Ndërlidhjet

NË MAQEDONI ZHVILLOHEN ZGJEDHJET PRESIDENCIALE


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Zoran Tanjevski ka njoftuar se gjatë orëve të paradites është shënuar një jehonë e kënaqshme e qytetarëve që kanë dalë për të votuar.
"Vetëm në një qendër votimi nuk ka filluar votimi. Ndërkohë që në tërë territorin e Maqedonisë, zgjedhjet zhvillohen pa probleme në një atmosferë të lirë dhe demokratike", ka theksuar kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Zoran Tanevski.
Nga ana tjetër shtabet e katër partive politike që garojnë në zgjedhjet presidenciale Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe VMRO-DPMNE, kanë qëndrim diametralisht të kundërt rreth asaj nëse ka apo jo parregullsi në procesin zgjedhor.
"Parregullsi nuk kemi, qytetarët dalin. Edhe pse jemi të bindur dhe vlerësojmë se pas orës 14, pjesëmarrja do të jetë edhe më masive dhe deri në mbylljen e qendrave të votimit, qytetarët do ta shlyejnë detyrimin e tyre kushtetues, pjesëmarrjen në votime", thotë zëdhënësi i shtabit zgjedhor nga BDI-ja Xhevat Ademi. Ndërkaq përfaqësuesit e shtabit zgjedhor nga PDSH-ja, njoftojnë se në shumë raste rregjistrohen parregullsi.
"Sipas informatave të cilat i kemi deri tani janë bërë shkelje në disa qendra votimi në Gostivar, faktikisht nuk janë hapur vendvotimet në kohën e duhur," thotë Sulejman Rushiti, zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDSH-së.
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE thotë se në përgjithësi procesi zgjedhor zhvillohet në rregull, me incidente të vogla.
"Do të kisha veçuar një rast në pikën e votimit Vera Cirviri Trena në Shkup, ku ishin vendosur materialet propaganduese në vetë objektin e votimit, që është në kundërshtim me ligjin", tha Llazar Temelko, zëdhënës i shtabit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së. Nga ana tjetër, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nënvizon se me votimet e sotme Maqedonia dëshmon pjekurinë e saj demokratike.
"Shtabi zgjedhor i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë deri tani nuk ka marrë asnjë informacion për ndonjë parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Shpresoj se kjo atmosferë do të vazhdojë deri në fund të ditës", vlerëson Boris Kontarko, zëdhënës i Shtabit Zgjedhor të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.
Duhet theksuar se procesi zgjedhor në Maqedoni mbikqyret nga rreth 4400 vëzhgues, prej të cilëve 350 janë të huaj. Rezultatet e para jozyrtare pritet të kumtohen 24 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa ato zyrtare tre ditë pas përfundimit të votimeve.


XS
SM
MD
LG