Ndërlidhjet

PHILLIPS:"OKB TË LËVIZË DREJT DORËZIMIT TË SOVRANITETIT TE KOSOVA E PAVARUR"


David PHILLIPS, Drejtor i Qendres për Aksion Preventiv në Washington


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Phillips, ku i shihni shkaqet e trzirave të fundit në Kosovë?

DAVID PHILLIPS
Këto trazira janë të dënueshme. Trazirat dhe dhuna nuk kanë vend në rajonin, i cili përpiqet të integrohet në Evropë dhe ta konsolidojë zhvillimin demokratik. Por, krejtësisht është e parashikueshme se do të ketë ngurtësim (radikalizim) të pozicioneve te të dyja palët, te pala serbe dhe shqiptare.
Mungesa e progresit për kthimin e pakicës serbe në Kosovë, si dhe drejt përcaktimit të statusit final të Kosovës, i kanë thelluar pozicionet radikale, dhe dhunën, të cilën e pamë, pothuajse e bënë të pashmangshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se këto zhvillime janë kthim prapa në bartjen më të madhe të pushtetit nga administrata ndërkombëtare?

DAVID PHILLIPS
Aktualisht, mendoj se këto zhvillime e nënvizojnë rëndësinë që Kombet e Bashkuara të heqin dorë nga gurthemeli i tyre për 'standardet para statusit', dhe më me guxim të ecin drejt dorëzimit të sovranitetit republikës së pavarur të Kosovës. Kuptohet, dhuna nuk mund të shpërblehet, por duhet të ketë disa ndryshime në status-quo-në, sepse kushtet aktuale, thjesht janë të papranueshme për të gjitha palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Phillips, çfarë është komenti juaj për prononcimet e zotit Koshtunica mbi kantonizimin e Kosovës?

DAVID PHILLIPS
Kur fjala kantonizim thuhet nga një lider serb, ajo është një fjalë e keqe. Asociacionet janë ekstremisht negative, dhe nuk pijnë ujë kur kanë të bëjnë me zgjidhjen në Kosovë. Për Serbinë, më me rëndësi do të ishte që ta përshpejtojë zhvillimin e vet demokratik, dhe pastaj të hyjë në negociatat me lidershipin e shqiptarëve të Kosovës, në dobi të të dy palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se gjithë kjo do të ndikojë në procesin politik në të ardhmen, për sa i përket rishikimit të standardeve ndërkombëtare në mesin e 2005?

DAVID PHILLIPS
Fakti që rishikimi i standardeve është shtyrë kaq shumë, ka patur ndikim negativ në gjasat për paqen dhe sigurinë në Kosovë. Nëqoftëse së shpejti nuk ka ndonjë lëvizje drejt zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, gjasat që dhuna të rishfaqet do të jenë të mëdha. Dhe, po pati edhe një shpërthim të vrullshëm të dhunës, atëherë çfarëdo progresi do të jetë edhe më i vështirë se ç'është sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Phillips, cili është komenti juaj rreth idesë që Bashkimi Evropian ta marrë përsipër misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë?

DAVID PHILLIPS
Mendoj se kosovarët duhet ta marrin përsipër misionin në Kosovë, dhe duhet të ketë hapa të matura drejt vetëqeverisjes. Nëse bashkësia ndërkombëtare mund ta ndihmojë këtë proces, aq më mirë. Por bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndihmuar sa duhet në ndryshimin e gjendjes së status-quo-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Phillips, në një nga shkrimet tuaja keni thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ballkani mund të shpërthejë.
Si do ta përshkruanit strategjinë aktuale amerikane në rajon?

DAVID PHILLIPS
Nuk ka strategji për rajonin. Shtetet e Bashkuara e kanë neglizhuar Ballkanin, sekretari i shtetit as që e ka vizituar Ballkanin gjatë gjithë kohës së administratës së Bushit. Ata thjesht i kanë lënë konfliktet të ngrira aty ku ishin. Nuk i kanë adresuar nevojat që qytetarëve të Evropës Juglindore u duhen për progres, për zhvillim dhe për integrim në Evropë.
Vite me ardhë, Ballkani ka qenë interes special i Shteteve të Bashkuara. Tani është koha që Shtetet e Bashkuara ta rifokusojnë dhe ringjallin aktivitetin e tyre, duke punuar për një zgjidhje të përshtatshme, e cila do t'i merrte parasysh pretendimet e të gjitha palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund zoti Phillips, si e shihni ardhmërinë e Kosovës?

DAVID PHILLIPS
Ardhmëria e Kosovës është e ndritshme nëse statusi mund të përcaktohet. Nëse bëhet progres drejt diskutimeve për statusin politik, kjo do t'i zbuste radikalët e të dyja palëve, shqiptarë dhe serbë, si dhe do t'u lejonte të dyja komuniteteve të ndërveprojnë me më konstruktivitet. Nëse nuk ka progres, atëherë radikalët do të dominojnë, dhe gjasat për dhunë do të rriten. Është me rëndësi të ketë disa ndryshime në qasjen, gjë që u nënvizua edhe nga ngjarjet e tmerrshme dhe trazirat e dënueshme të para disa javëve.

Intervistoi: Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG