Ndërlidhjet

AZEMI: TREGËTIA ME VOTAT E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI


Emin Azemi, botues i gazetës Fakti

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Azemi, çfarë peshe ka vota e elektoratit shqiptar në Maqedoni?

EMIN AZEMI
Deri më tani asnjëherë nuk janë bërë analizat sa i përket fuqisë së vërtetë të faktorit shqiptar këtu dhe kalkulimet bëhen gjithmonë atëhere kur duhen votat, kur bëhen zgjedhjet. Unë e shoh këtë me një dëshpërim do të thosha, për arsye se nuk i shoh votat e shqiptarëve vetëm si një numër, ashtu si ka qasje tani, si matematikë e thjeshtë, por ato vota në vend që të kalkulojnë vetë shqiptarët, me votat e shqiptarëve tani kalkulojnë të tjerët, dhe aty bëhet një pazar ashtu siç jemi mësuar edhe në vitet të tjera. Dua të theksoj se votat e shqiptarëve po ndahen dhe me ndarjen e votave të shqiptarëve, natyrisht se ndahet edhe forca, fuqia e vendosjes si në institucionet vendim-marrëse ashtu dhe në dikasteret e tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kontekst kur vota shqiptare nuk është e fokusuar në një bosht të përbashkët, sa do të arrijë ajo në këtë formë megjithatë të nxjerrë në pah vlerën e vërtetë të saj?

EMIN AZEMI
Tani shtrohet vetëm një çështje. Sa skema të deri tanishme që kanë qenë në zgjedhjet presidenciale sa japin fryt, sa japin rezultate dhe sa vërtet këto që fliten tani kohët e fundit për kushtëzime eventuale vërtet do të japin rezultate, kjo mbetet të shihet. Nuk është keq që ajo parti politike shqiptare që do t'i japë votat për presidentin, vërtet të nxjerrë maksimumin e asaj që është e mundur dhe kjo do të jetë në dobi të të gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Emin, parë nga këndvështrimi juaj cili opsion mes dy kandidatëve për president Branko Crvenkovski nga LSDM-ja dhe Sashko Kedev nga VMRO-DPMNE, është më i favorshëm për interesat e shqiptareve të Maqedonisë?

EMIN AZEMI
Kjo është e diskutueshme. Ne i dimë të dy opsionet dhe të dy konceptet. Ne e dimë tani edhe një koncept të ri do të thoja të Crvenkovskit dhe LSDM-së, të cilët vërtet janë të moderuar tani për tani dhe gjithashtu nuk mund të flasim me të njëjtën gjuhë për VMRO-në, e cila megjithatë ne shqiptarët e mbajmë mend këtë parti dhe establishmentin e saj si një parti, e cila megjithatë ishte e përfshirë në një konflikt të armatosur në Maqedoni. Prandaj gjërat nuk janë bash bardhë e zi ashtu siç jemi mësuar ne t'i shohim. Pra ka prishje të skemave, nuk është më ajo LSDM, nuk është më ajo VMRO, por mendoj se shqiptarët janë ata që kanë qenë më parë. Unë mendoj se shqiptarët po ndryshojnë, nuk ka arsye shqiptarët të ndryshojnë dhe ky mosbashkëpunim i shqiptarëve jo 100 % po rnë disa pika mendoj se nuk është në favor të zhvillimit të përgjithshëm.

Intervistoi Zërijeta Hajro Jahjaga



XS
SM
MD
LG