Ndërlidhjet

ZYRTARË EVROPIANË HEDHIN POSHTË OFERTËN E BIN LADENIT


Radio Evropa e Lirë Zyrtarë evropianë sot kanë hedhur poshtë ndërprerjen e armiqësive, që është thënë se është bërë nga lideri i al-Qaidës, Osama bin Laden, në një shirit, që është transmetuar në rrjetin televiziv satelitor arab.

Oferta për ndërprerjen e armiqësive me vendet evropiane që ti tërheqin të gjitha forcat e tyre ushtarake nga vendet myslimane është bërë në një audio – shirit nga personi që thuhet se është Bin Ladeni. Autenticiteti i zërit në këtë shirit ende nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur. Por agjencia Reuters raporton se zëri në këtë shirit tingëllon ngjashëm me zërin që ishte transmetuar më parë në shiritat ku ishte vërtetuar autenticiteti i zërit. Porosia është transemtuar sot nga rrjeti televiziv staleitor arab:
- Unë ofroj ndërprerje të armiqësive me ata me përkushtim për ndaljen e operacioneve kundër çdo shteti që përbetohet për ti ndalur sulmet kundër myslimanëve dhe përzierjen në punët e tyre të brendshme. Komploti amerikan kundër botës është i madh. Shpallja e marrëveshjes fillon me tërheqjen e ushtarit të fundit nga toka jonë dhe dera është e hapur për tre muaj nga data e kësaj kumtese, thotë zëri në shirit, për të cilin mendohet se është i bin Ladenit.

Folësi poashu tha se sulmet me bomba më 11 mars në Madrid, që vranë 191 persona, ishte hakmarrje për përkrahjen e Spanjës ndaj koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe në Afganistan. Pavarësisht se a është shiriti autentik apo i falsifikuar, qeveria britanike tashmë ka përjashtuar mundësinë e çfarëdo marrëveshjeje me bin Ladenin. Në një kumtesë të zyrës së jashtme britanike thuhet se zbrapsja nga kërcënimet e al-Qaidës nuk sjell ndaljen e terrorizmit. Në këtë kumtesë poashtu thuhet se përgjigjja e drejtë për al-Qaidën është "vazhdimi i luftimit të terrorizmit" e jo plotësimi i kërksave të tyre. Partia Konservatore opozitare në Britani e ka mbështetur këtë kumtesë të qeverisë duke thënë se oferta për ndërprerjen e armiqësive tregon se al-Qaida është në një gjendje paniku dhe po përpiqet të shkaktoj ndarje brenda vendeve evropiane që janë në koalicionin anti-terror që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara. Ministri i jashtëm i Spanjës, Migel Angel Moratinos tha se spanjollët as nuk duhet ta dëgjojnë e as ti kushtojnë kujdes mesazhit të fundit që mendohet se është i bin Ladenit, ndërsa kryeministri Hose Luis Rodrigez Zapatero premtoi se do të përdoren të gjitha mjetet në luftën kundër terorizmit. Në Romë, ministri i jashtëm italian, Franko Fratini tha se as që mund të mendohet për ndonjë mundësi të marrëveshjes me bin Ladenin. Këtë ofertë e hodhi poshtë edhe kryetari i komisionit Evropian Romano Prodi, i cili aktualisht ndodhet në Kinë. Lidhur me këtë shirit dhe autenticitetin e tij eventual nuk ka pasur reagime të menjëhershme nga Uashingtoni. Në bazën ajrore në Bagram të Afganistanit, zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se është vështirë që gjatë këtij vitit të realizohen parashikimet për zënijen e bin Ladenit. Por, gjenerali Erik Olson tha se përpjekjet për ta zënë bin Ladenin dhe ndihmësit e tij mbeten prioritet i lartë.
XS
SM
MD
LG