrë të fshehtë ndonjë marrëveshje. Por, procesi ku përfaqësimi është tepër i decentralizuar përgjatë vijave etnike, në një farë shkalle politikisht do të jetë i pashmangshëm nëse do të duhet të ketë zgjidhje të qëndrueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se këto zhvillime mund ta ndikojnë procesin politik në të ardhmen, për sa i përket rishikimit të standardeve për Kosovën në mes të 2005-ës?

JOHN HULSMAN
Po, absolutisht mendoj që po. Është një kthim shumë i madh prapa për të gjithë ne që duam që vetëqeverisja të ndodhë sa më shpejt, sepse qartësisht njerëzit aty u sollën në mënyrë të papërgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hulsman, cili është komenti juaj për rolin e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë?

JOHN HULSMAN
Jam tejet kritik ndaj rolit të Kombeve të Bashkuara në gjithë Ballkanin. Është në një situatë e tmerrshme dhe jam dakord me këtë. Por problemi qëndron se duke vendosur një kryeadministrator në Bosnje dhe në një shkallë më të lartë në Kosovë, kjo nuk e ndihmon shumë demokracinë, pasi imponimi i normave demokratike është një shkelje e shumë parimeve dhe thjesht nuk funksionon mirë. Nëse shihni për shembull përpjekjet e Perëndimit për ndërtimin e institucioneve shtetërore në Haiti, Somali, Bosnje, Kosovë, Afganistan e më tutje, mendoj se pjesë e problemit në të gjitha këto raste është se nuk u jepet pushtet i vërtetë liderëve vendorë dhe si rrjedhojë ata nuk kanë lidhje me përgjegjësitë qeverisëse. Megjithate, nuk mund të keni gjithçka që doni, kompromiset bëhen çdo ditë. Dhe ky lloj mendimi është i huaj në krahasim me atë që realisht po ndodh në rajonin e Ballkanit, ku njerëzit ofrojnë zgjidhje utopike jashtë logjikës, në kohën kur është realitet se qeverisja nuk funksionon. Mendoj se po ndërtojmë pikërisht një shembull të gabuar. Duhet të funksionojë nga poshtë lartë dhe jo nga lartë poshtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Liberalët gjermanë propozuan që Bashkimi Evropian të marrë përsipër misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Cili është komenti juaj?

JOHN HULSMAN
Si një amerikan do më pëlqente shumë. Është e qartë se shumë gjëra po ndodhin në botë dhe Shtetet e Bashkuara kanë tre çështje primare të sigurisë në të cilat janë angazhuar: Al-Kaida, Koreja e Veriut dhe Iraku. Dhe transferimi i punëve në duart e evropianëve në Ballkan, që është një zonë me një shqetësim më të vogël sigurie për SHBA-të, ka kuptim. Në Bosnje mendoj se e shihni këtë proces që ecën në rregull. Por mendoj se Kosova është e ndryshme. Mendoj se duke u bazuar në problemet e saj dhe situatën, kam dëgjuar shumë pak biseda në Uashington për një ulje reale të rolit të Amerikës. Pavarësisht se sa na pëlqen, mendoj se amerikanët e dijnë se do jenë aty dhe në një të ardhme të parashikueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni të ardhmen e Kosovës?

JOHN HULSMAN
Mendoj që gjëja që duhet të bëjmë sërish është që të mbahen ato bisedimet private që të tejkalohet kjo ngecje, ku në fakt rezoluta 1244 e OKB-së është si përralla e Andersenit për djalin e vogël që me një gisht don ta mbajë digën të mos shpërthejë.
Ne i pengojmë gjërat që të ndodhin, por nuk bëjmë asgjë që të lëvizim përpara me procesin. Ai është i ngrirë. Në fillim menjëherë pas luftës kishte kuptim, por tani nuk ka fare. Ajo që duhet të bëjmë, është që të kemi një qasje rajonale, të flasim me liderët në rajon, të shohim nëse mund të punojmë që të gjejmë zgjidhje origjinale për problemet, por njëkohësisht duhet të fillojmë të hapim rrugën për bisedimet për statusin final të Kosovës, sepse derisa ta bëjmë këtë, kjo situatë artificiale e ngrirë do të çojë në rritjen e frustrimit. Dhe ta them të drejtën, në gjithë Ballkanin situata është e pazgjidhur. Nëse do mbaheshin zgjedhjet e lira në Bosnje të tre grupet etnike do votonin të ndaheshin që nesër. Duhet t'i pranojmë këto realitete politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe së fundi zoti Hulsman, si do të përshkruanit strategjinë amerikane në Ballkan?

JOHN HULSMAN
Nuk mendoj se për momentin ka strategji, por më tepër veprime ad - hoc. Për momentin duam që rajoni të jetë stabil, duke nënkuptuar që të mos ketë luftëra. Nuk është qëllim primar, pasi rajoni i Ballkanit nuk është prioritet në politikën e jashtme amerikane. Ky është një realitet që u duhet përmendur shpesh njerëzve, madje nuk jam i sigurt nëse është sekundar. Si rrjedhojë qëllimi është stabiliteti, dhe problemi me të është që nëse e ngrini situatën, mund të keni stabilitet të përkohshëm, por nëse nuk i trajtoni problemet ekzistuese që shfaqen apo ato shtyhen, kurrë nuk do ketë situatë vërtetë stabile. Këto probleme politike gjithsesi duhet të trajtohen, madje edhe nëse rajonin nuk e mendoni si prioritet të sigurisë, si qëllim gjeostrategjik apo gjeopolitik. Nëse politika është në rregull dhe njerëzve u jepet pushteti, do fillojë të zgjidhet problemi. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë kurrfarë kryeadministratorësh dhe kurrfarë sasie e parave nuk do të bëjnë punë.

Intervistoi: Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG