Ndërlidhjet

OKB DUHET TË SHQYRTOJË ME SY KRITIK EDHE PUNËN E UNMIK-UT


Albana Isufi, Prishtinë

Raporti për Kosovën i Shefit të Misioneve Paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Jean Marie Guehenno, në të cilin për dhunën e muajit të kaluar akuzohen shqiptarët, por edhe institucionet kosovare, që nuk kanë reaguar me kohë për të ndërprerë dhunën, sipas analistëve kosovarë nuk i kontribuon situatës politike në vend, por as vetë administratës ndërkombëtare.
Analisti Enver Hoxhaj thotë se nëse edhe më tej Këshilli i Sigurimit dhe UNMIK-u nuk bëjnë një vlerësim punës së UNMIK-ut me qëllim që të përmirësohet, sërish do të përballen me probleme dhe kriza.
“Mendoj se nëse edhe në të ardhmen vazhdohet në këtë formë ku i iket instrumentit të vetëkritikës dhe më tepër fajësohen shqiptarët apo edhe të tjerët si kolektivitet misioni i UNMIK-ut definitivisht mund të ketë problem me realizimin e asaj agjende për të cilën në fund të fundit është në Kosovë dhe kjo nuk do të ishte në interes as të kosovarëve, por mbi të gjitha nuk do të ishte në interes as të OKB-së, imazhi i së cilës imazhi së cilës nuk është këto vitet e fundit ai që ka qenë më herët”, thotë Enver Hoxhaj.
Ndërkohë, Muhamet Hamiti, zëdhënës i Presidencës së Kosovës, thotë se diskutimet në Këshillin e Sigurimit kanë qenë të matura dhe të baraspeshuara, por në mesin e anëtarëve të këtij Këshilli vërehej një diversitet sa i përket Kosovës.
“Lidhur me Kosovën kishte diversitet, që shkonte prej kërkesës së një anëtari të këtij këshilli që të shqyrtohet statusi përfundimtar i Kosovës , i cili duhet të jetë pavarësia, deri te qëndrimet e Beogradit që janë plotësisht të papranueshme”, tha Hamiti.
Megjithë kritikat e shefit të Misioneve Paqeruajtëse të OKB-së Jean Marie Guehenno drejtuar qeverisë, zëdhënësja Mimoza Kusari tha se qeveria nuk ka diskutuar lidhur me këtë çështje. Por, ajo shton se nga debati i djeshëm në Këshillin e Sigurimit është parë se Guehenno për trazirat e marsit ka bërë më shumë përgjegjëse qeverinë sesa struktuarat e tjera ndërkombëtare.
“Z. Guehenno ka vënë barrë pak më tepër në qeverinë e Kosovës sesa në strukturat tjera udhëheqëse në Kosovë, si është ajo e UNMIK-ut. Kryeministri edhe më herët pat cekur se z. Guehenno ishte ai që e vizitoi Kosovën pak kohë para trazirave dhe vetë ishte shumë i kënaqur me zhvillimet, të cilat kishin ndodhur në Kosovë. D.m.th. ato trazira kanë zënë në befasi si UNMIK-un si qeverinë e Kosovës dhe vlen të ceket se përgjegjësia shkon së bashku me kompetencat,"tha Kusari.
Analisti Enver Hoxhaj thotë se nga fjalimi i djeshëm i Guehennos në Këshillin e Sigurimit vërehen qëndrime të kundërta me ato që Harri Holkeri i ka bërë para Kuvendit të Kosovës. Kjo, sipas tij është pasojë e mungesës së një politike homogjene të UNMIK-ut, ku do të përcilleshin iniciativa të njëjta poltike qoftë në Nju Jork qoftë në Prishtinë.
“Përderisa z. Holkeri në fjalimin e tij synon të shtrijë dorën e partneritetit dhe të tejkalojë këtë gjendje dhe të ndërtojë mirëbesim të ri, mesazhet e përcjella nga Guehenno për mendimin tim janë me efekt të kundërt," tha Hoxhaj.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula mohon këtë të dhënë.
“Ai zakonisht merr raporte prej UNMIK-ut. Unë nuk shoh kurrrfarë kontradikte mes fjalimit të Guehennos dhe të Përfaqësuesit Special dhe mund të jap një shembull për këtë: Guehenno i ka vlerësuar lart aktivitetet e kryeministrit,” tha Narula.
Shefi për Misione Paqeruajtëse i OKB-së Jean Marie Guehenno në raportin e djeshëm para Këshillit të Sigurimit ka thënë se trazirat e muajit të kaluar kanë qenë të organizuara dhe janë udhëhequr, siç ka thënë ai nga ekstremistët shqiptarë. Ai përveç akuzave drejtuar institucioneve kosovare ka fajësuar edhe shoqërine civile, që sipas tij, duke mos e dënuar dhunën me kohë i ka kontribuar tensioneve ndëretnike.
Këshilli i Sigurimit ka debatuar dje për herë të dytë brenda një muaji lidhur me trazirat e 17 dhe 18 marsit.


XS
SM
MD
LG