Ndërlidhjet

GRUPI I PËRKRAHJES PËR KOSOVËN TAKOHET NË PRISHTINË


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit kanë arritur në Prishtinë, ku sot dhe nesër do të kenë takime me përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të Grupit Përkrahës për Kosovën.
Burime diplomatike në Prishtinë bëjnë të ditur se ky Grup do të përbëhet nga vendet e Quintit, Rusia dhe Bashkimi Evropian. Zyrtarët e qeverisë dhe të administratës ndërkombëtare në Kosovë kanë përshëndetur krijimin e këtij grupi, por nuk kanë dhënë informacione nëse edhe ata do të jenë pjesë e grupit.
“UNMIK-u ëshët shumë i kënaqur që ata po vijnë në Kosovë. Është një përparësi për ne angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare për të çuar përpara procesin e standardeve”, tha zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karllovic.
Zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari thotë se pjesëmarrja e mundshme e qeverisë në këtë grup nuk është diskutuar ende.
“Kryeministri Rexhepi do të takohet me përfaqësuesit që e përbëjnë këtë grup, megjithatë për formën dhe mënyrën se si do të bashkëpunohet në të ardhmen mbetet të shihet pas ditës së pasnesërme, pas takimit të parë," tha Kusari.
Grupi përkrahës për Kosovën do të takohet çdo 6 javë dhe do të ketë për qëllim që të ndihmojë për së afërmi procesin politik dhe ekonomik të Kosovës. Zëdhënësja Mimoza Kusari thotë se ky grup do të luajë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e përmbushjes së standardeve.
“Kjo është gjithmonë e domosdoshme për arsye se do të bëhet një vlerësim më i shpeshtë prej asaj që është paralajmëruar më herët dhe në të njëjtën kohë do të jepet mundësia që të bëhen përmirësimet e duhura gjatë periudhës së përmbushjes së standardeve, në mënyrë, që kur të vijë mesi i viti 2005 të mos kemi befasi të llojeve të ndryshme,” tha Kusari.
Ideja për krijimin e Grupit Përkrahës për Kosovën është dhënë nga nënsekretari amerikan për çështje poltike Marc Grossman , gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë .
Në kuadër të konsultimeve për krijimin e Grupit Përkrahës për Kosovën në Kosovë po qëndrojnë zëvendësdrejtorët politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Quintit- Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Rusisë. Ndërkaq, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara e përfaqëson Cathleen Stephans , shefe e Byrosë për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Zonja Stephans sot pasdite do të takohet me shefin e UNMIK-ut Harri Holkerin dhe me presidentin Ibrahim Rugova.



XS
SM
MD
LG