Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE KFOR-I HETOJNË PRANINË E AKSH-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë si dhe Policia e UNMIK-ut, i kanë filluar hetimet lidhur me informacionet se tre persona të maskuar, të prezantuar si pjesëtarë të Armatës Kombëtare Shqiptare, janë paraqitur publikisht para një mase të tubuar në një ceremoni përkujtimore në fshatin Baincë të komunës së Drenasit, ish-Gllogovci. Zëdhënësi i KFOR-it, Horst Pipper, tha se AKSH është një organizatë ilegale, dhe si e tillë do të trajtohet:
“Është një organizatë që lufton kundër rendit publik dhe ajo patjetër duhet të konsiderohet si organizatë terroriste dhe KFOR-i ka qëndrim të ngjashëm me administratën e UNMIK-ut lidhur me këtë organizatë," tha zëdhënësi Pipper.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së UNMIK-ut, Neeraj Sing, tha se policia tashmë ka marrë raportin lidhur me paraqitjen publike të këtyre tre personave të identifikuar si pjesëtarë të AKSH-së dhe Frontit për Bashkimin Kombëtar Shqiptar:
“Këta persona të maskuar është raportuar se kanë dalë të përfaqësojnë AKSH-në, e cila është shpallur si organizatë terroriste nga UNMIK-u, prandaj ne do ta konsiderojmë çdo aktivitet të tyre të kundërligjshëm”, tha zëdhënësi Sing. Ai tha se për këtë fazë, policia është duke i hetuar këto informacione dhe se do të veprojë kundër tyre konform ligjit.
Në anën tjetër, asnjëri nga udhëheqësit vendorë dhe kabinetet e tyre nuk kanë dashur të komentojnë asgjë lidhur me daljen publike të këtyre tre personave që vetën e identifikuan si pjesëtarë të AKSH-së. Kurse një zëdhënës tjetër i KFOR-it, Jim Moran, tha se KFOR-i aktualisht nuk ka informacione nëse AKSH vepron në territorin e Kosovës, duke shtuar se forca shumëkombëshe e NATO-s do t’i ofrojë policisë ndihmën në rast nevojë.
Përndryshe, në paraqitjen publike të tre personave të maskuar në Baincë të Drenasit, ata kanë pohuar para masës së tubuar në një ceremoni përkujtimore, se AKSH do të jetë pranë popullit të Kosovës, për të ndalur, siç kanë thënë ata, pushtimin modern të tokave shqiptare. “Erdhëm këtu që t'ju tërheqim vërejtjen shërbëtorëve të pushtuesve të vjetër e të rinj”, citon shtypi vendor, njërin prej këtyre personave, i cili thuhet se në fjalimin e tij ishte angazhuar për luftë deri në çlirim dhe bashkim kombëtar. AKSH, për administratën e UNMIK-ut, ishte shpallur si organizatë terroriste nga ish-shefi i kësaj administrate Mihael Shtajner, para një viti, pas një sulmi mbi një urë në pjesën veriore të Kosovës.


XS
SM
MD
LG