Ndërlidhjet

logo-print

USHTARËT PRIVATË NË IRAK: TË RREZIKSHËM APO FINANCIARISHT TË EFEKTSHËM?


Andrew Tully

Me rënien e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 90’, shumë vende filluan të reduktojnë madhësinë e ushtrive të tyre, ndonëse kohë pas kohe këto vende gjithashtu kishin nevojë për më shumë njerëz. Kësisoj ka filluar edhe trendi i kompanive private paramilitare, të cilat kryesisht angazhohen në vatrat e luftës dhe rajone tjera të rrezikut të lartë. Peter Kuznick, ekspert për çështje ushtarake dhe profesor i historisë në Universitetin Amerikan të Washingtonit , thotë se përdorimi i kontraktorëve privatë të sigurisë në Irak është i jashtëzakonshëm. Ai thotë se edhe forcat e NATO-s shfrytëzojnë ushtarë privatë në Ballkan, por, sipas tij, proporcioni i tyre në raport me ushtarët e rregullt nuk ka qenë asnjëherë më i madh se 10 për qind. Në Irak, zoti Kuznick thotë se numri i kontraktorëve privatë sillet prej 15 deri në 20 mijë, që do të thotë rreth 15 për qind nga numri i përgjithshëm i ushtarëve të rregullt. Për më tepër ai thotë se kontraktorët nuk i përgjigjen ushtrisë amerikane dhe e kaluara e tyre është kryesisht e dyshimtë. "Afrikanët e Jugut kanë qenë ish pjesëtarë të personelit ushtarak gjatë regjimit të vjetër të apartheidit. Një grup tjetër i kontraktorëve privatë në Irak vjen nga Kili dhe pjesëtarët e këtij grupi janë banditë të diktaturës së vjetër të Augusto Pinochetit. Prandaj”, thotë zoti Kuznick, “në Irak kemi njerëz për të cilët unë dyshoj se ndajnë vlerat amerikane dhe kontrolli mbi veprimet e tyre është i përmbajtur”.
Një çështje tjetër të cilën e ngriti profesori Kuznick është edhe çështja e shpenzimeve në angazhimin e kontraktorëve privatë, të cilët, siç thotë ai, mund të fitojnë edhe deri në 1 mijë dollarë në ditë.
Koloneli i pensionuar i ushtrisë amerikane, Kenneth Allard beson se qeveria e Shteteve të Bashkuara përfiton financiaisht nga angazhimi i personelit privat të sigurisë në Irak. Koloneli Allard ka qenë pjesëtar i shërbimeve të zbulimit dhe aktualisht ligjëron mbi çështjet ushtarake në Universitetin Georgetown në Washington. Ai thotë se edhe pse pagesa ditore për një marins amerikan nuk i afrohet 1 mijë dollarëshit në ditë, shfrytëzimi i ushtarëve privatë është ekonomik nëse merren parasysh detyrat e caktuara sikur është mbrojtja e administratorit të Baghdadit, Paul Bremer. "Ajo që mund të bësh në këtë rast është të angazhosh kontraktorë për një periudhë të caktuar, për një detyrë të caktuar, t’i paguash ata vetëm për këto detyra dhe në fund mund t’i japësh fund kontratës me ta. Marinsat ndërkaq, duhet t’i paguajmë, t’i trajnojmë, t’i ruajmë dhe t’i pensionojmë”, thotë koloneli Allard. Lidhur me përgjegjësitë që kontraktorët kanë, ai beson se kontraktorët fillimisht duhet të japin përgjegjësi përpara kompanive të tyre, njerëzve që i mbrojnë, vendeve ku operojnë dhe në fund të fundit edhe përpara gjykatave. Edhe koloneli i pensionuar preferon që ushtarët e rregullt amerikanë të jenë ata që do të vendosin rendin dhe ligjin në Irak, por megjithatë thotë se përdorimi i ushtarëve privatë atje nuk duhet përjashtuar.


XS
SM
MD
LG