Ndërlidhjet

logo-print

KNKK THOTË SE ÇËSHTJA E PERSONAVE TË ZHDUKUR DUHET TË PËRSHPEJTOHET


Bekim Bislimi, Prishtinë

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Kosovë, sot ka shprehur brengosjen lidhur me zvarritjen e procesit të identifikimit të kufomave të gjetura në varrezat masive dhe individuale në Serbi dhe Kosovë si dhe me mënyrën e trajtimit të çështjes së të zhdukurve nga autoritetet relevante. Ky komitet sot ka botuar edicionin e tretë të “Librit mbi personat e zhdukur në Kosovë”, i cili përmban emrat e 3272 personave të zhdukur prej 1 janarit të vitit 1998 e deri më 31 dhjetor të vitit 2000, si rrjedhojë e konfliktit në Kosovë. Pascale Meige, përgjegjëse e misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Prishtinë, tha se procesi i identifikimit të kufomave të gjetura në varreza masive është duke u zhvilluar shumë ngadalë.
”Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, e kupton që procesi i identifikimit të kufomave është i ndërlikuar dhe se aspekte të ndryshme teknike mund të ngadalësojë këtë proces, mirëpo dëshirojmë të theksojmë se procesi i identifikimit po zvarritet shumë” tha zonja Meige.
Përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të kryqit të kuq kanë shprehur brengosjen e tyre për mënyrën se si është trajtuar çështja e personave të zhdukur gjatë 5 viteve të fundit dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve që të merren më seriozisht me këtë çështje. Udo Wagner-koordinator i departamentit të mbrojtjes pranë KNKK tha se ky komitet ua ka dorëzuar autoriteteve relevante të të dyja palëve, serbe dhe shqiptare, kërkesat për sqarimin e fatit të të zhdukurve
“Janë përfshirë të gjitha rastet e personave të zhdukur, të cilat u janë paraqitur autoriteteve relevante duke u dhënë atyre të gjitha shënimet që i kemi” ka thënë zoti Wagner. Ai ka shtuar se KNKK-ja ka mbledhur shënime për rreth 2200 raste të personave të zhdukur, të cilat ua ka dorëzuar autoriteteve serbe, përfshirë forcat ushtarake dhe të sigurisë ish-Jugosllave, ndërkaq të dhënat për rreth 550 raste të personave të zhdukur u janë dorëzuar autoriteteve shqiptare të Kosovës. Zoti Wagner theksoi se janë edhe 460 persona të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrfarë të dhënash.
Ndërkaq, zonja Meige theksoi se autoritetet duhet të marrin përgjegjësinë për t’i zgjidhur rastet e zhdukjes së personave që kanë ndodhur në territoret që ata i kontrollonin. Sipas saj, ndonëse Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ua ka dorëzuar autoriteteve listat e personave të zhdukur, me rrethanat e zhdukjes së tyre dhe ka kërkuar informata në emër të familjeve të këtyre personave, por autoritetet përkatëse nuk kanë ofruar asnjë informacion relevant që do të shpinte në zbardhjen e fatit të këtyre personave.
“Fatkeqësisht, pesë vitet e shkuara dëshmuan që palët e kyçura në konfliktin e fundit nuk kanë treguar vullnet të mjaftueshëm politik për ta adresuar çështjen e personave të zhdukur në mënyrë serioze dhe për t’ju ofruar familjarëve informatat e dëshiruara”, tha zonja Meige
Sidoqoftë, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq kanë deklaruar se do të vazhdojnë të përkrahin familjarët e personave të zhdukur në kërkim të përgjigjeve nga autoritetet përgjegjëse. Ndërkohë, sipas zyrtarëve të kësaj organizate, edicioni i tretë i “Librit për personat e zhdukur” sot është promovuar edhe në Beograd.
XS
SM
MD
LG