Ndërlidhjet

AL QAEDA MËTON TA NDAJË PERENDIMIN RRETH IRAKUT


Financial Times




Armëpushimi që Osama bin Laden u ka ofruar vendeve evropiane të cilat kanë trupat e tyre në Irak ka qartësuar aspektet kyce të strategjisë së Al Qaedas. Nëpërmjet një deklarate të incizuar, Al-Qaeda mëton që ta ndajë mëdysh koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, duke ofruar një pushim prej tre muajsh nga sulmet terroriste si kusht për tërheqjen e forcave evropiane nga Iraku.
Botëkuptimi i Al-Qaedas për Islamin është që të shndërrojë dhunën në një doktrinë fetare, edhe pse sulmet e fundit të kësaj organizate flasin për disa aspekte të strategjisë së saj, përfshirë këtu edhe krijimin e kaosit Brenda botës islamike. Bin Laden shpreson se konflikti, frika dhe pasiguria do t’i largojë jomuslimanët nga vendet islamike, do të zhvleftësojë kredibilitetin e pushtuesve aktualë dhe do të shtojë pakënaqësinë e popullit. Edhe sulmet në Spanjë shikohen si pjesë të kësaj strategjie, të disenjuar për të inkurajuar largimin e trupave spanjolle nga Iraku dhe jo për të hapur një front të ri në Evropë. Një hetim i detajizuar mbi veprimtaritë e Al-qaedas në Evropë, I botuar në shtator të vitit të kaluar nga Baltazar Garzon, gjykatës i lartë në Spanjë, ka ofruar dëshmi për lidhshmërinë e Evropës me Irakun. Zoti Garzon ka zbuluar lidhjet që ekzistojnë ndërmjet rrjetit evropian dhe Abu Musab Al Zarkawi, një jordanez për të cilin besohet se është i lidhur me Al Qaedan. Përvec lidhjeve me agjentët në Evropë, hetuesit amerikanë besojnë se zoti Zarkawi, i cili dyshohet se aktualisht gjendet në Irak, është në krye të përpjekjeve për të nxitur një luftë qytetare atje.
Por, Iraku është territor i vështirë madje edhe për Al Qaedan, thotë Turki al Faisal, ish shefi i shërbimeve të zbulimit në Arabinë Saudite dhe aktualisht ambasador në Britaninë e Madhe. Këtë konstatim të tij ai e mbështet në faktin se në rradhët e Al Qaedas numri i irakienëve është shumë i vogël.
Edhe pse prania e kësaj organizate në Irak vazhdon të mbetet e paqartë, Al Qaeda duket se është e vendosur që të shfrytëzojë krizën atje për të cuar përpara qëllimet e saj globale. Deklarata e djeshme e Osama Bin Ladenit, e konfirmuar nga CIA si autentike, ishte e qartë në një cështje. Në të thuhej: “Kushdo që e refuzon armëpushimin dhe dëshiron luftë, ne jemi bijtë e luftës, kushdo që dëshiron pajtim, ne do ta sjellim pajtimin”.

XS
SM
MD
LG