Ndërlidhjet

PËRFUNDOJNË ZGJEDHJET NË MAQEDONI


Sefer Tahiri, Shkup

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Stevo Pendarovski njoftoi se jehona e votuesve në zgjedhjet presidenciale ka qenë e kënaqshme:
"Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale kanë votuar më tepër se 50 përqind e votuesve, që do të thote se në rrethin e dytë rreth 1 milion e 695 mijë votues, aq sa janë të rregjistruar në listën e vetme
votuese do të mund të votojnë për njërin nga dy kandidatët presidencialë që kanë marrë më shumë vota në këto zgjedhje," theksoi Pendarovski.
Ndërkohe shtabet zgjedhore të partive politike që garojnë në zgjedhjet presidenciale kanë qëndrime diametralisht të kundërta rreth rrjedhës së procesit zgjedhor.
Shtabi zgjedhor i Partisë Demokratike Shqiptare njofton se gjatë zgjedhjeve presidenciale janë rregjistruar shume parregullsi:
"Kemi të dhëna se sidomos në fshatrat e Kërçovës ka pasur shkelje dhe mbushje të kutive votuese. Në vendvotimin e njësisë zgjedhore “Migjeni” në Tetovë, shefi i sigurimit të BDI-së, Emrush Suma dhe katër të tjerë kanë tentuar me dhunë që ti mbushin kutitë megjithatë nga vendasit janë pamundësuar," thotë Sulejman Rushiti, zëvendeskryetar i Shtabit zgjedhor të PDSH-së.
Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Xhevat Ademi thotë:
"I mohojmë dezinformatat që na vijnë nga terreni. Edhe neve na vijnë informacione nga terreni se ka pasur incident në Migjeni ku është sulmuar kryetari i komisionit vendor zgjedhor, ka pasur incident në fshatin Tenovë të Tetovës, ka pasur edhe ndonjë incident të vogël, por ato nuk e prishin rregullshmërinë dhe normalitetin e procesit zgjedhor."
Ndërsa partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE konsideron se procesi zgjedhor kryesisht është zhvilluar në mënyrë demokratike dhe korrekte
megjithëse janë shkaktuar disa parregullsi:
"Në komunën Gjorce Petrov është vërejtur prania e policisë edhe pse ajo nuk ka qenë e thirur, ndërsa në dy vendvotime policia ka bërë legjitimimin e votuesve, gjë për të cilën ajo nuk ka të drejtë, ndërsa në komunën Debreshtë të Krushevës, Lidhja Socialdemokrate iu ka ofruar disa qytetarëve të holla me qëllim që ta votojnë kandidatin presidencial të kësaj partie Branko Cervenkovski," tha Temellkov, zëdhënës i shtabit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjeter Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nënvizon se me votimet e sotme Maqedonia dëshmon pjekurinë e saj demokratike:
"Shtabi zgjedhor i LSDM-së nuk ka marrë ndonjë informacion për ndonjë parregullsi gjatë procesit zgjedhor edhe pse janë shënuar disa vështirësi të karakterit teknik, të cilat janë mënjanuar me kohë,"
vlerëson Boris Kondarko, zëdhënës i shtabit zgjedhor të socialdemokratëve.

XS
SM
MD
LG