Ndërlidhjet

MOORE:"BALLKANI SËRISH ZONË VITALE E SIGURISË AMERIKANE"


Patrick MOORE, analist i Radios "Evropa e Lirë"


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, ditëve të fundit në Bruksel gjithnjë e më shumë dëgjohen zërat për një rol më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë, madje disa forca opozitare siç është Partia Liberale e Gjermanisë ka propozuar zëvendësimin e misionit të UNMIK-ut me një mision të Bashkimit Evropian. Sa janë reale këto iniciativa dhe çfarë dëshmojnë ato?

PATRICK MOORE
Artikulli të cilit ju i referoheni doli nga Partia e Lirë Demokrate Gjermane, që në fakt është Partia Liberale, dhe ishte shkruar nga zoti Rajner Shtiner të enjten në gazetën "Frankfurter Algemaine Cajtung". Kjo është një parti e vogël dhe shpesh herë i duhet të luftojë për të kapur kufirin e 5 % për t'u futur në parlament. Por kur hyn në parlament, gjatë shumicës së historisë së saj ka luajtur rolin e bërjes së koalicioneve. Nuk është në qeverisjen aktuale, por shumicën e kohës ka qenë. Ajo që dua të them është se për të siguruar 5 % e saj, dhe pastaj të ketë një pjesë të mirë në pushtet, që ka më shumë vlerë sesa thjesht 5 %, kjo parti përpiqet të gjenerojë ide. Kur e lexova këtë artikull mendova se është ideja e dikujt në këtë parti që po përpiqet të tërheqë vëmendjen e votuesve duke treguar se partia e tij gjithashtu mund të ketë ide. Të them të drejtën kur e lexova për herë të parë këtë shkrim nuk mund ta besoja dhe e gjeta krejtësisht joreale, sepse e ardhmja e Kosovës është me një kontroll më të pakët nga jashtë, dhe jo me një kontroll më të madh nga jashtë, pavarësishtë nëse quhet UNMIK, Bashkimi Evropian, apo çfarëdoqoftë. Prandaj mendoj se një politikë e mençur nuk do të propozonte përfshirje të grupeve të reja të të huajve në punët e Kosovës, por si të bëhet një tranzicion sa më i shpejtë i pushtetit në duart e autoriteteve të zgjedhura, njerëzve të cilëve ua ka dhënë votën populli i Kosovës dhe jo njerëzve të caktuar nga Brukseli.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, në disa vende evropiane por edhe në Kombet e Bashkuara shpesh dëgjohet kërkesa për transferë më të shpejtë të pushtetit në Irak. Por, të njëjtët këtë nuk e kërkojnë në rastin e Kosovës, pavarësisht se kanë kaluar 5 vjet nga intervenimi. Ku janë rrënjët e këtij këndvështrimi kontradiktor?

PATRICK MOORE
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Përgjigja më e lehtë, e ndoshta më cinikja është që disa njerëz kënaqen të rrinë në një pjesë të Evropës, sidomos në Kosovë, ndërsa në një vend ku kushtet janë më të këqija, në Irak, nuk do donin të rrinin një kohë të gjatë. Por, kjo është një çështje tjetër. Ajo që mendoj se do ishte përgjigja e atyre personave në komunitetin ndërkombëtar, të cilët i marrin këto vendime, është që Kosova nuk ka një traditë të shtetit të pavarur, dhe gjërat duhet të ndërtohen nga themelet. Ndërsa Iraku ka një traditë të shtetit të pavarur që nga fundi i Luftës së Parë Botërore dhe duhet trajtuar në një mënyrë të ndryshme. Mendoj se kjo do ishte përgjigja zyrtare që mund të merrej për këtë pyetje, po unë gjithashtu mendoj se kjo është paksa e pakuptueshme. Sidoçoftë, është një pyetje shumë e mirë që u duhet bërë të gjitha kryeqendrave kryesore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, këto ditë presidenti Bush ka deklaruar se Iraku i lirë do të dëshmojë se Amerika është në anën e gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë në paqe, siç është dëshmuar në rastin e Kuvajtit, Kosovës, Bosnjës, Afganistanit. A është ky një sinjal se Amerika do të mbetet e angazhuar politikisht dhe ushtarakisht në Kosovë për një periudhë shumë të gjatë?

PATRICK MOORE
Nuk jam i sigurt nëse nga kjo deklaratë mund të dalim me këtë konkluzion. Por, mendoj se është e rëndësishme të vihet re se zyrtarët e administratës dhe jo vetëm presidenti, po flasin për Kosovën dhe Bosnjën si pjesë të fushës aktuale të interesave prioritare të Shteteve të Bashkuara. Na kujtohet se para zgjedhjeve të fundit presidenciale në vitin 2000 në tetor, Kondoliza Rice, që tani është Këshilltare për Çështjet e Sigurisë, i dha një intervistë gazetës "New York Times" në të cilën tha se ditët e Amerikës në Ballkan kanë përfunduar dhe se do të tërheqin trupat nga ky rajon. Por, kjo nuk ndodhi. Kemi parë disa reduktime, por asgjë që ajo sugjeroi nuk ndodhi. Tani jam dakort me ju që kam disa sugjerime të qarta, jo vetëm nga presidenti Bush, por nga të tjerë në Uashington, që ngjarjet pas 11 shtatorit shkaktuan që shumë njerëz në Uashington të kenë një këndvështrim të ri për Ballkanin dhe të shikojnë këtë rajon jo si një zonë ku luftërat e vjetra kanë përfunduar dhe amerikanët mund të largohen, por si një zonë vitale e sigurisë amerikane.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG