Ndërlidhjet

ZH. CIKO: KOSOVA ËSHTË PLOT ME TALENTE


Zhani Ciko, Drejtor i TOB-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ciko, ju keni qenë edhe në Kosovë ku keni bërë një përzgjedhje të talenteve të reja në Prishtinë. Cilat janë përshtypjet që keni nga shkuarja në Prishtinë?

ZHANI CIKO
U habita për faktin që sa shumë ishte ndjekur ky spektakël dhe me çfarë vëmendje, publiku, jo vetëm rinor i Kosovës, por i të gjitha moshave, e përjetonte si një ngjarje tepër të veçantë këtë spektakël; në kuptimin që njerëzit e Kosovës kishin kuptuar se nuk është fjala thjesht për të zgjedhur disa zëra, por është fjala për të futur një mënyrë komunikimi të re midis njerëzve, për të thyer disa barriera të shkëmbimeve profesionale me të rinjtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Realisht ju në Kosovë gjetët talente?

ZHANI CIKO
Realiteti si u zhvillua konkursi i dha të drejtë bindjes sime dhe shumë të tjerëve që Kosova është plot me talente. Në vitet përpara Kosova ka patur një përvojë në fushën e muzikës së lehtë, dhe një përvojë mjaft më të hapur madje sesa përvoja shqiptare e viteve të diktaturës. Kështu që një nënshtrat kulturor në gjirin e këngëtarëve, në gjirin e kulturës kosovare ka egzistuar me kohë, mjaft i avancuar dhe këta fëmijë që vijnë sot dhe paraqiten në konkurim, janë o fëmijët, o nipërit e atyre prindërve, të cilët në marrëdhëniet më të hapura që ka patur ish-Jugosllavia atëherë, kanë mundur të jenë të azhornuar me rrymat e ndryshme muzikore, dhe kanë mundur të krijojnë dhe këngë të tyre origjinale mbi këto stile. Nga ana tjetër, kosovarët për natyrë janë nga ato zona ku për kushte gjeografike ose edhe të tjera mbase gjenetike, ka mjaft zëra burrash të fuqishëm dhe të plotë, gjë që mungon në disa zona të tjera të Shqipërisë, ku dominojnë zërat femërorë ose zërat e çelura të burrave. Ajo që ne na bëri përshtypje ishte interesi i madh, ardhja e të rinjve nga të gjitha zonat, nga zonat ku ende ka probleme dhe ku pak ditë më vonë do të kishte ngjarje të rënda, pikërisht ata kishin ardhur atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ethet e së premtes është bërë një spektakël mjaft i suksesshëm. Si ka mundësi që ky spektakël pati këtë sukses krahasuar me spektaklet e tjera të këtij lloji që po përsëriten?

ZHANI CIKO
Këtu ka të bëjë me një diçka. E para e punës ai është origjinal, nuk është kopje. Spektaklet e tjera që pavarësisht nga objektivi se kujt i drejtohen, në përgjithësi janë një kopje dhe dobësojnë fatin e të gjitha kopjeve. Madje shpesh herë dhe kopje të bëra me kritere jo të mira për shkak të mosfokusimit në repertorin e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ciko, ju jeni një emër mjaft i njohur në fushën e muzikës në Shqipëri. Si e pritët ftesën për të qenë anëtar i një jurie në një spektakël të tillë?

ZHANI CIKO
Komplet gabim. Pse? Kur më thirrën miqtë e mi pa më thënë se përse është fjala, por për të më treguar një kasetë të një projekti që ata mendonin ta realizonin në shtëpi, përpara një gote vere dhe përpara përjetimit me muzikë të bukur të një ngjarjeje të tillë, mu duk sikur kjo nuk ka të bëjë fare me mua, dhe madje kur ata më thanë se duan të organizojnë në Shqipëri një gjë të tillë, unë thashë që marr pjesë, por me bindjen se do të ishte një dështim i plotë, pasi nuk ma merrte mendja se do të mund të krijoheshin marrëdhënie të tilla me publikun.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG