Ndërlidhjet

LARGIMI I FUCCIT NUK KA ZGJIDHUR TË GJITHA PROBLEMET E PRIVATIZIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Nëse miratohen politikat operacionale të AKM-së të ndryshuara nga ish-drejtoresha e kësaj agjencie Marie Fucci do të ketë një bllokim faktik të procesit të privatizimit, thonë ekspertët ekonomikë.
Drejtori i RIINVEST-it Muhamet Mustafa numëron hapat që administrata ndërkombëtare duhet t’i ndërmarrë menjëherë nëse dëshiron që të ecet përpara me procesin e privatizimit.
“Tash menjëherë duhet të shpallet tenderi i tretë, që po presim të shpallet, që bordi të fillojë të funksionojë, që propozimet, të cilat janë bërë për ndryshimin e politikave dhe procedurave operacionale ashtu siç janë propozuar nuk do të duhej të miratoheshin, sepse do të thotë një bllokim faktik i procesit të privatizimit,” thotë Mustafa.
Ndërkohë, këshilltari për ekonomi i kryeministrit Behxhet Haliti thotë se qeveria siç ka thënë edhe më herët nuk do t’i përkrahë politikat operacionale të ndryshuara nga Marie Fucci. Por, sipas Halitit qeveria propozon që ndryshimi i tyre të kontribojë në dinamizimin e procesit të privatizimit dhe në kompensimin e kohës së humbur, si pasojë e bllokimit të këtij procesi.
“Qeveria është e interesuar të bëjë ndonjë ndryshim në politikat operacionale, që do të rriste transparencën e privatizimit, do ta zvogëlonte subjektivitetin e anëtarëve të lidhur me këtë proces dhe do ta bënin më atraktive punën dhe tërheqjen e investitorëve potencialë, që brenda kësaj periudhe janë larguar nga qëllimet e tyre për investime në Kosovë,” thotë Haliti duke shtuar se qeveria për këto dhe pika të tjera është e interesuar që të arrijë një konsensus me të gjithë faktorët vendimarrës në procesin e privatizimit.
“ Të fillojë në një tempo shumë të shpejtë shpallja e raundit të tretë të tenderëve dhe të fillojë një ristrukturim i shpejtë i ndërmarrjeve publike që janë me një rëndësi të posaçme strategjike”, tha Haliti.
Eksperti ekonomik Muhamet Mustafa thotë se nëse edhe me tej UNMIK-u ka dilema për të vazhduar procesin e privatizimit, atëherë do të duhej që këtë proces t’ia bartte qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Përndryshe ne nuk mund të presim që ta bëjnë privatizimin ata njerëz që nuk janë të disponuar ta bëjnë dhe është iluzion që të luten njerëzit që kanë dilema për privatizimin, nuk janë të gatshëm ta bëjnë privatizimin, nuk besojnë në atë privatizim, atëherë individë të tillë është shumë më e ndershme që të tërhiqen dhe tërë procesi të bartet te institucionet e Kosovës që ato ta menaxhojnë procesin, kurse PSSP-ja duhet që të krijojë një mekanizëm shumë efikas të mbikqyrjes dhe kontrollit në mënyrë që mos të thyhen ligjet ndërkombëtare," konstaton Mustafa.
Javën e kaluar shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri ka larguar nga posti i saj drejtoreshën e AKM-së Marie Fuccin, e cila nga kosovarët konsiderohej si pengesa kryesore në çuarjen përpara të procesit të privatizimit. Megjithatë, ekonomistët thonë se me largimin e saj nuk janë zgjidhur shumë probleme që e kanë bllokuar këtë proces.

XS
SM
MD
LG