Ndërlidhjet

logo-print

C. STEPHANS: GRUPI I KONTAKTIT DO TA MBËSHTESË ZHVILLIMIN EKONOMIK DHE POLITIK TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Ndihmësnënsekretarja amerikane e Shtetit Cathleen Stephans ka thënë sot se së bashku me kolegët nga Grupi i Kontaktit, me udhëheqësit e Kosovës, me zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s do të bëjnë përpjekje që të shtyjnë përpara proceset politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe të ndërtojnë atë që u shkatërrua në trazirat e muajit të kaluar.
Stephans i ka bërë këto komente pas takimit që pati me presidentin Ibrahim Rugova.
Ajo së bashku me kolegët nga vendet anëtare të Grupit të Kontaktit po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të konsultimeve për themelimin e një Grupi Përkrahës për Kosovën.
“Jam kthyer me qëllim që të vazhdojnë diskutimet dhe për të parë se çka janë duke bërë udhëheqësit e Kosovës së bashku me UNMIK-un dhe KFOR-in në rindërtimin e Kosovës pas shkatërrimeve të muajit të kaluar. Nesër do të takohem me kolegët e mi nga Grupi i Kontaktit, kështu që ne mund të flasim së bashku se si mund t’i përkrahim këto përpjekje, t’i realizojmë disa gjëra që u diskutuan disa javë më parë," tha Stephans duke shtuar se duhet të arrestohen dhe të dënohen përgjegjësit e trazirave, të rindërtohet ajo që u humb, të riparohet besimi dhe të punohet për standardet, të cilat sipas saj do të bënin Kosovën vend ku të gjithë do të jetojnë në paqe dhe qetësi.
Presidenti Rugova ka siguruar zonjën Stephans se institucionet e Kosovës do të punojnë në përmbushjen e standardeve si dhe në kthimin e mirëbesimit.
“Institucionet e Kosovës së bashku me popullin e Kosovës do të bëjnë çmos që ato t’i implementojnë, sepse janë në të mirë të Kosovës, të integrimeve në bashkësinë ndërkombëtare, në BE, në NATO,” tha Rugova.
Pikërisht vlerësimi i përmbushjes së standardeve është njëra nga çështjet me të cilat do të jetë i lidhur drejpërdrejt Grupi Përkrahës për Kosovën, që pritet të themelohet ditët në vijim.
Burime diplomatike në Prishtinë bëjnë të ditur se ky Grup do të përbëhet nga vendet e Quintit, Rusia dhe Bashkimi Evropian. Zyrtarët e qeverisë dhe të administratës ndërkombëtare në Kosovë kanë përshëndetur krijimin e këtij grupi, por nuk kanë dhënë informacione nëse edhe ata do të jenë pjesë e grupit.
Zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari thotë se pjesëmarrja e mundshme e qeverisë në këtë grup nuk është diskutuar ende.
“Kryeministri Rexhepi do të takohet me përfaqësuesit që e përbëjnë këtë grup, megjithatë për formën dhe mënyrën se si do të bashkëpunohet në të ardhmen mbetet të shihet pas ditës së pasnesërme, pas takimit të parë," tha Kusari.
Grupi përkrahës për Kosovën do të takohet çdo 6 javë dhe do të ketë për qëllim që të nidhmojë për së afërmi procesin politik dhe ekonomik të Kosovës.
Ideja për krijimin e Grupit Përkrahës për Kosovën është dhënë nga nënsekretari amerikan për çështje politike Marc Grossman, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.
Në kuadër të konsultimeve për krijimin e Grupit Përkrahës për Kosovën në Kosovë po qëndrojnë zëvendësdrejtorët politikë të Ministrive e të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Quinitit- Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Rusisë. Ndërkaq, Qeverinë e Shteteve të Bashkuara e përfaqëson Cathleen Stephans, shefe e Byrosë për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Përfaqësuesit e Grupit të Kontakti do të takojnë nesër në mesditë të gjithë liderët e Kosovës.


XS
SM
MD
LG