Ndërlidhjet

SEJDIU:"KOSOVËS NUK I DUHEN NISMA NGA ZEROJA"


Fatmir SEJDIU, deputet dhe anëtar i Kryesis së LDK-së


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, në seancën e fundit të Kuvendit, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri ju ka bërë ofertë për bashkëpunim institucioneve kosovare.Sipas jush në çfarë binarësh duhet të zhvillohet ky bashkëpunim?

FATMIR SEJDIU
Ka qenë një qëndrim i përsëritur që zoti Holkeri e pati dhënë edhe në kohën para ardhjes në Kosovë, ku dëshira e tij ka qenë që me institucionet e Kosovës të ketë një partneritet të plotë dhe ne këtë e kemi mirëpritur. Megjithatë mendoj se ndërkohë kanë ndodhur shumë gjëra që kanë sjellë deri (ndoshta) te mosrealizimi i këtij premtimi. Tani kjo fazë e ardhjes së tij, pra momenti i daljes së tij para Kuvendit të Kosovës mendoj se është një garanci e mirë që në proceset e mëtejshme institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare do të bashkëpunojnë më shumë, në mënyrë që të jenë faktorë të rëndësishëm në realizimin e objektivave që ka Kosova në ndërtimin e mirëfilltë, apo ecjen e mirëfilltë të punës dhe funksionimit të tërësishëm të institucioneve demokratike të Kosovës dhe natyrisht në realizimin e atyre që janë shtruar si detyra para Kosovës, standardet për Kosovën. Këto mendoj se vetëm institucionet e Kosovës nuk mund t'i realizojnë, sepse shumica e tyre janë pjesë e përgjegjësive të institucioneve ndërkombëtare dhe në këtë proces ne presim që të barten përgjegjësitë dhe në institucionet vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
A e konsideroni largimin e drejtoreshës së AKM-së Marie Fucci si një hap drejt forcimit të këtij bashkëpunimi?

FATMIR SEJDIU
Është një prerje e mirë dhe administrata ndërkombëtare është dashur ta bëjë më herët dhe të mos lejojë që të jetë çështje e një acarimi të tillë siç ndodhi dhe një bllokade të përgjithshme të punës që është bërë në këtë institucion të rëndësishëm. Natyrisht me këtë mund të themi se hapet një portë e bashkëpunimit të mirë. Në këtë aspekt besoj se institucioni i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit kërkon dhe ka nevojën e një transformimi ende më pozitiv, posaçërisht duke nxitur proceset e reja dhe duke i shpejtuar ato.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditët e fundit jozyrtarisht është përmendur një iniciativë që misionin e OKB-së ta zëvendësojë një mision i Bashkimit Evropian. Çfarë mendoni ju?

FATMIR SEJDIU
Iniciativat nga zeroja nuk janë shumë të nevojshme. Ne jemi në një mision të rëndësishëm ndërkombëtar dhe besoj se Kombet e Bashkuara kanë marrë atë mandat, natyrisht mandat siç ka qenë edhe ai i vetë intervenimit në Kosovë në bazë të kreut të 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe natyrisht në këtë proces ne dëshirojmë një rol të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo besoj se do të ndodhë. Natyrisht në përpjekjet e përgjithshme edhe Bashkimi Evropian e ka rolin dhe duhet ta kryejë atë në kuadrin e mekanizmave të përgjithshëm ndërkombëtarë.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG